Elis Bakaj: Nuk jam kundër të huajveMesfushori sulmues: “Dinamo ka më shumë shanse për titullin me lojtarë shqiptarë”. Futbollisti: Kuli? Do çuditeni nëse unë ju them se tani ai është shoku im më I mirë dhe se me të më hahet muhabeti

Në klubin Dinamo duket se ritmi, edhe pse në një kohë kaq të nxehtë vere, nuk pushon thuajse kurrë. Kështu, pas një blerjeje në një tjetër, skuadra e Muçës, e cila tashmë pret me padurim shortin e Ligës Europiane, duket se ka marrë një formë, të cilën pritet që ta konturojë në ndeshjet europiane, e më pas sigurisht edhe në kampionatin e ardhshëm. Madje vetë futbollisti I bluve, Elis Bakaj e pranon një gjë të tillë, kur thotë se blutë tani do të jenë shumë më të fortë, duke qenë se, jo vetëm nuk është larguar njeri nga skuadra që ka përfunduar kampionatin sezonin e kaluar. Por, sepse kanë ardhur edhe tre lojtarë të tjerë, si Kuli, Vrapi dhe Fagu, apo edhe të tjerë që pritet të vijnë. Për Bakajn është shumë e rëndësishme që në skuadër të vijnë sa më shumë futbollistë shqiptarë, në mënyrë që të njohin lojën e njëri-tjetrit dhe të bëjnë më shumë për skuadrën. Pra, për Elisin, ai nuk I ka me qejf shumë të huajt, të cilët, sipas tij, nuk janë aq cilësorë sa ç’duhet. “Ju e patë në kombëtare se ç’dinë të bëjnë lojtarët shqiptarë. Dhe sigurisht që janë më të mirë sesa lojtarët e huaj që ne pretendojmë se janë të mirë”, ka thënë Bakaj. Ai ka folur edhe për Kulin, I cili, sipas Bakajt, është një nga lojtarët më të mirë në Shqipëri dhe se ai tashmë është një nga shokët e tij më të mirë. “Ju mund të mos besoni, por unë rri me të gjithë kohën. Madje është I vetmi tek Dinamo, me të cilin më hahet muhabeti”, ka sqaruar Bakaj…
- Një kampionat I përfunduar, ndoshta jo në mënyrën më të mirë. A mund të shkonte Dinamo më shumë se vendi I tretë?
- Nëse po flisni për të qenë kampionë, mendoj se kjo do të ishte realisht paksa e vështirë. Por, kur shikon ndeshjet e fundit mendon se, nëse nuk do të kishim humbur me Teutën, sigurisht që ndoshta sot mund të ishim edhe nënkampionë të Shqipërisë. Pra, mund të përfundonim kampionatin të dytët dhe të linim poshtë Vllazninë. Megjithatë, tani kjo ka përfunduar dhe ne po përgatitemi për sezonin e ri.
- Asnjë largim, të paktën deri tani dhe përforcime. Dinamo më e fortë sezonin e ardhshëm?
- Sigurisht që po. Në momentin që nuk largohet askush nga ata që e përfunduan kampionatin me ne dhe klubi merr lojtarë të tjerë, pra përforcohet, atëherë sigurisht që do të jetë më e fortë sezonin e ardhshëm. Megjithatë, objektivi I Dinamos nuk është një gjë që nuk dihet. Ai në çdo fillim sezoni është marrja e kampionatit dhe e kupës së Shqipërisë. Tjetër gjë është më pas, nëse ky objektiv arrihet, apo jo.
- Vrapi, Kuli dhe Fagu, ju “ngrohin”?
- Unë mendoj se janë lojtarë shumë të mirë, aq më tepër që janë lojtarë shqiptarë dhe e njohin kampionatin, mendoj se janë zgjedhjet e duhura. Pra, unë mendoj se me sa më shumë lojtarë shqiptarë në skuadër dhe të rinj në moshë, Dinamo do të jetë një superfuqi e kampionatit shqiptar.
- Kjo do të thotë se të huajt nuk hyjnë në preferencat tuaja?
- Nuk kam gjë kundër tyre. Por, të jemi realistë. Deri tani të huajt që kanë ardhur në Shqipëri nuk kanë qenë në gradën e pritur dhe nuk kanë dhënë atë që duhet të jepnin. Ju e patë në përfaqësuese se çjanë në gjendje të bëjnë lojtarët shqiptarë. Dhe ata nuk janë më shumë se 21 vjeç.
- Kjo do të thotë që edhe të huajt e Dinamos nuk kanë qenë në nivelin e pritur?
- Nëse do të kishin qenë, atëherë mendoj se ne do të arritur të fitonim diçka, apo jo. Pra, mendoj se nuk janë lojtarët më të këqinj, por ka shqiptarë shumë më të mirë, të cilët dinë dhe duan të japin më shumë në fushë.
- Duke kaluar tek kombëtarja, Bakaj I grumbulluar me Kuzhen, por I paaktivizuar asnjëherë…
- Në fakt, t’ju them të vërtetën, unë prisja që të luaja, të paktën në ndeshjen me Gjeorgjinë. Kam zhvilluar stërvitje si çdo lojtar tjetër dhe nuk isha I ri në përfaqësuese, sepse isha grumbulluar edhe nga Ari Han më parë. Megjithatë, këto janë gjëra që tashmë I takojnë trajnerit e jo mua. Mua më erdhi keq që nuk luajta dhe kaq. Të tjerat I di trajneri.
- Jemi në kohë merkatoje…
- Por unë kam një kontratë edhe për dy sezone me Dinamon…
- Por ju keni thënë gjithnjë se për ndonjë ofertë nga jashtë do të mendoheshit, apo s’është e vërtetë?
- Po, është shumë e vërtetë. Por, deri tani s’më ka ardhur asnjë ofertë nga jashtë nga ato që unë prisja. Dhe unë nuk është se jam keq këtu, apo jo. Kur të më vijë ajo ofertë që unë mendoj se ia vlen, atëherë do të bisedoj me klubin tim.
Intervistoi: Gjergji Cicani
Bakaj për…
… të huajt
“Nuk është se jam kundër tyre. Por, realisht mendoj se ata që vijnë këtu, ose shumica e tyre, nuk janë ata që ne të gjithë presim. Madje disa nuk janë as në nivelin e lojtarëve shqiptarë, të cilëve u zënë vendin në skuadër. Nëse do të shikoni maksimumi I një skuadre duhet të jetë një ose dy lojtarë të huaj cilësorë, siç ka ndodhur me skuadrat shqiptare që kanë dalë kampionë në këto sezone”.
… merkaton
“Realisht mendoj se Dinamo ka bërë zgjedhjet e duhura tek përforcimet. Pra, qoftë Kuli, Vrapi, apo edhe Fagu janë lojtarë shumë të mirë dhe janë futbollistë, të cilët e njohin kampionatin shqiptar. Ata do të jenë shumë të vlefshëm për skuadrën”.
… kombëtaren
“Në fakt unë prisja që të luaja të paktën në ndeshjen me Gjeorgjinë. Por, nuk e di se çfarë ka menduar trajneri në lidhje me këtë. Nuk jam nga ata që bëj polemika. Megjithatë, kjo nuk është puna ime. Unë kam për detyrë të bëj më të mirën në momentin kur thërritem “nën armë”.
E Premte, 19 Qershor 2009