E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elvin Beqiri: Bulonjë më "tradhtoi"

Elvin Beqiri është dukshëm i zhgënjyer për transferimin e munguar në kampionatin francez. Mbrojtësi i Kombëtares ishte fare pranë firmës me US Bulonjë, klubin me histori 111-vjeçare (i krijuar në vitin 1898 nga disa vizitorë anglezë), që në sezonin e ardhshëm do të luajë për herë të parë në Ligën 1. Ata u ngjitën mes më të mirëve, pasi u klasifikuan të tretët në Ligën 2 dhe 28-vjeçari kuqezi cilësohej si një përforcim mjaft i rëndësishëm, për t‘u përballur me ekipet më të mira. Deri të premten, firma e shkodranit dukej thjesht një formalitet, por lojtari është "tradhtuar" nga drejtuesit e klubit, të cilët në momentin e fundit e prishën marrëveshjen. Për "Shqip", Beqiri ka treguar disa nga prapaskenat e aventurës aspak të këndshme në Francë. "Udhëtova me sigurinë se do të firmosja. Gjithçka dukej e përfunduar", deklaroi ai. "Klubi kishte ndjekur disa prej ndeshjeve të mia ndërkombëtare dhe marrëveshja ishte thuajse e kryer". Por, sapo shkeli në "Stade de la Liberation" (Stadiumi i Lirisë), situata ndryshoi. Po ashtu edhe sjellja e drejtuesve të Bulonjës. Zbarkimi i Beqirit në qytetin verior, i cili ndodhet pikërisht në kanalin e La Manshit nuk ishte ashtu si kuqeziu e imagjinonte. Ai filloi stërvitjen me skuadrën e drejtuar nga tekniku Loren Gyjot, ndërsa drejtuesit e ekipit e mbanin pezull kontratën. "Në ditët e para më thanë që presidenti (Zhak Vatez) nuk ndodhej në qytet dhe më duhej të prisja", shpjegoi Beqiri. "Kjo histori vazhdoi deri në momentin kur akordi u prish. Nuk di të them se çfarë ka ndodhur, ose përse krerët e klubit ndërruan mendje. Ndoshta mund të kenë gjetur ndonjë lojtar tjetër për të përforcuar kontingjentin, por mënyra sesi u sollën nuk ishte normale".

Mbrojtësi që numëron 43 ndeshje me Kombëtaren është kthyer në Shkodër. Në "Loro Boriçi", ai ka gjithmonë në dispozicion një fanellë titullari, madje drejtuesit kuqeblu shpresojnë se do të luajë edhe në sezonin e ardhshëm në Superiore. Por, ambicia e Beqirit është të luajë në një kampionat jashtë vendit për të vazhduar rritjen profesionale. Infrastruktura më e mirë dhe kushtet më të kënaqshme financiare janë njëra anë e medaljes, ndërsa në anën tjetër, aktivizimi në një kampionat europian është një siguri më shumë në Kombëtare. Ashtu si e pohoi sapo u kthye nga Franca, mbrojtësi do të vazhdojë të shqyrtojë alternativat nga klubet europiane. Por, ai tregohet skeptik dhe tashmë duket i vendosur të mbajë çdo gjë sekrete: "Deri më tani nuk kam asgjë konkrete. Megjithatë, duke parë mënyrën sesi rrodhën ngjarjet, nëse do të kem kontakte me klube që interesohen, do t‘i mbaj të fshehta, deri në momentin kur gjithçka të jetë mbyllur".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›