Eldoradoja e historianëve tanë të të dy sistemeve
Përkundrejt historianëve tanë që gjatë këtyre 12 viteve të fundit janë shquar për një kontribut të vlefshëm në vendosjet e themeleve të shëndosha të një historiografie demokratike, kemi edhe një dorë historianësh nostalgjikë që kanë harruar prej kohësh se jemi në një sistem tjetër nga ai për të cilin iu qan zemra. Këta të fundit as që duan t’ia dinë se po përsëritin si papagaj gjithçka ka pas thënë ati i tyre shpirtëror, E. Hoxha. Njëri prej tyre, madjé, kishte vënë edhe foton e madhe të diktatorit në dikasterin në të cilin ishte titullar, pas asaj katrahurës së 1997-s, të cilin e kishte përshëndetur antidemokrati kosovar Rexhep Qosja, i përkëdheluri i të gjitha qarqeve enveriste në Shqipëri. Por edhe në Kosovë, si për ta ndëshkuar për zellin e shthurur enverist, i kishin dhënë vetëm 0,5 % të votave, domethënë pa asnjë deputet.
Veçse edhe ato kokrrat e tjera, propagandistë të një regjimi të perënduar (por jo në mendësinë e ruajtur brenda vetëdijes së tyre), kanë mbushur faqet e disa gazetave të ilustruara, me tituj të bujshëm, me gjendje financiare të bollshme, me shabllone të kohës së diktaturës: “Ahmet Zogu, tradhtar që u arratis në kohën e sulmit të pabesë të Musolinit”. “Ka shitur Shën Naumin”. “Vasal i Pasiçit”. “I ardhur në fuqi nga Jugosllavia me forca të Vrangelit dhe me forca ushtarake jugosllave”. “Kërkojnë të zbehin figurën e I. Qemalit me anë të glorifikimit të figurës së A. Zogut”. “Regjim tiranik”. Të gjitha këto, në një kor mashtrimesh të njëzëshme, nga zilia dhe mllefi, i përqendruar në: - Nëse i bëhet një përmendore A. Zogut I, përse të mos i bëhet përmendorja edhe Enver Hoxhës?
Nuk ka vend demokratik në Europën tonë , - por edhe në të gjithë rruzullin tokësor, me përjashtime sa gishtërinjtë e njërës dorë, - që të flasin me entuziazmin e këtyre të marrëve, si te né. Dy janë totalitarizmat në trajtim të historiografisë moderne: Totalitarizmi komunist dhe ai nazifashist. Së pari, këta megalomanët tanë, vetëm atë të dytin e kanë halë në sy. Atë të parin, totalitarizmin e kuq, atë të Stalinit, të Mao Ce Dunit, të Pol Potit... kanë interes ta quajnë tabù, ta lënë në harresë. Mbase nuk e dinë se ai i pari ka 100 mln viktima, përkundrejt 25 mln viktimave që ka ai totalitarizmi që këta pseudo-historianë do të dëshiroheshin të mbetej i paprekur. Përndryshe nuk do ta kishin atë mundësi, që ia kanë lejuar vetvetes, që ta zinin fare në gojë E. Hoxhën, që e quajti veten stalinist gjer në grahmat e fundit të jetës së tij (1985). Meqë te ne nuk u bë destalinizimi, siç u bë në të gjithë Europën, pas 1957-s dhe, sidomos, pas Kongresit XX të PK(b) të BS - që të mos përmendim kontinentet e tjera, - vetëm për të ruajtur karrigen e tij diktatori EH-a, lufta e klasave u ashpërsua edhe më tepër dhe mëkatarët u shtuan, u privilegjuan dhe u fuqizuan aq shumë sa statuja e diktatorit u rrëzua nga piedestali nga uragani popullor, por pati edhe një kontingjent të fuqishëm të enveristëve, që orvateshin t’ia vendosnin sërish shtatoren. Ndonjë i ndërliqur, një injorant bletërriturish, doli në arenën e medieve të indoktrinuara që t’ia bënte edhe prej floriri! Njerëzit me këmbët në tokë filluan edhe të gajaseshin së qeshuri, sipas asaj shprehjes “qesh se nuk qaj dot”! Por manipuluesi R. Alia, për këtë “mençurí” të Namikut, e bëri kryetar të Partisë ekologjike, ndonëse kryetari i riosh nuk e dinte fare se ç’kuptim kishte fjala “ekologji”!
