E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështjet para identitetit në Irak

Gjatë muajve të parë të administratës së Obamës, irakianët të cilët shikonin caktimin e Richard Holbrooke, George Mitchell dhe Dennis Ross do të më thërrisnin dhe do pyesnin, "Kush do të jetë i dërguari special për Irakun?" Pas gjashtë muajve të një distance e konsideruar nga shumë irakianë si "larg duarve", administrata duket se e ka kuptuar që pjesëmarrja politike është më e rëndësishmja kur prania ushtarake po zbehet.

Mirëpo, komentet e fundit nga nënkryetari Biden sugjerojnë se idetë e zyrtarëve të SHBA-së ndaj Irakut mund të bëjnë po aq dëm sa edhe dobi. Gjersa po e vizitonte Irakun këtë muaj, Bideni foli për një nevojë që të ndërmjetësohet një marrëveshje e madhe në mes sunitëve, shiitëve dhe kurdëve, dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet në mes "grupeve të ndryshme besimtare". Ai e bëri të qartë se ai - dhe lë të kuptohet edhe SHBA- i sheh sfidat dhe zgjidhjet e Irakut kryesisht në formë të grupeve fetare apo etnike.

Duke i diskutuar problemet e Irakut në këto kushte e shtyn Irakun prapa e në kutitë të cilat janë përpjekur t‘i lënë anash dhe e nënçmon lëvizjen larg nga dominimi i identiteteve politike sektariane e drejtë politikave të bazuara në probleme. Për shumë irakianë, një gjuhë e tillë është e njohur. Dështimi në siguri nga viti 2004 e deri në vitin 2007 i kristalizoi identitetet sektariane dhe etnike; ekstremistët sunitë dhe militantët shiitë i identifikuan caqet e tyre dhe ata të cilët i mbronin në baza fetare. Por, kjo gjuhë vazhdimisht e më shumë po vjetrohet. Përmirësimet në siguri gjatë dy viteve të fundit e kanë krijuar një hapësirë për irakianët që të fillojnë të largohen nga konsiderimi i vetes dhe problemeve të tyre në pikëpamje të tilla.

Në fakt, në zgjedhjet provinciale të mbajtura në janar dukej se çështjet e problemeve të përditshme kishin më shumë rëndësi për votuesit, së paku po aq sa edhe identitetet. Inkurajimi i kësaj lëvizjeje drejt politikave të bazuara në probleme është pa dyshim përbërësi më i rëndësishëm i një strategjie për t‘i ndihmuar irakianët të zgjidhin problemet e tyre më të mëdha. Shumë shpesh dallimet në mes irakianëve portretizohen si gjaqe në mes rivalëve të lashtë, të bazuara në qëndrime irracionale dhe emocionale. Disa nga kundërshtarët më të flaktë të strategjisë së "kundër-luftimit" të vitit 2007 argumentuan se irakianët e kishin të shkruar ta vrasin njëri-tjetrin dhe se prania dhe politika e SHBA-së ishin veprues të vegjël në një fat tashmë të vendosur. Tensionet e tanishme në mes Bagdadit dhe Qeverisë Rajonale Kurdistane shpesh paraqiten të thjeshtëzuara si manifestime të armiqësive historike në mes arabëve dhe kurdëve. Sigurisht, faktorët kulturorë kanë rëndësi dhe historia e gjatë e Irakut, që përfshin, natyrisht, përpjekjet brutale të Saddam Husseinit që të zhdukë kurdët, e formon natyrën e problemeve dhe pikëpamjen nga e cila shihen këto.

Por, realiteti është se problemet më të vështira të Irakut janë kryesisht rreth çështjeve substanciale. Irakianët dhe udhëheqësit e tyre janë të ndarë mbi pyetjet fondamentale rreth natyrës së shtetit, specifikisht, nëse qendra e pushtetit duhet të jetë në Bagdad apo nëpër provinca. A duhet Iraku të jetë një shtet më tradicional arab, ku pushteti është i centralizuar në kryeqytet? Apo ndoshta rajonet dhe provincat, si për shembull Qeveria Rajonale Kurdistane, duhet të kenë autoritet dhe autonomi substanciale? Ky debat gjendet në zemrën e asaj që shumica e përshkruajnë si konflikt kurd-arab. Për shembull, konfliktet rreth ligjit të mjegullt për naftë, të cilin Biden do ta përdorë si pikënisje për përparimin drejt pajtimit, nuk kanë të bëjnë në të vërtetë me faktin nëse qeveria shiite e ndanë pasurinë e Irakut me minoritetet sunite dhe kurde. Problemi del nga pikëpamjet kundërshtuese rreth asaj se kush e ka të drejtën për të zhvilluar burimet natyrale të Irakut - Bagdadi apo rajonet dhe provincat? Kush e ka të drejtën e vendosjes së kushteve për investime ndërkombëtare dhe të nënshkruajë kontrata për t‘i zhvilluar fushat e naftës së Irakut - Bagdadi apo rajonet dhe provincat? Territoret konfliktuoze të Kirkukut dhe rajoneve përreth i shtojnë edhe një dimension tjetër tensioneve "kurdo-arabe", por edhe këto mosmarrëveshje do të zgjidheshin më lehtë nëse do të kishte më shumë qartësi rreth roleve të duhura dhe të ardhmen e forcave rajonale të sigurisë e ushtrisë së Irakut.

Diskutimi rreth këtyre çështjeve të rëndësishme është i paktë; gjithashtu është i mjegulluar me emocion dhe me kuptim disi sipërfaqësor të koncepteve si decentralizimi dhe federalizmi. Federalizmi ende është tabu në Irak, edhe në mesin e atyre të cilët lobojnë për më shumë autoritet, burime dhe përgjegjësi për këshillat provincialë. Vetëm përbrenda një sistemi politik, ku substanca ka ca shpresë të ndahet nga identitetet, konfliktet, do të mund të zgjidhen me kalimin e kohës. Fatkeqësisht, para zgjedhjeve nacionale të Irakut në fillim të vitit 2010, shumë fuqi, përfshirë Iranin, po i shtyjnë irakianët drejt rithemelimit të aleancave të njohura fetare dhe me baza etnike, të cilat deri vonë e kanë dominuar sistemin politik. Një qeveri e cila vjen në pushtet në vitin 2010 dhe e cila është e bazuar në aleanca të tilla, ka më pak gjasa të zbutë dallimet e Irakut, posaçërisht kur kemi parasysh se shumica e mekanizmave të ndarjes së pushtetit, që e kanë shtyrë kompromisin dhe konsensusin gjatë viteve të fundit, marrin fund kur qeveria e ardhshme e merr pushtetin.

* Marrë nga "The Washington Post"



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›