Elva që vesh arrëthyesin
Një paradite për provën finale të "Arrëthyesi" në skenën e TOB, me Elva Bellën, vajza që ka ideuar dhe realizuar 120 kostumet e veprës së Çajkovskit. Krijuesja e lirë e ngjyrave dhe formave, nuk ndrydhet edhe nga rregulli i veshjeve klasike të 800-s. Premiera sonte, ora 19.00, me koreografi dhe regji të Ilir Kernit
Zgjodhëm të shkëputnim një ditë nga puna e Elva Bellës, jo për arsyen e vetme që ka qepur 120 kostume me dorën e saj, por të shtyrë edhe nga kureshtja e realizimit të parë të plotë të "Arrëthyesit", një balet i konceptuar nga koreografi i talentuar Ilir Kerni. Në shkallët e Teatrit të Operës dhe Baletit, në korridore, gardërobë, dhoma të veçanta, gjithkund, shpejtojnë për t'u veshur, ndërruar, për të realizuar më mirë një piruetë, a një frymëmarrje të gjatë mbi puante, solistë të trupës së baletit dhe balerinë të Shkollës së Mesme Koreografike, që ngjiten në skenë sonte, ora 19.00.
Një armatë energjike balerinësh, ky duket si kusht i parë që baleti i Çajkovskit, i realizuar më 1892, i vë një Teatri. Tek fytyrat e qeshura të më të vegjëlve sheh që Ernst Hoffman i ka bërë për vete me tregimin e "Arrëthyesit", ka ardhur papritur në botën e tyre një natë Krishtlindjesh, për t'u shpërndarë dhurata, për t'u plotësuar një dëshirë, a një ëndërr. Ky balet, që në teatro të botës është traditë e Festës së Krishtlindjeve, i ka veshur një atmosferë tjetër skenës së TKOB-së, kur sheh veshjet e qepura enkas, skenografinë që krijon imazhe e nuk të detyron të përfytyrosh, por edhe entuziazmin në fytyrat e të rinjve që prekin skenën dhe dëgjojnë mësimet koreografike të Kernit. Në skenë janë kaq ndryshe, të vëmendshëm e të përmbajtur, krahasuar me ngutnin që shfaqin në gardërobë, ndërsa i kërkojnë kostumografes ta ngushtojë apo zgjerojnë pak krahun e xhaketës, t'i bëj një brez tjetër fustanit që pengon realizimin e piruetës, apo një zbukurim kostumi me fjongo e lule.
Elva nuk duket e bezdisur, i është kthyer në rutinë e përditshmja, bashkë me refrenin zhurmues të makinave qepëse. E rëndësishme është të ndihen mirë me veshjet e tyre dhe shfaqjes mos t'i mungojë gjë. Në morinë e veshjeve është vështirë të zgjedhësh atë që ka marrë më shumë kohën e saj, por ajo na e thjeshton punën kur tregon se "Kostumet e solistëve kanë dashur pak më shumë kujdes. Aty shikon edhe detajet, edhe fjongot, apo lulet që duhet të jenë në vendin e duhur. Për balerinat e Valseve, që janë mbi 12 vajza në secilin prej tyre, është dashur një volum pune në seri". Kështu fustani bojëqielli i Klarës, e kuqja dhe e zeza e ndritshme në mantelin e magjistarit Droselmajer, veshja ushtarake e Arrëthyesit që në ëndrrën e Klarës kthehet në princ, kanë pasur më shumë nevojë për idetë dhe punën krijuese të saj.
