Elvira Diamanti: Nuk kisha qenë kurrë në arkiv. Ja si do ta drejtoj

Objektivat e kreut të ri të Arkivit: hapja e kinemasë, rikonstruksioni i bibliotekës, arkivimi i kronikave sot, e sërish përvjetorë kineastësh
Afro dy javë më parë, Elvira Diamanti mori drejtimin e Arkivit Qendror të Filmit, post ky që mbahej nga kryetari aktual i Qendrës së Kinematografisë, Artan Minarolli. Pas emërimit në këtë detyrë, Diamanti tregon gjendjen e tanishme të Arkivit dhe objektivat që ka për katër vitet në vazhdim.
"Për mua ka qenë surprizë gjendja e Arkivit Qendror të Filmit. Prisja një godinë më të vjetër. Nuk kisha ardhur asnjëherë. Kur erdha për herë të parë, dhe pashë gjendjen e katit të parë, kur pashë gjendjen e magazinave të filmit, ku ruhen filmat dhe mënyra sesi ruhen ata, kur pashë sallën e kinemasë, e cila është pothuajse e përfunduar, ndjeva një kënaqësi", pohon Diamanti.
A thua sikur të ishte përballë një surprize fatlume që e shpëton nga përsëritja e objektivave: rikonstruksion i godinës, promovim i pasurisë filmike të arkivit nëpërmjet botimeve, projeksione në kinemanë e re. Mungesa këto që mbarten nga një 4-vjeçar në tjetrin, sa herë që ndërrohen drejtuesit, në pritje që t'i njohë i riu, të kuptojë rëndësinë e tyre, duke ngrirë kështu për një kohë të gjatë zgjidhjen.
"Salla e kinemasë është pothuajse e përfunduar. Kanë ardhur edhe karriget dhe tani janë për montim. Presim aparatin e projeksionit brenda këtij muaji", shpjegon Diamanti për rikonstruksionin e katit të parë.
"Pothuajse" nënkupton që kinemaja do të jetë e hapur në mes ose në fund të shkurtit, e planifikuar për t'u përfunduar që këtë fundjanari. Kinemaja pritej të hapej që në fillimet e Minarollit në kreun e Arkivit.
Sot, në korridorin e Kinemasë sheh disa karrige të reja, ende të pamontuara, dhe hapësirën bosh ku duhej të ishte aparati i projeksionit.
"Ndryshe nga zyrat tona, zyrat e redaksisë, apo të drejtorisë, të financës, unë mendoj që do t'i kushtojmë një vëmendje maksimale bibliotekës dhe skedarëve. Do të kisha shumë dëshirë që të ishin në një gjendje model.
Do të kërkojmë fonde nga donatorë të ndryshëm. Prandaj e kam këtë prioritet", pohon Diamanti për pjesën e jashtme, rregullimin e ambientit, pa u ndalur tek gjendja e mjerueshme e bibliotekës, nevojën që ajo ka për botime kinematografike.
Deri tani, nëpër raftet e saj renditen vetëm periodikë të kinemasë, pak libra profesionalë, dhe materialet origjinale të filmit (skenarë, partitura muzikore, foto dhe postera) të kohës së socializmit.
Një gjendje e mjerueshme për një bibliotekë filmi, që do të duhej të ofronte një pasuri botimesh për periudhat historike të kinemasë shqiptare, monografi, kalendarë, kujtime. Thamë të kinemasë shqiptare. Por ama një arkiv që ka statusin e arkivit kombëtar nuk mund të kuptohet pa literaturën për kinemanë botërore, albume e katalogë.
Botimet nuk janë në objektivat e afërta të drejtoreshës së Arkivit, e përqendruar më shumë tek kinemaja: "Mendoj që shumë më tepër do t'i japim prioritet sallës së kinemasë, duke e bërë të mundur promovimin e filmave të vjetër, jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj. Kemi materiale për kolosët botërorë të letërsisë, kryesisht ruse.
Do ftojmë maturantët, në momentin që salla do të jetë gati, të vijnë të shikojnë, dhe të marrin informacion rreth këtyre shkrimtarëve, shumë më mirë sesa mund të marrin në një orë letërsie. Sigurisht, pa asnjë kosto. Magjia e ekranit është tjetër gjë.
Është shumë më e prekshme dhe shumë më e dashur se libri, të paktën për brezin e ri."
Një plan tjetër ku do të orientohet puna e drejtoreshës së re është pasurimi i Arkivit me kronikat ngjarjeve të aktualitetit dhe me dokumentarë.
Pas viteve '90, kjo pasuri filmike nuk hidhet në Arkiv. Për këtë Diamanti propozon strukturën e dikurshme, "një operator, një regjisor", që filmojnë ngjarjet më të rëndësishme. Fjalë për fjalë kjo ishte një nga dëshirat e paraardhësit që nuk arriti ta bëjë realitet.
Së fundmi, Arkivi do të vazhdojë të jetë vendi ku përkujtohen përvjetorët e kineastëve. "Mendoj që do të jetë Arkivi i Filmit një vend ku ata të gjejnë jo vetëm nostalgjinë, por edhe kënaqësinë për atë çfarë kanë bërë, për gjithë atë kontribut që kanë dhënë", përfundon bisedën drejtoresha e re e Arkivit.