Partizani, 270 minuta për elitën
Pas ngjitjes në elitën e futbollit shqiptar, skuadra e kuqe ka nisur të mendojë për skuadrën me të cilën do të përfaqësohet sezonin tjetër
Partizani ka arritur të sigurojë kalimin në Superligë tri ndeshje para përfundimit të kampionatit. Tashmë, skuadra e kuqe është e qetë, ku nuk ndien presionin e arritjes së objektivit. Në ndeshjen e ardhshme, të kuqtë do të luajnë derbin ndaj Kamzës. Kjo sfidë do të shërbejë shumë për demat e kuq, të cilët kërkojnë të zhvillojnë në paraqitje pozitive përballë sportashësve të tyre.
Partizani do të ketë në dispozicion 270 minuta për të krijuar idetë e qarta se ku duhet të ndërhyet në ekip, me qëllim që sezonin tjetër në Superligë, ekipi të shfaqet ashtu siç pritet nga opinioni sportiv. Ngjitja në Superligë është një arritje e madhe për ekipin dhe tifozërinë e zjarrtë që e mbështet. Stafi po mendon që tani për skuadrën e ardhshme dhe ndeshjet e mbetura do të vlejnë në shumë drejtime.
Së pari, do të vendosen pikat mbi elementët e vlefshëm dhe të pavlefshëm në ekip. Kuptohet, tri ndeshjet e mbetura do të shërbejnë më shumë për të dhënë një mendim përfundimtar për këto elementë, pasi sezoni aktual ka dhënë shumë përgjigje mbi këtë këndvështrim. Interesante do të jetë dhe hartimi i merkatos, e cila mesa duket do të nisë të hartohet pa mbaruar kampionati aktual.
Të gjitha këto do të jenë në varësi të elementëve që duhen dhe që nuk duhen nga grupi aktual. Sezoni tjetër në Superligë do të zhvillohet me 10 skuadra. Kjo do të thotë shumë për një skuadër të sapo ngjitur në elitë, pasi ajo do të duhet të përballet fort për objektivat e saj. Kjo gjë do të kërkojë kohë të caktuar për homogjenizimin e grupit.
Gjithsesi, koha në dispozicion të të kuqtë do të jetë e mjaftueshme për të projektuar Partizanin e madh. Për sezonin tjetër pritet të hapet kompleksi që po ndërtohet në Bërzhitë, i cili do të jetë një faktor përcaktues për skuadrën e kryeqytetit, e cila ka vuajtur shumë vitet e fundit për gjetjen e terreneve sportive për seancat stërvitore.
Grupi i plotë ndaj Kamzës
Partizani ka zhvilluar dje seancën e radhës stërvitore të drejtuar nga Hasan Lika. Për ndeshjen e fundjavës nuk do të ketë asnjë lojtar të pezulluar nga kartonat apo nga dëmtimet. Mesa duket, ngjitja në elitë ka ndikuar pozitivisht në këtë drejtim për Partizanin. Seancat stërvitore e djeshme ka patur më shumë kriter atletik pa ngarkesa të shumta fizike.