Përveç muzikës dhe regjisë të Kernit, gjallërinë baletit ia shtojnë Valsi i Luleve, Flokëve të Borës dhe vallet spanjolle, arabe, kineze, ruse, ku në këtë rast Bella ka qenë e çliruar nga idetë e veçanta për secilin kostum dhe e ndihmuar nga uniformiteti i balerinave në grup. Detyra e saj ka qenë përshtatshmëria e ngjyrave të kostumeve me ato të skeonografisë së kroatit Zorz Drausnik dhe komoditeti që ato duhet t'i lejonin lëvizjeve, e udhëhequr në këtë rast nga shpjegimet e Kernit. "Bëra një skicë të këtyre kostumeve, u diskutua për të, u aprovua nga Teatri i Operës dhe Baletit dhe më pas u vendos për ngjyrat me skenografin dhe koreografin. Në momentin që skenografia vendos ngjyrat dhe ndriçimin, unë bëj ndryshime", shprehet Elva Bella, e ndjerë mirë në këtë bashkëpunim të parë në Teatrin e Operës, edhe pse ndryshe nga aktiviteti i përditshëm i saj, në një televizion.
Por, ndryshe nga veshja e njerëzve për ekranin, në Teatrin e Operës ideimi i një veshjeje nuk nis nga asgjëja, pasi karakteri i personazheve, një element me rëndësi në këtë punë, është i përvijuar qartë nga autori i tyre. Veshja e tyre kthehet në lojë të bukur krijuese. Kështu ka ndodhur edhe me "Arrëthyesin", krijim i viteve të fundit të 1800-s. Bella nuk i ka qëndruar besnike veshjeve të kohës, duke përdorur pantallonat deri tek gjuri për personazhet meshkuj dhe fustanet me kosha për ato femërore. Me "desha t'i ngacmoja pak, jo të kopjoja", na e qartëson më tepër imazhin për vetveten, një krijuese kostumesh që ka nevojë për lirinë e ngjyrave, formave, dhe nuk e ndrydh dot as rregulli i klasikes. "Nuk jam tek klasikja tipike. Jam pak rebele, nuk dua rregullin. Dua që përpara një veshjeje, të lodhesh tek ajo që shikon, të mos dish nga fillon e ku mbaron. Kur them ngatërrim, nënkuptoj ngjyrën dhe formën."
E ndikuar fillimisht nga modelet Dolce&Gabbana dhe Dior, tanimë Elva ka krijuar një stil të vetin dhe ndihet e sigurt kur përgatit një veshje. Tri janë pyetjet që bën përpara se të ulet të punojë: Çfarë karakteri ka personi?, Ku do shkojë? Çfarë do të bëjë? Vetë praktika e punës e ka bërë të aftë të kuptojë shumë nga karakteri i atij që ka përballë.
"Ndoshta me dy fjalë mund ta kuptoj veshjen që i përshtatet", thotë ajo.
Kostumografja ka punuar një muaj në gardërobën e Teatrit të Operës për këtë shfaqje, një kohë jo e mjaftueshme për përgatitjen e 120 kostumeve që balerinët do të veshin në pesë net. Dy ditë përpara premierës, ulur në sallë në rolin e spektatores, kundron punën e saj dhe i kap syri ndryshimet e vogla që duhet të bëjë.
Gjatë kësaj bisede jo më kot nuk e pyetëm "Si ndihet?". Ndoshta tani, kur puna është vënë përpara, mund të marrim përgjigjen e duhur: "Fundi është gjithmonë i lumtur, "Happy end". Sot që po e shoh shfaqjen në skenë ndihem mirë, po fillon të më bjerë ankthi dhe jam më e qetë", e përfundon fjalën dhe bisedën Elva Bella.
Më 13, 14, 16, 18 dhe 19 dhjetor, ora 19.00, në skenën e Teatrit të Operës interpretojnë Ilir Kerni, Sokol Zhugri (Droselmajer), Ledia Sulaj (Klara), Eno Birko (Babai), Alisa Gjoni (Nëna), Elton Merja (Fritz), Antonio Duka (Arrëthyesi), Graciano Tagani (Arkelin), Isida Mollaymeri (Kolumbina), Evis Nallbani, Dion Gjinika, Fatjon Lito (shokët) dhe solistet: Greta Hushi, Jonida Onuzi, Rovena Shqevi, Elona Dervishi, Anxhela Muçollari, Enada Hoxha etj.. Drejtues i Orkestrës Simfonike të TKOB-së: Petrika Afezolli.