E Diel, 1 Nëntor 2026

Elvis Rroshi: Kush prek Kavajën, ka prekur Zotin. Berisha nuk mund të pengojë ndryshimin e Kavajës

Elvis Rroshi kreu i Bashkisë së Kavajës flet për debatet në PS

Zoti Rroshi ka pasur disa debate kohët e fundit për zhvillimet brenda PS. Si është e vërteta?

Në rradhë të parë dua tju falenderoj për këtë intervistë dhe mbështetjen që i keni dhënë në mënyrë të herëpashershme zhvillimeve të qytetit të Kavajës. Nuk është e rastësishme që vetëm një ditë pas festës së madhe të fiter Bajramit, kur në sheshin kryesor të qytetit të Kavajës u mblodhën me mijëra e mijëra vetë duke e kthyer atë në një festë të madhe popullore, krijohen akuza dhe insinuata kundër meje dhe zhvillimeve brenda PS. Festa e madhe në qendër të qytetit, sponsorizuar nga donatorë e biznesmenë të Kavajës nën organizimin e Bashkisë, ka xhelozuar shumë vetë që sponsorizojnë sherre dhe debate të paqena. Dhe sa më shumë gjëra të mira bëhen për këtë qytet, aq më shumë flitet për të prishur imazhin e qytetit. Por ju garantoj, të gjithë e kanë kot. Kush prek Kavajën, ka prekur Zotin.

Çfarë do të thotë kjo zoti Rroshi?

Ka më shumë se një vit që kur administrimi i Kavajës ndryshoi me zgjedhjet e vitit të kaluar, pas 22 vitesh tranzicioni të gjatë, të lodhshëm e të mundimshëm, që kanë filluar shpifjet dhe shkopinjtë nën rrota për administrimin e punëve në qytet. Jam shumë i bindur dhe shumë i qartë që humbësit nuk e pranojnë dot ndryshimin, por ky ndryshim është realitet. E shohin qytetarët çdo ditë. Ka patjetër nga ata që nuk e shohin dhe më lejoni tju kujtoj se historitë e pengesave për punën e bashkisë filluan që vitin e kaluar, me pengesat për këshillin bashkiak, pengesat për heqjen e zyrës së QKR nga qyteti i Kavajës që dështoi, pengesat për marrjen e administrimit të ujësjellësit të qytetit, por që edhe këtu dështuan, pengesat për dhënien e fondeve për investime për qytetin, por që edhe këtu dështuanDhe tani kanë filluar të sajojnë historira të sherreve të brendshme në PS, histori që gjejnë terren nga individë të dështuar e humbës që iu janë errur sytë dhe nuk e pranojnë dot ballafaqimin me qytetarët e Kavajës.

Ju po thoni se këto sherre sponsorizohen nga kundërshtarët tuaj?

Unë po them se ka individë që sajojnë gjëra të qena e të paqena, shpifje e sharje, pengesa për punën e bashkisë së Kavajës. Unë personalisht nuk kam kohë të merrem me këta individë apo të tjerë që i sponsorizojnë ata. Nuk kam shumë kohë për të humbur, sepse jam i vendosur të realizoj premtimin që u kam dhënë qytetarëve të Kavajës, në një kontratë publike me ta: për të ndryshuar jo vetëm fytyrën e këtij qyteti, por edhe jetën e tyre për aq sa mund të innvestojmë te ky ndryshim i madh. Dhe po të hyni në Kavajë do shihni sesa shumë kanë ndryshuar lagjet dhe rrugët e brendshme të qytetit, në një vit, ku ka pasur edhe mungesë fondesh edhe nga administrata qendrore. Rrugë të shtruara, pemë të mbjella e shtim hapësirash të gjelbra, ndricime, kanalizime, trotuare të reja, për të folur më pas edhe për aktivitete të ndryshme sociale e kulturore që kanë gjallëruar jetën e këtij qyteti. Unë e dija se gjithë kjo rrugë ishte e vështirë dhe e gjatë, se patjetër gjatë rrugës do të dilnin edhe pengesa. Por kur ke mbështetjen e qytetarëve, sms e telefonata falenderimi, të bëjnë përshtypje shumë pak ose aspak këto lloj shpifjesh që duan të ndryshojnë imazhin e Kavajës.

Por debatet dhe sherret vijnë nga PS, forca politike që ju mbështeti ju

Në PS nuk ka sherre, debatet konstruktive janë në të mirë të punës dhe të zhvillimeve të brendshme të një force politike siç është PS, një forcë e madhe ndryshimi që do të shihet shumë më mirë në zgjedhjet e përgjithshme të 2013. Madje jam i sigurt se Kavaja jo vetëm do të ketë pjesën e vet në këtë ndryshim, por do të jetë edhe promotori kryesor i saj. Personalisht nuk kam ndërmend të kthejë përgjigje për sajesa që sponsorizohen në mënyrë të dyshimtë, por ama kam durimin dhe bindjen për të folur me cdo qytetar të Kavajës që të jetë pjesë  e projektit tonë të madh. Unë jam i bindur dhe i qartë se gjithë punët e mira që kanë filluar në këtë qytet, do ta kthejnë atë në qendër të vëmendjes edhe të opinionit publik. Bashkia e Kavajës ka nevojë për mendimin dhe kontributet e gjithësecilit, dhe miqtë e dashamirësit nuk janë të paktë. Dhe nnëpërmjet jush, që keni qenë mbështettës të këtij ndryshimi, dua të falenderoj gjithë ata biznesmenë  që kanë kontribuuar me fonde për ndryshimin e qytetit dhe një falenderim për gjithë qytetarët, të Kavajës ose jo, që na mbështesin në projektet tona të ndryshimit.

Intervista është botuar sot te “Shqiptarja.com”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›