Ellis: Nuk mendoj se ndarja është hequr nga tryeza

“Mendoj, se fatkeqësisht ekziston rrezik i theksuar për ndarje. Dhe them fatkeqësisht sepse mendoj se shteti i unifikuar, me veriun e integruar është gjëja më e mirë për vendin. Por, fakt është se kur shikoni shumicën e serbëve në pjesën veriore, ata thjesht refuzojnë qeverisjen e Prishtinës”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mark Ellis, analist ndërkombëtar, njëherësh, drejtor i Asociacionit Ndërkombëtar të Avokatëve.
"Ata qeverisin vetë. Mendoj se kjo është problematike dhe nuk është një përqindje e vogël, por një masë dominuese e serbëve në veri që ndjehen në këtë mënyrë dhe kjo sugjeron se atje do te ketë mungesë të unitetit shoqëror, mungesë stabiliteti dhe kjo ndodh në shumë zona konflikti, në mjediset e pas konfliktit dhe është joreale të mendohet, bazuar në historinë rajonale, në historinë e Kosovës, të Serbisë, se këto probleme do zgjidhen brenda nate. Mendoj se do të duhet gjenerata për t’i zgjidhur tërësisht. Nuk mendoj se ndarja është hequr nga tryeza. Unë do të preferoja që të ketë një unitet social, por historia e rajonit sugjeron se kjo është vështirë e arritshme", theksoi ai.