Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përkrahja e vendeve europiane
Sinjalet janë të qartë dhe jo vetëm për presidentin. Kemi të bëjmë me një ekonomi (ajo e eurozonës) të dobët po ku nuk mungojnë shenjat e një “optimizmi të matur”. Natyrisht gjatë gjithë kohës së krizës presidenti i Bankës Qëndrore Europiane ka kërkuar të gjejë sinjalet positive edhe në momentet kur eurozona përshkruhej ndryshe, siç ka ndodhur edhe në analizat fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ndërkaq edhe Komisari europian, Olli Rehn përgjatë një konference për shtyp ka deklaruar se është “më pak pesimist” për situatën e tanishme. Natyrisht vështirësitë në eurozonë egzistojnë ende. Nuk ka rritje, dhe në trimestrin e parë të këtij viti ishte zero, në trimestrin e dytë ishte - 0,2 dhe ndoshta dhe i treti do të jetë po aq i dobët. Parashikohet ndërkaq se rritja ekonomike mund të vijë vitin tjetër edhe pse sipas analistëve të ndryshëm kjo rritje do të jetë gjithsesi e ngadaltë. Por nga vjen ky vjen ky optimizëm i Mario Dragit? Presidenti i Bankës Qëndrore Europaine do të kërkonte para së gjithash që të rregulloheshin llogaritë publike për të gjitha vendet anëtare. Nga ana tjetër financat publike të vendeve anëtare të bashkimit monetar janë në kushte më të mira sesa ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe. Një tjetër pikë e rëndësishme janë edhe bankat europiane të cilat kanë dëshmuar se sidoqoftë i kanë rezistuar krizës dhe kanë mbledhur rreth 200 miliardë euro në kapitale të reja. Pra, edhe në këtë lloj analize Banka Qëndrore Europiane do të ishte padyshim optimiste. Nga ana tjetër vetë presidenti Mario Dragi ka deklaruar se progresi i realizuar në reformën e qeverisjes në nivel europian ka qenë “i jashtëzakonshëm”. Vlen të përmendet puna që po kryhet për të krijuar një sistem bankar unik që të jetë i monitorueshëm. Pikërisht për këtë arsye rregullat në fjalë do të formulohen më 1 janar të vitit 2013, ndërsa sistemi do të jetë operativ brenda 1 janarit të vitit 2014. Kësisoj, a mund të jetë i ligjshëm optimizmi i Bankës Qëndrore Europiane? Natyrisht nuk po flitet për një zgjidhje të shpejtë të krizës por sidoqoftë ka nisur ndërkaq bashkimi fiskal me rregullat e reja për disiplinën e bilancit. Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe deklarata që ka bërë disa ditë më parë Banka Qëndrore Europiane për blerjen e titujve shtetërorë të vendeve që mund të jënë në vështirësi. Për të gjitha këto, natyrisht nuk do të mjaftonte vetëm angazhimi i Bankës Qëndrore Europiane dhe i presidentit të saj Mario Dragi por siç është theksuar shpesh duhet që në të njëjtën kohë edhe politika por sidomos qeveritë europiane të kryejnë detyrat e tyre për të gjetur zgjidhje afatgjata. Në të njëjtën kohë edhe qeveritë e vendeve që kanë qenë në krizë duket se po punojnë vazhdimisht përkrah institucioneve europiane dhe jo vetëm përkrah tyre. Një ndër to është padyshim edhe qeveria e Mario Montit që shpeshehrë është përgëzuar për reformat që ka ndërmarrë në Itali. Padyshim që kriza europiane nuk i përket vetëm Europës por edhe ekonomisë globale në tërësi. Për këtë arsye edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë përkrah vendeve europiane në mënyrë që të ndihmojnë ato vende që kanë paraqitur vështirësi. “Vitin e fundit kemi punuar bashkë me qeverinë Monti për reformat ekonomike në Itali dhe gjetkë” – ka deklaruar përgjatë një takimi me ministrin e Jashtëm italian Hillari Klinton, duke vazhduar se: “Kemi qenë të inkurajuar nga lidershipi që ka shfaqur qeveria Monti dhe nga progreset e Italisë”. Ka qenë një takim dypalësh mes Ministrit të Jashtëm italian Xhulio Terci në Washington ku do të zhvillohet edhe festa e shoqatës më të madhe të italo - amerikanëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Klinton dhe Terci kanë dhënë dhe një konferencë për shtypi duke shpjeguar se dy vendet janë në të njëjtën linjë edhe në politikën ndërkombëtare. Hillari Klinton ka dashur të falënderojë Italinë për angazhimin e saj në Libi duke folur edhe për afërsitë që i lidhin në çështjet e Iranit dhe Sirisë. Ndërkaq kanë dashur që të deklarojnë se Washingtoni dhe Roma “do të përballojnë bashkë konjukturën aktuale dhe do të vazhdojnë që të rriten bashkë” si miq dhe aleatë. Italia do të gjejë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një partner të ngushtë ka deklaruar Sekretarja e Shtetit Klinton. “Italia është një partner i rëndësishëm” – ka shtuar Sekretarja e shtetit e cila ndërkaq ka qenë shumë entuziaste edhe për vitin e Kulturës Italiane në SHBA që do të zhvillohet në vitin e ardhshëm. Në fund Sekretarja e Shtetit ka thënë se ky eveniment: “do të forcojë edhe më tepër lidhjet, që do të jenë më mirë se kaq me siguri”.
...