E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eliminohet Kampioni

Kampioni i Botës, Italia, është eliminuar në mënyrë të turpshme nga Kampionati botëror. Azzurrët i befasoi autsajderi Sllovakia, që ia doli të triumfojë në këtë përballje (3:2) e cila pati përfundim dramatik.

Sllovakia, e cila do të vazhdojë garën, më mirë e nisi takimin dhe dominoi përballë italianëve në posedim të topit. Si rrjedhojë e kësaj, sllovakët pjesën e parë të ndeshjes e përmbyllën në favor të tyre me rezultat 1:0. Këtë gol e shënoi Robert Vittek në minutën e 25-të të takimit.

Gjatë kësaj pjesë-loje sllovakët i kanë pasur edhe tri raste tjera të mira shënimi nëpërmjet Marek Hamsikut, Zdeno Strbas dhe Juraj Kucka. Kurse, Italia shumë lehtë ka mundur ta barazojë rezultatin në minutat shtesë të pjesës së parë, kur mbrojtësi sllovak, Martin Skrtel për pak sa nuk shënoi autogol me kokë.

Italia në pjesën e dytë luajti më mirë sesa në periudhën e parë të ndeshjes, duke sulmuar më tepër. Kështu, në minutën e 55-të Vincenzo Iaquinta doli përballë portierit sllovak, por gjuajti jashtë portës.

Në minutën e 66-të, Fabio Quagliarella gjuajti fuqishëm, por topin nga vija e fundit e portës e largoi mbrojtësi sllovak Skrtel, duke evituar me këtë rast gol të sigurt. Madje, me këtë rast dukej se topi veç kishte kaluar vijën e fundit, por kështu nuk menduan edhe gjyqtarët e ndeshjes.

Sllovakia në minutën e 73-të i solli kokëçarje Italisë, pasi e shtoi epërsinë e saj në 2:0 me golin që e shënoi Vittek. Por, italianët nuk u dorëzuan dhe ia dolën ta ngushtojnë epërsinë e ekipit kundërshtar në 2:1 në minutën e 81-të me golin që e shënoi Antonio di Natale. Nga ky moment ndeshja ishte jashtëzakonisht interesante, sepse Italia kërkonte ta shënojë golin e barazimit, i cili edhe do ta kualifikonte nga faza e grupeve.

Di Natale shënoi më pas edhe një gol, por u anulua nga gjyqtarët me arsyetimin se goli u shënua nga pozita jashtë loje. Kur as nuk pritej se sllovakët do të shënojnë gol sërish, Kamil Kopunek me të hyrë në ndeshje shënoi për rezultat 3:1.

Megjithatë, Italia shënoi edhe një gol në minutën e dytë të lojës shtesë, për rezultat 3:2. Këto gol të bukur e realizoi Fabio Quagliarella. Loja u shty shtatë minuta shkaku i ndërprerjeve të shumta, kryesisht stimulimeve të futbollistëve sllovakë, me qëllim të përfitimit në kohë, sepse Italia nuk ndalej të sulmuari.

Rastin e fundit e pati Simone Pepe, por gjuajtja e tij shkoi jashtë portës dhe ndeshja përfundoi me rezultat 3:2 në favor të Sllovakisë.

Duhet theksuar se mbrojtja italiane edhe në këtë takim, sikurse dy ndeshjet e tjera të mëparshme, nuk ishte në nivel të detyrës, derisa në të kaluarën italianët ishin shembull për mbrojtje të fortë.

Italianët që përfunduan në vendin e fundit në Grupi F, mund të kthehen në shtëpi, të hanë Pizza Ciao dhe ta ndjekin vazhdimin e Botërorit në televizion.

Ndërsa në takimin tjetër, Paraguait i mjaftoi edhe një barazim në ndeshjen e fundit në kuadër të fazës së grupeve për kualifikim. Paraguai të enjten është takuar me Zelandën e Re, ndeshje kjo që përfundoi me rezultat 0:0. Mirëpo, Paraguai ka mundur edhe të fitojë në këtë takim, sepse përveç që ka dominuar në posedim të topit, ka pasur edhe disa raste të mira shënimi.

Grupi F
Sllovakia – Italia 3:2
Paraguai – Zelanda e Re 0:0

Tabela
Paraguai 3 5
Sllovakia 3 4
Zelanda e Re 3 3
Italia 3 2

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›