E Shtunë, 31 Tetor 2026

NENA E MARREZISE, GJITHMONE SHTATZENE

Këtë fjalë të urtë e kam ndeshur në një nga artikujt e shumtë të Umberto Eco-s, botuar në revistën e njohur italiane, "L‘Espresso". Ai e kishte përdorur në kontekstin e vendit të tij, por edhe më gjerë dhe shënjueshmëria e saj, pra shënjueshmëria e thënies "nëna e marrëzisë është gjithmonë me barrë", sipas Eco-s, karakterizon atë njeri që thotë dhe bën në mënyrë të vijueshme budallallëqe, atë shoqëri që prodhon jo një herë në nëntë muaj sa ç‘është cikli i një lindjeje normale, por më dendur nga një marrëzi të radhës, atë grup shoqëror i cili, sa herë që kryen ndonjë veprim, bashkë me të bën edhe marrëzinë e duhur. Shkurt, nëna e marrëzisë, që është gjithmonë me barrë, nuk mund ta ketë vendin, shtëpinë dhe komoditetin askund tjetër si në Shqipëri.

Meqenëse u mbyll edhe cikli i zgjedhjeve, pra meqenëse shqiptarët votuan më 28 qershor dhe meqenëse rezultatin, në vend që ta njehsonte KQZ-ja e njehsoi më parë një OJQ private që drejtohet nga një ish-kryetar KQZ-je, meqenëse rezultati u dha pas një muaji dhe meqenëse edhe këtë radhë votat e shqiptarëve u vodhën dhe meqenëse rezultati që dha KQZ-ja ishte pikë për pikë i njëjtë me atë që dhe OJQ-ja e drejtuar nga Ilirjan Celibashi, të gjithë mund të pyesin pse na u desh KQZ-ja, ose pse e mbajmë dhe e ruajmë këtë institucion, pse i besojmë atij aq shumë, pse bëjmë ligje në Parlament që të funksionojë KQZ-ja. Kush mund të më thotë nëse ka ndonjë vend tjetër në botë që ka një KQZ si kjo e jona? Mos harrojmë se në këtë vend banon nëna e marrëzisë dhe meqenëse ajo është vazhdimisht shtatzënë, i takon që një herë në katër vjet, mes budallenjve të shumtë, të lindë edhe budallallëkun apo marrëzinë me emrin KQZ.

Sa herë që më duhet të komunikoj me miqtë e mi jashtë Shqipërisë për problemet politike dhe ato të zgjedhjeve, vështirësia më e madhe është t‘ju shpjegoj se përse ne i vjedhim votat, pra përse nuk bëjmë zgjedhje të ndershme. Jam përpjekur vetë me qindra herë të kuptoj se përse ndodh kjo dhe e kam të vështirë ta gjej arsyen. Kam konsultuar edhe Kanunin e mbledhur dhe botuar nga Gjeçovi dhe aty kam vënë re se një nga tiparet thelbësore që kanë shqiptarët është dyshimi për tjetrin dhe mungesa e sinqeritetit në marrëdhënie me njëri-tjetrin. Natyrisht shpjegimi im është antropologjik, por do të mundohem që të jem sa më i hapur dhe të provokoj me këtë rast edhe ndonjë debat.

Zgjedhjet parlamentare mund të përkufizohen në mënyra të ndryshme, por, në thelb, ato janë një konkurrim mes dy a më shumë palëve për të fituar të drejtën e qeverisjes. Teoricienët e demokracisë, kur flasin për këtë sistem, i gjejnë themelet e tij qysh në organizimin fisnor parakristian. Ndërsa sociopsikologët vënë re se kushti i parë që të funksionojë gara është besimi. Pra të gjitha palët duhet të besojnë që do të shpallet fitues ai që është më i miri. Siç e dimë të gjithë, në Greqinë e lashtë, kur votimi ishte i drejtpërdrejtë, pra kur votuesit dhe të votuarit e shihnin njëri-tjetrin në sy, gara ishte më e hapur. Votimi që kryhej në stadium nuk krijonte mundësi që të bëhej fushatë elektorale, që të lëvizje nga një vend në tjetrin.

Kur territoret u zmadhuan, pra kur për një kandidat do të votonin zgjedhës që jetonin në pika të ndryshme të territorit dhe që nuk e shihnin dhe nuk ishin pranë fizikisht me njëri-tjetrin, atëherë lindi media dhe mesazhet nisën të përcilleshin me anë të një ndërmjetësi që ishte media. Mirëpo, në thelb të këtij procesi ishte besimi dhe jo dyshimi. Pra votuesi i qendrës x ishte i sigurt se nëse i thoshin institucionalisht se votuesi i qendrës y ka votuar ndryshe apo njësoj si ai, kjo nuk mund të diskutohej, sepse këto shoqëri ishin ngritur mbi bazën e besimit me njëri-tjetrin. Këtu ka vend për argumentime më të gjera e më të thella, historike e kulturore, por po mjaftohem me këtë argument dhe nuk po përmend fjala vjen se banorët e këtyre trevave kishin arritur të komunikonin me njëri-tjetrin dhe kishin arritur të ndjeheshin anëtarët të një bashkësie e të një besimi.

