Elvira Dones: Berisha po na kthen lavdinë e kohës së Enverit
Shkrimtarja e njohur shqiptare, Elvira Dones, e cila banon në SHBA, nuk mund të shmangë herë pas herë dhe komentet për politikën shqiptare, të cilën duket se e ndjek në mënyrë të vazhdueshme. Kështu Dones nuk i ka shpëtuar dhe fjalimi i kryeministrit Sali Berisha, mbajtur para grupit parlamentar të PD-së ku fliste për modelin ekonomik të Shqipërisë, si një model që shumë vende të BE-së po e ndjekin tani. Jo pa ironi dhe sarkazëm shkrimtarja e njohur e krahason këtë fjalim me fjalimet e diktatorit Enver Hoxha, propaganda komuniste e të cilit u thoshte shqiptarëve se ishin fanari ndriçues në botë. Ja çfarë shkruan Dones në Facebook:
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha: “Rezulton se sot qeveritë në Europë po ndërmarrin masa që ne i ndërmorëm kohë më parë, liberalizim të lejeve, licencave, standarde të reja. U garantoj se kjo frymë do nxjerrë këto vende nga kriza.” Po shyqyr, shyqyr që na u kthye lavdia e dekadave kur ishim fanar ndriçues në botë. Tani po shpëtojmë Europën. Na mbetet veç t’ia marrim edhe asaj këngës tjetër: “Ne në gojë të ujkut hedhim valle” dhe ia hodhëm lumit.