Kështu u krijuan kushtet e volitshme që ta hapnin gojën sa një kamare ata që e kishin mësuar historinë nga Enveri, studenti mbetës i provimeve si bursist në universitetet e Francës . Por edhe pas rrëzimit të diktaturës së Enverit, atyre aty u kishte mbetur sahati. E tashmë në kushte të hatashme. Atëherë nuk e kundërshtonin dot as për ato budallallëqet që kishte thënë për atë Dum Babën fanatik të katundit Sharrë, Haxhi Qamilin! Kurse tani është bërë deti kos! Kanë gjetur parajsën tokësore, Eldoradon. Për atë “tradhtinë” e ikjes nga atdheu, a e kanë lexuar librin e Gunnar Riebs-it “Një princ në bregun e kaltër” , që të mësojnë se ç’e gjeti Mbretin Leopold, që nuk iku? Për Shën Naumin, i kanë lexuar traktativat e Mehdi Frashërit për shkëmbime territoresh në leverdinë tonë të jashtëzakonshme dhe jo për “falje” , siç i ka mësuar këta fanatikë E.H.-a? Për Pasiçin, a e kanë lexuar Aleksandër Lesonën dhe Françesko Jakomonin, që e diskreditojnë Çianon si një aventurier që tradhtoi vjehrrin e tij, Musolinin dhe e la të vé të bijën e këtij, Edën, se u pushkatu prapa krahësh, dhe nuk mundeshin ta shpëtonin nga ky turpërim as Musolini, as Eda? Dhe a e dini (u drejtohem atyre “historianëve) se Pasiçi, kur u ndanë pas kalimit të kufirit për në Shqipëri, e përcolli me fjalët: “Lamtumirë armiku im i ardhshëm?”. E dini se Vrangelistët ishin, vërtet, mikpritësit e Zogut kur erdhën nga Rusia në Shqipëri dhe ata iu bën krah për të rimarrë pushtetin, por jo, assesi, të kishte as edhe një këmbë jugosllavi që t’i vinin në ndihmë Zogut për rimarrjen e pushtetit të rrëzuar në turbullirat që shoqëruan vrasjen e Avni Rustemit? Për zbehjen e figurës së I. Qemalit, a e keni lexuar librin e Darling Vlorës për I.Qemalin (botim 1997) ku tregohet sesi E. Hoxha e denigroi të gjithë farefisninë e Plakut të Vlorës, duke folur në vetë të parë, se edhe ai vetë, Darlingu, ishte i përndjekur nga ai regjim? Për glorifikimin keni gabuar adresë. Nuk keni qenë në gjendje të përmendni me emër se cili ka qenë glorifikuesi i Zogut, ndërsa për glorifikimin e Enverit tuaj, gjer në “marrsh nga ditët tona” mund të jepen me mijëra shembuj? Mos do të thoni se Enveri nuk ka qenë i përfshirë nga kulti i individit?
Për krimet e Enverit mund të shkruhen vëllime të tëra. Më shumë të pafajshëm sesa fajtorë. Bëri kërdinë ndër familjet e të arratisurve, që i çoi në kampet e vdekjes, sipas kanuneve të luftës së klasave. Nuk mjaftuan “reaksionarët”. Iu përvesh edhe oficerëve madhorë, anëtarëve të K.Q., madje edhe të B. Politike. Asnjëri prej tyre nuk ka bërë komplot kundër personit të E.H.-s. Kjo është vërtetuar, tashmë. Ishin halucinacionet e Enverit, që e bënin të dyshonte te të gjithë.
