E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elvir Muriqi, i bindur se do të fitojë

Elvir Muriqi i ka përfunduar
përgatitjet për duelin e së shtunës,
ku do të ketë përballë anglezin
Klinton Vuds. Boksieri kosovar
beson se i ka të gjitha
mundësitë për ta fituar këtë përballje,
e cila vlen si eliminatore
për të përcaktuar sfidantin e Antonio
Tarver për brezin e kampionit
në versionin IBF, madje deklaron
se Vuds nuk duhet të turpërohet
nëse humbet. I gatshëm
apo jo, për "Kosovo Kid" kjo
mund të jetë mundësia e fundit
për të luftuar për titullin e kampionit
të botës. "Ndihem mirë
para këtij dueli, ku premtoj se do
t‘i tregoj të gjitha aftësitë e mia.
Kisha probleme të vogla me
pasaportën dhe me udhëtimin,
por më pas jam stërvitur rregullisht
dhe çdo gjë po shkon mirë",
theksoi pejani, i cili në karrierën
si profesionist, regjistron 35 fitore
(22 me nokaut) e 4 humbje. Në
ditën e tij të fundit të stërvitjes,
29-vjeçari Muriqi kishte si
"kundërshtar" boksierin nga
Bruklin (Nju Jork), 21-vjeçarin
Antoni Grinixh, i cili ka 13 fitore
dhe 1 humbje në kategorinë e
peshës së mesme. Ata e zhvilluan
një sfidë testuese me gjashtë
raunde, ku Muriqi u tregua më i
fortë dhe se ka më shumë përvojë.
"Ishte një përgatitje mjaft e
mirë, djaloshi është një boksier i
shpejtë. Dominova në pjesën
më të madhe të raundeve. Antoni
është boksier i peshës së mesme,
ai zotëron kombinime të
mira. Kjo më ndihmon, sepse kur
të luftoj me Klinton Vuds, ai nuk
do të jetë aq i shpejtë", deklaroi
ai. Muriqi, i cili ka nënshtetësi
amerikane, por nuk e harron
origjinën shqiptare, është i bindur
se do të triumfojë në përballjen
e 14 shkurtit kundër rivalit
anglez, pavarësisht se ky i fundit
bokson në shtëpi, përpara tifozerisë
së tij. "Ne të gjithë e dimë se
Vuds është një kundërshtar i
fortë, por mendoj se shpejtësia
dhe mosha ime më e re do të
bëjnë diferencën. Për më tepër,
unë jam më i ‘uritur‘, sepse ende
nuk jam bërë kampion bote,
ndërsa Vuds ka qenë, vazhdoi
kosovari. Mendoj se i kam të
gjitha mundësitë, dëshirën dhe
karakterin për ta fituar këtë
luftë. Gjithsesi, kundërshtari im
nuk duhet të ndihet i turpëruar
nëse humbet. Nuk mendoj se
për momentin ekziston ndonjë
boksier i kategorisë gjysmë të
rëndë në botë, që mund të më
mposhttë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›