Alban Hajdinaj

Vizatim, fotografi, video, prej tyre përbëhet ekspozita e titulluar “Ana e pasme e koleksionit”, e artistit shqiptar, Alban Hajdinaj. Ajo është çelur në Romë në galerinë “Traghetto”, nën kujdesin e kuratorëve Daniele Capra dhe Riçardo Caldura. Hajdinaj ka fotografuar pjesën e pasme të veprave që i përkasin fondit të Galerisë Kombëtare në Tiranë, sepse pikërisht atje, ai ka zbuluar se gjendet një anë interesante dhe e panjohur e tyre. është kjo pjesë që bëhet publike përmes imazhit të përcjellë nga artisti. Në këtë mënyrë ai kërkon që publiku të zgjedhë vetë se cilën prej këtyre anëve preferon
Një këndvështrim ndryshe i veprave të artit
Ndoshta Alban Hajdinajt nuk do t’i kishte shkuar asnjëherë ndër mend ideja që të kthente nga ana e pasme tablotë e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, nëse nuk do të kishte kaluar disa muaj duke u marrë me një projekt studimi e kërkimi në vitin 2008, në ambientet e arkivit të kësaj galerie. Dihet, arkivat janë burime të çmueshme, plot me materiale të papritura dhe shpesh të paeksploruara. Aty ai mundi të shtinte në dorë edhe skeda të vjetra të veprave të artit, të shoqëruara me fotografi para dhe pas: një përmbledhje e rezervuar vetëm për artistët vendas. Bëhej fjalë për skeda të përqendruara kryesisht mes viteve ‘800 dhe gjysmës së parë të ‘900-ës. “Pikërisht atëherë kuptova se imazhi kishte një autonomi të vetën, nga të dyja anët”, shpjegon Hajdinaj duke shtuar se i takon publikut të vendosë se cilën prej këtyre anëve preferon. E lindi pikërisht në këtë mënyrë edhe ideja për një ekspozitë krejtësisht të veçantë të cilën artisti shqiptar e titulloi “Back Side Collection” (“Ana e pasme e koleksionit”). Bëhet fjalë për një ekspozitë fotografike të cilën Alban Hajdinaj e ka çelur në Romë të Italisë në galerinë “Traghetto”. Nën kujdesin e kuratorëve Daniele Capra dhe Riçardo Caldura dhe do të qëndrojë e hapur për publikun vendas deri më 30 janar. Një pjesë e kësaj ekspozite, verën e vitit që shkoi ka qenë pjesë e edicionit të 53-të të Bienales së Venecias. Subjekt i saj është pikërisht pjesa e pasme e këtyre veprave të artit fond i Galerisë Kombëtare në Tiranë. Gjen aty gjurmë rimendimesh të autorëve, pjesë gazetash, numra inventarësh, copëza spangoje... e natyrisht që nuk mungojnë edhe etiketat e galerisë ku janë të shënuara përmasat e veprës, autori, titulli i saj, por asnjëherë viti! Për artistin shqiptar ajo që e bën akoma më tërheqëse këtë anë të panjohur të veprave është pikërisht momenti i zbulimit të momenteve krijuese në të cilat piktorët, kanë treguar liri shprehëse më të madhe, duke sjellë vizione abstrakte dhe minimaliste, apo edhe më interesante subjektet e anës së parme të veprave të tyre. Ndërkaq, Albani ka zgjedhur që pjesë e kësaj ekspozite të jenë edhe projekte krejtësisht të ndryshme siç është edhe seria e vizatimeve të logove komerciale, ku ajo që do të përcjellë autori ka të bëjë më shumë me ikonën e kthyer tashmë në një markë. Po ashtu në këtë ekspozitë shfaqen edhe videot “Alisa and Sarah” (2007) dhe “Alisa and Sarah, Garden” (2006), në të cilat Hajdonaj vjen si një vëzhgues i dy skenave ku përfshihen dy vajza të vogla: njëra brenda mureve të shtëpisë dhe tjera mbi një kolovarëse në oborr... Për Daniele Capra-n, kritik arti dhe kurator ekspozitash, Alban Hajdinaj është një artist me një talent të madhe që u përket niveleve ndërkombëtare. “Veprat e tij janë të një natyre konceptuale, dhe në këtë mënyrë ato përdorin një kod në të cilin ideja prej së cilës janë ndërtuar, apo koncepti prej të cilit kanë lindur janë edhe pjesa më e rëndësishme përtej vlerës estetike. Hajdinaj arrin që në të njëjtën kohë të gjejë edhe një formë interesante dhe përfshirëse për publikun që duke parë veprën e tij t’i japë