Sikur Zogu të kishte mendjen e Enverit dhe anasjellas, do të kishim shpëtuar nga një tiran, si Enveri. Ky përdorte fjalën “tiran” ndaj Zogut, me shpresë se do të mbulonte tiraninë e tij, të krahasueshme me atë të Stalinit dhe të Pol Potit. Sa gjyqe politike ka bërë Zogu? Vetëm një, atë të komunistëve Q. Stafa, Z. Mala e të tjerë. Me ç’dënime? 2-4 vjet. Edhe këta u liruan, që të mos binin në dorë të fashistëve, në vigjilje të 7 prillit. Në gjyqin e Fierit, të gjithë të dënuarit me vdekje u falën, me përjashtim të disa ushtarakëve që kishin bërë betimin. Të tjerët dolën fare nga burgu, pas një viti.
Pyesim endé këta pseudohistorianë: A keni gjetur ndonjë dokument në të cilin A.Zogu I të dekretonte: “Të kapet, të torturohet, pastaj të vritet” (E kemi fjalën për LL. Fundon, që kishte ngrënë burg më shumë se të tjerët në Ventotene dhe, pastaj, kishte luftuar okupatorin në formacionet e kryezinjve, në Kosovë). Asnjë fakt bashkëpunimi. Sikundër edhe pabesia ndaj Muharrem Bajraktarit. Manush Myftiu kishte deklaruar se ishte dërguar me njësitet e tij për ta vrarë, por Muharremin e gjeti që luftonte kundër gjermanëve. E ndjente veten të dëshpëruar në misionin e ngarkuar nga Enveri, se nuk mundi ta vriste dot M. Bajraktarin! Kush ishte terrorist, pra?
***
Ndër krimet e panumërta të diktaturës së E. H.-s, do të dëshiroja të përmendja, me disa citime, edhe njërën që më duket origjinale: Realizimin e krimeve të diktaturës së Enverit me duart e vetë popullit, nën etiketimin e “vijës së masave”. Le të shohim si e analizon Luan Myftiu i gazetës sonë, këtë subjekt interesant: “Meqë diktaturat nuk jetojnë dot pa sajuar armiq imagjinarë, ata do të izoloheshin shpejt, nëse do t’i godisnin vetë njerëzit e pafajshëm dhe nëse nuk do t’ia linin sovranit “kopilin” në derë. Ndërsa populli, për t’i shpëtuar disi terrorit, shtirej sikur nuk e kuptonte këtë “kurth” ndaj tij. Kështu tirani qetësohej duke realizuar devizën “të gjithë kundër të gjithëve”; kurse populli, duke u armiqësuar kështu brenda vetes, bëhej më pak i rrezikshëm për diktaturën... Duke i katandisur qytetarët në “fundërrína”, duke i asgjësuar, pra, ata moralisht, diktatura ndihej e qetë. Vetëm me njerëz pa personalitet ajo i bënte kundërshtarët e saj të parrezikshëm për veten . Kështu ajo e krijoi “unitetin” pervers parti-popull (...) duke krijuar armiqësimin e popullit me veten Me kameleonë e kllounë, me njerëz pa personalitet, diktatori dhe diktatura i detyruan njerëzit t’i duartrokitnin, edhe kur e dinin që do t’u vinte një ditë radha edhe këtyre”.
Ja, pra, ç’ishte “vija e masave” e Enver Hoxhës. Po japim edhe aktualizimin e kësaj përsiatjeje të përçapjeve për bashkautorë në krim, siç ishte rasti i disa ish-të përndjekurve, që ranë në kurthin e atyre që nuk u ofrohen për asgjë dhe kërkojnë nga “mirëbesuesit” t’u vijnë në ndihmë për ligësitë e korruptuesve. Theksojmë, ndërkaq, se kjo nuk hyn në kategorinë e citimeve. Tani citojmë sërish: “(Në metoda të tilla) ata të sotmit pengojnë edhe integrimin e Shqipërísë në BE duke sajuar pengesa me anë problemesh dytësore! Mirëpo harrojnë që edhe ajo filozofia e tyre e bashkautorësísë në krim e përmban brenda vetes bumerangun e pashmangshëm! Prandaj trashëgimtarët e këtyre teorive kriminale nuk kanë të ardhme, sado të përpiqen ta bëjnë popullin ortak në shpifjet, intrigat, mohimet, bojkotet dhe bllokimet e tyre antishqiptare”.