E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballë vjetërsirave të trashëgueshme

14-10-2012 / Nga Qemal Sakajeva

1. Me t’i nxjerrë puplat, fëmijët fluturojnë, s’dihet se ku. Me t’i lënë gjunjtë, pleqtë mbesin diku. Të paktët gjejnë mbështetje tek pjella e vet. Edhe me të paktë janë ata që paranë kanë mbështetje. Të shumtët, ose pleqërojnë në vetmi, ose strehohen në bujtinën e të harruarve. Të moshuarit, të papara e të patrashëgimi, janë në telash me ndonjë relikë të vjetër. Ndodh që, jetën e tyre e ka shoqëruar ndonjë send, i cili është bërë edhe më i vyer me vjetrimin e tij dhe kujtimin e mbajtësit. I zoti, i plakur, me mallëngjim të thellë e vramendje të ngeshme, nuk di t’i japë rrugë.
Për vete, di  çfarë vendi e pret.
Po sendet e vjetra, kujt t’ia lejë amanet?
2. Shekulli ia dorëzon shekullit, vlerat e veta materiale. Sistemi shoqëror ia përcjell sistemit, gjithçka të vetën, të çmuar a të dëmshme. Brezi ia trashëgon brezit, pasuritë e krijuara me mundim e dije. Qeveritë duhet të qeverisin, edhe për qeveritë që vijnë. Fisi e përjetëson fisin në rrënjë, trung e degë të pemës gjenealogjike. Individi, diçka që zotëron, vret mendjen kujt t’ia përcjellë.
Kam njohur bij që, një filxhan të të atit, e kanë mbartur kahdo i ka çuar jeta. Zakonin e pirjes së kafesë e kanë kryer me të, për të mbajtur gjallë kujtimin.
Kam njohur bij që, orën e vjetër e kanë ruajtur më mirë se të qe e re, vetëm se ka qenë e stërgjyshit.
Kam njohur dikë që, i humbi fotografia e vetme e gjyshes, pasi grabitësi ia rrëmbeu bashkë me portofolin, me pak lekë brenda, dhe, ai ndjehej thellësisht i dëshpëruar.
Kam njohur nipin që, gjymin e bakrit, dy shekullorë, e ka shitur te grumbulluesi i metaleve.
Kaq të shumta janë rastet si këto! Aq sa pleq ka, aq sende janë, aq ruajtje, humbje e shpërfillje ndodhin.
Ky hall e pati kapur edhe Hajrie Sinanin. E moçme 90 vjet. E kurthuar në vetminë e saj, brenda shtëpisë. Mosgjetja e zgjidhjes e brente përditë: “Kujt t’ia besoj të vetmen gjë të vjetër e të shenjtë?” Nuk kishte shkollë as sa për të shkruar emrin. Por, plot 60 vjet e ruajti një amanet si njeri i ditur. Më 7 mars 1953, vjehrra e saj, Hatixhe, e pati thirrë t’i avitet te kryet, në minutin e mbramë të jetës.
-Hajrie, bijë, amanet po ta la Kuranin. Po të thom, amanet dy herë. Ky asht Kurani që ma ka falë mësuesja, në Mejtepin e Stambollit, para 70 vjetësh.
Dhe, ia la në duar Librin e Shenjtë, futur në një çantë kadifeje të butë, ngjyrë kafe. Ai është shumë i vjetër. 70 vjet e pati kënduar Hatixhja. 60 vjet e ruajti Hajria. 130 vjet plot, i përdorur e ruajtur,  brenda një familjeje. Kushedi se sa kohë e ka pasë mbajtë mësuesja
e cila, ndoshta, edhe ajo, e ka pasë dhuratë nga dikush tjetër, edhe më herët, kur librat ishin gjë e rrallë.
Ky Kuran kaloi një rrezik, në vitin 1967, pas fjalimit të diktatorit Enver Hoxha, mbi ndalimin e fesë në Shqipëri. Në fshatrat e kooperativës bujqësore të Fiersemanit, në Lushnjë,  dolën shtëpi për shtëpi, të kontrollonin për libra fetarë, t’i mblidhnin e digjnin. Urdhrin e pati dhënë  kryetari i kooperatives, sipas direktivës së partisë, për zhdukjen e besimit fetar. E trembur nga furia rrënimtare, Hajria e hoqi çantën me Kuran brenda, varur në një gozhdë, në anën më të zgjedhur të odës. Askush nga njerëzit e shtëpisë nuk e vërejti mosqënien më aty dhe kurrkush nuk e diti fshehjen.