asaj vëmendje dhe të zhvillojë më tej mendimin. Për mua, veprat e artistit shqiptar janë mjaft të rafinuara”, shprehet kritiku Capra. E në të vërtet veprat e këtij artisti lindin si prej një ëndrre me syhapur në mes të errësirës. Ai vetë thotë diçka në lidhje me këtë. Ndoshta është pjesë e krijimtarisë së tij thurja e një realiteti ndryshe i cili më vonë mund të kthehet në një burim frymëzimi. “Jam në errësirë. Duhet të ndodhem në një dhomë tërësisht të mbyllur ose në një shpellë të thellë. Me shumë vështirësi arrij të shquaj krijesat rreth meje... Pas pak kuptoj se krijesat po flasin për mua, diskutojnë për një problem timin, diçka që nuk shkon... Mundohen të shpjegojnë se përse më mungon fytyra... Papritmas një portë, hapet në murin përballë meje. Hyn drita, një vezullim i bardhë, drita më e bukur që unë kam parë. Më godet fytyrën. Nuk shoh mirë, drita më verbon... dëgjoj krijesat që thonë se po shfaqen pak nga pak trajta e fytyrës sime... Pas pak njëra prej tyre më informon se kam sërish fytyrën. Shoh dritën të më godasë fort fytyrën dhe provoj ndjesinë më të çuditshme të qetësisë që kam ndier ndonjëherë”, komenton Hajdinaj. Për kuratorin tjetër italian, Riçardo Caldura-n, krijimtaria e Alban Hajdinajt është një kërkim që kalon sa në natyrën e imazhit te reflekset e kulturës dhe historive të ndryshme që gjenden në të përditshmen, duke nisur nga ajo që e rrethon tek ajo që nuk i përket atij. I vështron përreth dhe u kushton vëmendje fenomeneve të botës bashkëkohore, që gati sikur kryqëzohen nga linja të paperceptueshme, mund të rrëfejnë edhe pjesëza të të përbashkëtës. Ai vijon më tej duke thënë se në veprat e tij nuk mund të flitet për një qasje kritike ndaj realitetit, por më tepër për një analizë të tij. “Alban Hajdinaj, thotë Caldura, është një artist shqiptar me një periudhë studimi dhe qëndrimi në Cité des Arts, në Paris, dhe që i përket një gjenerate që qëlloi të ishte adoleshent në periudhën e rënies së regjimit komunist. Por çfarë do të thotë shqiptar? Që diçka në punën e tij të jetë e identifikueshme me vendin?”, ngre pyetjen kuratori italian. Ndoshta po, nëse do të mendohej për faktin se sa problematik ka qenë çështja e imazhit, se sa e rëndësishme ka qenë pangatërrueshmëria e tij, kristalizimi i imazhit në një regjim totalitar si ai që ka izoluar Shqipërinë për dekada të tëra nga Europa (si perëndimore ashtu edhe lindore). Ndaj edhe nuk mund të jetë kaq rastësore që në veprat e Alban Hajdinajt t’i kushtohet kaq shumë vëmendje natyrës së paqartë, lëkundëse, fantastike të vetë imazhit. “Dhe në fund lind natyrshëm të pyesësh edhe nëse identiteti shqiptar (e jo më pak edhe ai francez e italian) fsheh në vetvete diçka prej natyrës së një dragoi, të shartuar me atë të një dhie e cila nga ana e saj është shartuar edhe me atë të një luani. Duke pasur parasysh veprën e Hajdinaj të duket sikur identitetet kombëtare janë të krahasueshme me disa “logo” të cilat i nënshtrohen një procesi të thellë “rimendimi”, që mundohet të çelë mbi sipërfaqen e identitetit...”, komenton Caldura. Artisti shqiptar, Alban Hajdinaj, ka lindur në Tiranë. Ai ka marrë pjesë në disa ekspozita në galeri nga më të rëndësishmet siç është “176 Projects” e Londrës apo “Wallspace Gallery” e Nju Jorkut. Veprat e tij janë ekspozuar në muze të rëndësishëm siç është “Mart” në Rovereto apo muzeu “Villa Croce” i Xhenovës. Në vitin 2007 ai ka ekspozuar në pavijonin shqiptar të Bienales së Venecias. Alban Hajdinaj punon me objektet dhe imazhet e objekteve të cilat i shfaq përmes fotografisë apo pikturës. Përmes tyre artisti krijon situata të pazakonta. Veprat e Alban Hajdinajt nuk janë dogmatike, por kontradiktore dhe të plota të një atmosfere të caktuar pafajësie, pavarësisht vendi i traumatizuar nga prej artisti vjen.
#