Ligj për të sekuestruar "financat" e bizneseve
Qeveria ka vendosur sekuestrimin e dokumenteve dhe pajisjet e financave të kompanive që dyshohen për evazion
TIRANË- Mosarritja e objektivit për arkëtimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit gjatë këtij viti por edhe dështimi për pajisjen e bizneseve me kasa fiskale detyron qeverinë që të shtrëngojë edhe më tej procedurat e vjeljes së detyrimeve prej tyre. Këshilli i Ministrave propozoi ndryshimin e disa neneve të ligjit "Për procedurat Tatimore" duke rritur në mënyrë të ndjeshme nivelin e gjobave për çdo rast i cili do të cilësohet si shkelje. Njëkohësisht, ekzekutivi do t'i njohë të drejtën punonjësve të tatimeve të ndërhyjnë nëpër zyra duke sekuestruar të gjithë dokumentacionin, pajisjet kompjuterike dhe ato fiskale nëse dyshojnë se një subjekt i shmanget detyrimeve ndaj shtetit.
"Në rast se organet tatimore kanë të dhëna të besueshme se tatimpaguesi fsheh informacione për gjendjen e tij ekonomike-financiare, organet tatimore kanë të drejtë t'ia sekuestrojnë dokumentacionin, pajisjet, kompjuterike dhe fiskale, dhe mjete të tjera të mbajtjes së dokumentacionit të tatimpaguesit në mjediset e ushtrimit të veprimtarisë së tij", - sanksionohet në ligj. Ky sanksionim kaq "liberal" i jep të drejtë tatimorëve të zbarkojnë në zyrat e çdo biznesi që dëshiron qeveria dhe të sekuestrojnë të gjithë kompjuterët e financës duke pezulluar pa afat aktivitetin e kompanive.
Sipas ligjit aktual, nëse një biznes nuk e ka vendosur kasën fiskale gjobitet nga 20 mijë deri në 100 mijë lekë. Ndërsa, me ndryshimet e propozuara nga qeveria gjobat ato janë përshkallëzuar duke parashikuar edhe mbyllje të aktivitetit. Kështu, nëse konstatohet se nuk ka vendosur pajisjen fiskale, si fillim subjekti gjobitet me 100 mijë lekë dhe i jepet një afat 10 ditor për vendosjen e saj, nëse përsëri brenda këtij afati ai nuk e ka vendosur ende, biznesi rigjobitet, por kësaj radhe me 500 mijë lekë por duke i dhënë edhe 10 ditë të tjera afat për ta vendosur. Nëse edhe pas kësaj gjobe subjekti përsëri kapet pa pajisje fiskale nga punonjësit e tatimeve, merret masa për ndërprerjen e aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore. Kur vërehet se edhe pas kësaj periudhe biznesi nuk e ka vendosur pajisjen, tatimet mbyllin në mënyrë përfundimtare aktivitetin e tij.
Por edhe nëse biznesi merr përsipër vendosjen e kasës fiskale, përsëri ndryshimet në ligj parashikojnë një serë gjobash për shkeljet që presupozohet se kryhen. Kështu, nëse biznesi nuk lëshon faturë për çdo shitje të bërë, herën e parë gjobitet me 100 mijë lekë, herën e dytë me 500 mijë lekë. Nëse përsëritet ligji parashikon ndërprerjen për gjashtë muaj të aktivitetit.
Edhe në rastet e vendosjes së kasës fiskale dhe të lëshimit të faturës, qeveria parashikon një mori gjobash të tjera për bizneset, të cilat variojnë nga 20 deri në 30 mijë lekë për rastet kur çmimi i vendosur në faturë nuk përkon me çmimin real të produktit, etj. Plot 50 mijë lekë është gjoba që parashikohet të marrin bizneset të cilët nuk njoftojnë menjëherë organet tatimore nëse kasa fiskale pëson defekt. Bizneset duhet të tregojnë kujdes edhe në mirëmbajtjen e kasës pasi nëse konstatohet se ajo nuk mbahen në kushtet e përshtatshme mund të gjobiten deri në 80 mijë lekë.
Krahas bizneseve edhe pronarët e mjeteve të transportit të udhëtarëve duhet të pajisin me bileta pasagjerët pasi në të kundërt gjobiten me 10 mijë lekë për çdo të tillë të pa lëshuar. Gjatë blerjes së kasave, bizneset duhet të tregohen të kujdesshëm të shkojnë tek pikat e autorizuara nga ana e Ministrisë së Financave pasi në të kundërt parashikohet të gjobiten me 100 mijë lekë. Ndërsa subjektet që shesin këto pajisje pa qenë të licencuara nga financat gjobiten me një milion lekë.