Jurika Puljiz firmos me Flamurtarin Mbrojtësi kroat ka luajtur te Ejntrahti i Frankfurtit, bashkë me dy vlonjatet, Geri Cipi dhe Ervin Skela

ARTUR DEMAJ - E bujshme. Mbrojtësi kroat, Jurika Puljiz, është blerja e re e Flamurtarit. Lajmi bëhet i ditur për “Panorama Sport” nga burime zyrtare në klubin vlonjat. Me një karrierë të pasur, që shënon kulmin në sezonet 2003-2006, tek klubi gjerman, Ejntraht i Frankfurtit, Puljiz, aktualisht 29 vjeç, i bashkohet kuqezinjve edhe për një motiv tjetër. Në sezonin 2003-2004 ka luajtur te Frankfurti bashkë me vlonjatët Ervin Skela e Geri Çipi, teksa ky i fundit tashmë është shefi i klubit të Flamurtarit. Kjo duket se ka ndikuar në vendimin e tij për të qenë pjesë e Flamurtarit në sezonin e ardhshëm. Mësohet se mbrojtësi Puljiz do të shkojë direkt në Ohër, këto ditë, për t’u prezantuar si lojtari i ri i kuqezinjve. Nga klubi nuk bëhen të ditura shifrat e kësaj kontrate, e cila duket se është mbyllur ditë më parë nga drejtuesit. Gjithsesi, një gjë është e sigurt: Puljiz ka shumë eksperiencë dhe ndoshta për sa i përket CV-së së tij, është një nga të huajt më të njohur që vjen në Shqipëri. Kjo lëvizje e bujshme e Flamurtarit vjen në kohën e duhur. Pasi dështoi mbrojtësi brazilian, Rikardo Façin, kroati duket si zgjedhja më e mirë e momentit, nisur edhe nga eksperienca që ai ka, meqenëse ka luajtur edhe në Bundesligë. Ndërkohë, në sezonin e fundit ka qenë pjesë e ekipit boshnjak, Zrinjski Mostar.
Karriera
Jurika Puljiz ka lindur më 13 dhjetor të vitit 1979. Karriera e tij me një skuadër profesioniste nisi në korrik të vitit 1998, pikërisht me Hajdukun e Splitit në Kroaci. Këtu mbrojtësi qëndroi deri në vitin 2002, kur dhe shkoi për të luajtur në një sezon me Shibenikun, po në kampionatin kroat. Ndërsa në verën e vitit 2003, ai nënshkroi një kontratë trevjeçare me klubin gjerman Ejntraht Frankfurt, ku kampionatin e parë u aktivizua në 15 ndeshje dhe shënoi një gol. Këtu luajti për tri sezone dhe më pas kaloi te Shiroki i Brijegut në Bosnje-Hercegovinë. Më tej, për një periudhë gjashtë mujore në vitin 2007, Puljiz u aktivizua te Altahu në kampionatin austriak. Paskëtaj luajti një sezon te Zoria Lugans në Ukrainë, për t’u rikthyer në Bosnjë me Zrinjskin. Ky është klubi i fundit ku kroati ka luajtur, teksa pas përfundimit të kampionatit ishte një lojtar i lirë.
Ndikimi i dy ish-lojtarëve të Frankfurtit
Në sezonin 2003-2004, mbrojtësi kroat Jurika Puljiz dhe dy vlonjatët, Ervin Skela e Geri Çipi, bënin pjesë në të njëjtën skuadër, pikërisht te Ejntrahti i Frankfurtit. Ndikimi që kanë pasur këta të fundit për ardhjen e Puljzit në Vlorë është pa dyshim i madh. Me kroatin, përveçse shok skuadre, mësohet se shefi i klubit të Flamurtarit, Geri Çipi, kishte një miqësi të madhe, e cila vazhdon të ruhet edhe sot. Ka qenë pikërisht Çipi, ai që i ka mbushur mendjen kroatit. Te Frankfurti, ata kanë luajtur të dy në mbrojtje, ndërkohë që Skela në atë sezon ka qenë ndër lojtarët më të mirë. Puljiz te Frankurti është shquar për daljet në sulm.
