E Diel, 1 Nëntor 2026

Eliminimi i Hakiut acaron fansat kosovarë



Eliminimi i Hakiut, konkurrentit 34-vjeçar nga Prishtina, ka acaruar gjatë kësaj jave fansat nga Kosova, shumica prej të cilëve e shihnin atë si fitues. Ndërkohë që Hakiu vazhdon të qëndrojë në Tiranë, i dëshpëruar dhe i zhgënjyer, fansat e tij kanë shpërthyer në sharje dhe fjalë fyese në forume, duke u shprehur se kanë humbur besimin te transparenca e këtij show. Në komentet e tyre thuhet se “dalja e tij është bërë e qëllimtë, për t’i krijuar një mundësi fitoreje kundërshtarit të tij më të fortë brenda shtëpisë, Jetmirit”. Një komunikim të ashpër dhe fyes ka pasur mes fansave nga Vlora dhe ato nga Prishtina, të cilët kanë mbrojtur përfaqësuesit e tyre. Sipas fansave nga Vlora, Hakiu është personazh VIP në Kosovë dhe për këtë arsye nuk duhet të konkurronte me njerëz të thjeshtë. E kanë cilësuar edhe si të pabesë, dhe jo origjinal në lojë. Forumistët e kanë konsideruar eliminimin e tij me votim të shpejtë si të padrejtë, duke u shprehur se nuk besojnë më në këtë reality show. Ndërkohë nuk dihet se cili do të jetë angazhimi i Hakiut në këtë televizion, pasi ai para se të hynte në “Big Brother” ka shprehur se ëndrra e tij ka qenë të bënte një emision në “Top Channel”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›