Big Brother Albania
Valentina dhe Domenika, (nënë e bijë), Eduardi, Jetmiri, Erioni, Olta, Pamela, Graciela, Gjimi, Haki, Seldi dhe Bertina janë pikërisht 12 banorët e rinj të shtëpisë më të madhe në vend, të cilët u prezantuan dje në mbrëmje gjatë natës së spektaklit të madh të “Big Brother Albania 3”
Nis aventura e tretë
Valentina dhe Domenika (nënë e bijë), Eduardi, Jetmiri, Erioni, Olta, Pamela, Graciela, Gjimi, Haki, Seldi dhe Bertina janë 12 banorët e rinj të shtëpisë më të madhe në vend, të cilët u prezantuan dje në mbrëmje gjatë natës së spektaklit të madh të “Big Brother Albania 3”. Banorët janë futur brenda shtëpisë së “Big Brother” përmes një porte të trëndafiltë. Edhe këtë vit, ashtu si edhe dy vitet e shkuara, prezantuesja e këtij evenimenti të madh jo vetëm televiziv, por edhe shoqëror, është Arbana Osmani. Për të tretin vit radhazi “Big Brother” u rikthye për të sjellë përmes ekranit të “Top Channel” aventurat e konkurrentëve të rinj, të cilët hynë në shtëpi të shoqëruar nga intervistat e shkurtra të realizuara nga Eno Popi. Pjesëmarrësit e këtij edicioni do të nisin lojën në bashkëjetesën e vëzhguar 24 orë në 24 nga telekamerat. Konkurrenti që do të dalë fitues në përfundim të këtij edicioni të tretë të “Big Brother” në televizionin kombëtar “Top Channel” do të jetë fituesi i çmimit prej 10 milionë lekësh të reja. Këtë vit, aplikuesit që synuan të ishin pjesë e “Big Brother” kanë qenë mbi 7 mijë persona. Ndryshe nga vitet e tjera, kërkesat janë bërë nëpërmjet internetit, çka i ka mundësuar stafit përzgjedhës të komunikojnë me kandidatët shqiptarë jo vetëm në vendin tonë, por edhe në Europë e Amerikë. Producenti dhe autori i këtij programi, Rezart Aga, ka siguruar për karakteret e veçanta të konkurrentëve, por edhe për surprizat e shumta që do të shoqërojnë të gjithë lojën. Surpriza të shumta kanë shoqëruar mbrëmjen e djeshme. Banorëve e rinj janë prezantuar me njëri-tjetrin, si edhe me publikun. Të parët që hynë në shtëpi ishin Domenika, Gjimi dhe Erioni. Pas tyre, interesante ka qenë hyrja e katër vajzave, Bertinës, Oltës Pamelës dhe Gracielës, të cilat të veshura bukur, janë prezantuar sikur të ishin pjesë e një sfilate. Ato u vunë në provë që natën e parë. “Vëllai i Madh” u kërkoi dy djemve, Gjimit dhe Erionit, të eliminonin njërën prej tyre. Ata zgjedhin Bertinën, e cila shpëton më pas prej votave të publikut dhe kthehet mes emocionesh në shtëpi. Një surprizë krejtësisht e veçantë dhe e papritur ishte edhe vetë shtëpia. Natën e parë “Vëllai i Madh” i ka pritur banorët në një shtëpi të arreduar sipas stilit të viteve ’80 në Shqipëri, e cila është pritur jo pa habi nga ata. Bëhet fjalë për një shtëpi të pazakontë për kohën ku jetojmë. Gjithçka është konceptuar dhe mobiluar në stilin e asaj kohe dhe mbi të gjitha kushtet dhe kultura të cilave banorët do t’u nënshtrohen janë gjithashtu tipike të atyre viteve. Edhe këtë vit, opinionisti në studio është Arjan Konomi. Ndërsa ish-konkurrentët e edicionit të shkuar kanë çelur natën e parë të këtij spektakli. Arbana ka thënë se kjo aventurë do të jetë vërtet emocionuese dhe se konkurrentët e rinj do të kalojnë kohë vërtet të veçanta, sepse bëhet fjalë për një aventurë që vështirë ta kenë imagjinuar më parë, edhe pse do të jenë krejtësisht të izoluar nga bota e jashtme. Ndryshe nga vitet e shkuara, edhe konkurrentët janë njohur me klipet prezantuese të njëri-tjetrit. Një tjetër surprizë interesante e kësaj nate të parë të spektaklit është edhe prania e dy konkurrenteve, krejtësisht të veçanta. Ato janë nënë e bijë, Valentina e Domenika. Të dyja kanë qenë pjesë e audicioneve të “Big Brother Albania”. Para kësaj, kanë hedhur bast me njëra-tjetrën, duke premtuar se nëse njëra do të ishte pjesë e BB-së, atëherë tjetra do t’i paguante një udhëtim në Dubai. Domenika, vajza, ka përjetuar një surprizë të jashtëzakonshme kur ka parë përmes një video mesazhi se edhe nëna e saj Valentina do të ishte pjesë e kësaj loje të jashtëzakonshme e ku i thoshte që shpenzimet për udhëtimin do t’i paguanin së bashku, sepse të dyja do të shkojnë në Dubai, duke qenë se të dyja janë pjesë e shtëpisë më të madhe në vend. Të përzgjedhurit e këtij viti nga “Vëllai i Madh” do të vihen në prova të vështira ditë pas dite. “Big Brother” do të shfaqet në ekranin e “Top Channel” me një përmbledhje ditore, nga e hëna në të premte, në orën 18.05, për të kaluar të shtunën në 17.40. E shtuna do të përmbajë edhe mbrëmjen e spektaklit, që do të nisë në orën 20.45. Duke filluar prej datës 31 janar do të nisë “Fans Club”, programi i drejtuar nga Eno Popi, që do të mbledhë bashkë për të diskutuar fansat e “Big Brother”-it, personazhet e tij dhe të gjithë gazetarët që do të shkruajnë për këtë format televiziv. Për të gjithë ata që nuk duan të humbasin asnjë moment të jetës së konkurrentëve, “DigitAlb” do të transmetojë aventurën 24 orë në 24. Java e parë do të jetë falas për të gjithë ata që janë të pajisur me një dekoder “DigitAlb” edhe nëse nuk e kanë abonimin. Nga 31 janari, i gjithë programi do të mund të ndiqet duke paguar vetëm 800 lekë, përmes kartës “Gold”. Aventura nisi. Kujdes, “Vëllai i Madh” po ju vëzhgon!
#