Ndërsa po të shohim strukturën e ngjizjes së kombit tonë do të vëmë re një fenomen tjetër. Në themel të jetës së shqiptarit dhe të ekzistencës së tij ka qenë dyshimi dhe jo besimi. Pse? Ne gjithmonë harrojmë se për pesëqind vjet kemi qenë shtetas të një perandorie super të madhe që shtrihej nga Azia në Europë. Të gjitha institucionet shtetërorë ishin larg, shumë larg banorëve të Shqipërisë. Institucionet me të cilat janë rritur gjyshërit, stërgjyshërit e stërstërgjyshëri tanë ishin në Stamboll. Në Shqipëri ishte një përfaqësues turk, që bënte qoftë rolin e kryetarit të bashkisë, të kryepolicit, apo edhe të shefit të degës ushtarake.

Midis shqiptarit dhe këtij lloj qeveritari ishte në mes një mal me keqkuptime që vinin, për shkak se gjuha nuk ishte e njëjtë, e dyta pse ai ishte i huaj dhe pushtues e kësisoj midis shqiptarit dhe shtetit për një kohë shumë të gjatë u kultivua ndjenja e armiqësisë e konfliktit.

Pas krijimit të shtetit shqiptar, siç e dimë të gjithë, patriotët e shquar të Rilindjes, në një shumicë të madhe ishin funksionarë apo deputetë të Perandorisë në rënie. Ata u rikthyen në vendin e tyre dhe merita e tyre e pazëvendësueshme është se mbërritën të ruajnë kombin dhe të ndërtojnë shtetin shqiptar të pavarur. Mirëpo sa nisi funksionimi i tij u rishfaqën të gjitha plagët, defektet, cenet e vështirësisë që sillte jeta pa pushtues. Tani përfaqësues i administratës nuk ishte një pushtues, por një shqiptar, mirëpo në të shumtën e rasteve, të dyja palët si shtetasi që duhet të respektonte shtetarin, si shtetari që duhet të respektonte ligjin, silleshin si pushtuesi i dikurshëm me të nënshtruarin. Kjo kulturë bëri që pas shpalljes së Pavarësisë, qeveritë ndërroheshin më shpejt, se krijoheshin derisa u vendos mbretëria.

Ajo që ndodhi me diktaturën meriton të analizohet gjithashtu hollësisht, sepse nga njëra anë, diktatura shenjtëroi sipas mënyrës së saj romantikën nacionale, ngriti deri në delir kultin e atdheut dhe ruajtjen e mbrojtjen e tij e shpalli prioritet të prioriteteve. Në diktaturë u shuajt nocioni i garës, sepse ata që do ta shpëtonin këtë vend e kishin fituar këtë të drejtë me gjak. Në emër të gjakut ata dëshironin që të jetësonin në pafundësi pushtetin e tyre. Simbologjia e re e krijuar me këtë rast kishte atdheun dhe portretin e diktatorit. Mirëpo erdhi demokracia dhe u bënë njëzet vjet e nga shteti diktatorial apo nga simbologjia e tij nuk ka mbetur asgjë. Edhe në këtë rast më vjen në mendje një gjë tjetër nga Umberto Eco.

Në numrin e datës 2 tetor 2008 të revistës "L‘Espresso", ai shkruan:

"Në fillim të viteve ‘50, unë dhe Roberto Leydi kishim vendosur të themelonim një shoqëri antipatriotike. Ishte një mënyrë për t‘u tallur me edukimin që kishim marrë gjatë diktaturës fashiste ku atdheu na ishte bërë pjesë e çdo gjëje deri në neveri. Shoqëria antipatriotike kishte zgjedhur për himn Marshin e Radeckit dhe kishte vendosur që të rivlerësonte të gjitha figurat e Rilindjes. Kishte vendosur gjithashtu që ta kthente Italinë në gjendjen para Garibaldine. Ne kishim vendosur që krahina të tilla si Lombardia e Veneto t‘i jepeshin Austrisë, Napoli Burobonëve e natyrisht Roma Papës...".

Kjo shaka e Eco-s vazhdon edhe më tej dhe ai e përdor atë për të thënë se atë që ne e kishim bërë me shaka atëherë po bëhet sot në Itali. Ndërsa në Shqipëri, në emër të luftës kundër komunizmit, ose për të krijuar iluzionin e një vendi pa tradita, pa histori, pa besime fetare, pra iluzionin e një vendi ku zotëron e ku gjallon vetëm nëna e marrëzisë, e cila për fat të keq është vazhdimisht shtatzënë, hodhëm në eter edhe dëshirën e Kryeministrit tonë për njohjen e martesës gay. Ndërsa dyshimi, frika dhe mosbesimi si kritere të jetës apo të ekzistencës sonë në vend që të zbehen janë rritur. Ndaj të mbështjellë me këtë ndjenjë frike, pasigurie e dyshimi ne biem në shtrat me marrëzinë dhe lindim jo çdo nëntë muaj, por më shpesh nga një budallallëk, nga një çmenduri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›