7 skuadra
është aktivizuar deri më tani mbrojtësi kroat, Jurika Puljiz. E filloi te Hajduku i Splitit, e më pas te Shibeniku, Ejtntrahti i Frankfurtit, Shirkoi Brijeg, Altahu, Zoria Lugans dhe Zrinjski Mostar.
Tre të rinj i bashkohen ekipit
Tre lojtarë ka piketuar stafi teknik i Flamurtarit, nga ekipi i të rinjve, për të zhvilluar me të rriturit fazën përgatitore në Ohër të Maqedonisë. Janë pikërisht dy sulmuesit Shabani dhe Gjondeda, e gjithashtu mesfushori Shakaj. Të rinjtë e drejtuar nga Ardi Behari ishin në ankth për përzgjedhjen, por dje më në fund e mësuan se kush do t’i bashkohej ekipit të parë.
Reportazh
Kuqezinjtë lënë Vlorën
Flamurtari është një ndër skuadrat e para të Superligës që ka nisur herët fazën përgatitore. Dje në orën 9:00, grupi kuqezi është nisur drejt Ohrit, për të filluar përgatitjet në kuadër të ndeshjeve të vlefshme për Ligën e Evropës. Kjo fazë për vlonjatët ka shumë rëndësi. Lojtarët e grupit kuqezi kanë qenë të parët që kanë shfaqur korrektësi ndaj periudhës përgatitore, duke u gjendur shumë herët përpara stadiumit “Flamurtari”, ku ishte edhe pika e nisjes drejt Maqedonisë. Por kjo korrektësi ka shoqëruar përgatitjet e vlonjatëve, që nga dita që nisi stërvitja e parë. Klubi ka bërë një punë të mirë nxitëse në momentin e fillimit të përgatitjeve, duke u paguar lojtarëve bonuset e prapambetura e gjithashtu, këstet e kontratave të reja. Nuk janë vetëm lojtarët, ata që janë shfaqur të gatshëm, por edhe njerëzit e Flamurtarit, të cilët kanë nisur punën herët, duke grumbulluar pasaportat dhe afruar bazën materiale, e cila ngarkohej në një autobus të ri dhe me kapacitet më të madh se ai ekzistues. Stafi mjekësor është ai më i koordinuari, një mjek, një ndihmësmjek dhe një fizioterapist, të cilët udhëtojnë me Flamurtarin gjatë kësaj faze përgatitore, të kompletuar me uniformat e reja të skuadrës. Ky staf udhëhiqej nga përgatitësi i atletikës, Theodhdori Rama, ndërkohë që trajneri Eqerem Memushi do të arrinte grupin rrugës, sepse gjendej në Tiranë. Rama që ka përgatitur edhe planin përgatitor është marrë në një farë mënyre edhe me listën e lojtarëve që udhëtonin me Flamurtarin, madje deri te pasaportat e tyre. Zëvendëstrajnerët Gjondeda e Birçe, dukej sikur ishin nën urdhrat e Ramës. Birçe, më i “rebeluari” refuzoi të veshë uniformën e re, gjë që imponoi batuta.
A.Demaj
Lojtarët që udhëtuan
Portierë: Halili, Xhelili.
Mbrojtës: Beqiri, Guga, Begaj, Veliu, Myrtaj.
Mesfushorë: Kuqi, Strati, Merxha, Xhunior, A.Çaushi, Serjani, Zeqiri, Shakaj.
Sulmues: Mema, Ngjela, Roshi, Shabani, Gjondeda.
3 lojtarë
të Flamurtarit nuk kanë udhëtuar dje me ekipin drejt Ohrit, për shkak
të angazhimit me ekipin olimpik, që do të përfaqësohet në lojërat
mesdhetare në Peskara. Ata janë Shehaj, Galica dhe Moçka.
E Enjte, 18 Qershor 2009