Elbasani, shpëtimi ende larg
Edhe pse ka fituar katër nga pesë takimet e fundit, verdheblutë ndodhen vetëm një pikë larg zonës së ftohtë
Elbasani është zgjuar, ku tashmë po lufton fort për shpëtimin në kategorinë e parë. Rezultatet e fundit e kanë shkëputur ekipin nga zona e ftohtë, por distanca është shumë e vogël për sigurinë e skuadrës. Një pikë larg Burrelit nuk do të thotë asgjë, ku kanë mbetur edhe tri takime për tu luajtur.
Gjithsesi, kalendari nuk është shumë i vështirë për elbasanasit, të cilët do të presin Mamurrasin në fundjavë, më pas do të luajnë ndaj Gramshit dhe do ta mbyllin në shtëpi ndaj Himarës. Sfida më delikate për elbasanasit do të jetë ajo ndaj Gramshit, kundërshtari direkt i tyre në luftën për mbijetesë. Mamurrasi ka disa ndeshje që nuk lufton më për asgjë, ndërsa Himara duket se do të sigurojë mbijetesën para ndeshjes së fundit.
Gjithsesi, duhet theksuar se Elbasani ka arritur të marrë dy fitoret e vetme në transfertë, pikërisht ndaj dy skuadrave më të forta, Tërbunit dhe Pogradecit. Elbasani ka zhvilluar një sezon për tu harruar, ku tashmë lufton për ekzistencë. Skuadra ka pasur ecurinë më negative nga të gjitha skuadrat e kategorisë së parë, ku nuk mundi të merrte asnjë fitore në 10 ndeshje radhazi.