-Nanë,- i thanë një ditë fëmijët, - ku asht Kurani?
Ajo nuk foli. U mor me punë, kinse nuk dëgjoi. As kurrë nuk foli për vendfshehjen, thua se i duhej prapë. Të ruajtur e të padëmtuar, e nxori nga fshehtësia dhe e vari përsëri në mur, vetëm më 1991, për Kurban Bajramin e parë, të lejuar për festim, pas rënies së komunizmit. Edhe, atëherë, pasi u sigurua mirë. Plot 24 vjet pa e ditur as fëmijët e saj.
Ashtu siç, shumë të ditur krenohen me bibliotekat vetjake, të mëdha e me libra të zgjedhur, edhe ajo ndjente për amanetin e mbajtur dhe librin e shenjtë të shpëtuar. Por, në prag të vdekjes qe vërtetë në hall. Jam shumë plakë, 90 vjet, thotë. Sot për nesër. Jam frymë. Njeriu asht si bryma para diellit. Tak të lshon shpirti në vend. E, kujt me ia përcjell amanetin?
Te djali i madh nuk i flinte shpirti. Edhe ai i ka do vjet të mira. Djemtë e tij janë rritur, po nuk beson se ata dijnë të çmojnë porosinë e stërgjyshes. I dyti ka boll shkollë. I di e i do librat. Ka bibliotekë dhe ka parë shumë biblioteka, në Shqipëri e nëpër botë. Mirëpo, shkollën e ka kryer në kohën e pafe të komunizmit. Dhe, plaka druan mos bie në mëkat me këtë përcjellje. Djali i tretë nuk është me shkollë. Tjetri djalë e ka gruan ortodokse. Aty, gjysma çmon e gjysma dronë. T’ia besoj mbesave nuk mundet. Ato kanë si shumë lakuriqësi në veshje. Si të lehtësohet zgjidhja?
-Nuk je vetëm ti në hall, me sendet e vjetra, - kujtova se e ngushëllova.
-E, kush tjetër asht në hall, si unë? - pyeti.
-Shqipëria është në hall më të madh se ti.
-Qyyyysh?! - foli e habitur.
Ja, bash, si ti: Ka qytete të vjetër, e po u shëmben shtëpitë. Shteti, që është djalë i vetëm
trashëgimtar, s’ka ç’u bën, nuk ka pare të mjaftueshme për to. Ka ura të moçme, që rrezikohen të këputen midis e të shëmben në lumë. Ka muzeume të ngritura me shumë shpenzime e pikojnë shi brenda. Ka hajna që grabisin, shesin, humbin e dëmtojnë sende shumë të çmueshme. Ka kështjella fort të lashta e nuk pyet kush për to. Në vite të këqia, njerëz prishanë, nxirrnin gurë aty si në gurore e i futnin themeleve për shtëpitë e veta. Ka piktura si portreti “Motra Tone”, i Kol Idromenos, fort e vlefshme për Shqipërinë. Ajo nisi të bjerret, por më së fundi, fatmirësisht ndihmoi Franca, u çua në Paris, u shpëtua prej dëmtimit e u soll prapë në Shqipëri. Ka të ditur e të mençur, por për ta kujtohen t’u thonë ndonjë fjalë të mirë vetëm ditën e mortit. Ka pleqë 100 e sa vjeç, që nëpër botë vërsnikët e tyre i shënojnë nëpër libra mos harrese. E, këtu, tek ne, edhe për bukë shohin duarve të stërnipërve.
Plaka Hajrie, e pangushëlluar me këto fjalë , pati folë prerë:
-Hall i madh! Enveri e prishi popullin. Ma e vështira punë asht ndreqja e
popullit të damtuem. Nuk ka ma hall, për një shtëpi e për një shtet, se kur nuk mundet me i trashëgue sendet e veta të vjetra.
3. Nuk më ka dalë nga mendja, thënia e shoqëruesit grek, në Akropol të Athinës:
“Greqia ka më të çmuar një gur të lashtë se një grek të sotëm”.
Kjo është e vërtetuar për ta. Ishte zhvillimi i lashtë helen, kujtesë e së cilës u bënë monumentet, pa Greqia ballkanike u përfshi në 12-shen e Europës së Bashkuar, që në ngjizje dhe, fjala “Euro”, është e shkruar edhe në greqishte, në monedhën e përbashkët, falë shpikjes së demokracisë atje. Pa këtë trashëgimi, edhe sot e kësaj dite, Greqia do të ishte ende,  duke kryer detyrat e shtëpisë, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›