“Në kohë reale” në RTSH- Vrau biznesmenin Italian, detaje të reja nga vetëdorëzimi: “Ja ku jam…!”

Kamber Sulçaj, autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit italian Eduardo Sarchi, është vetëdorëzuar në ambientet e Policisë së Gjirokastrës, 20 ditë pas ngjarjes. Detaje të reja rreth vetëdorëzimit u bënë publike nga gazetarja e RTSH-së Boralda Pëllumbi, për emisionin “Në kohë reale”.
Sulçaj u vetëdorëzua jo vetëm si i dyshuar, por edhe bashkë me armën që dyshohet se ka kryer krimin – një çifte.
Sipas gazetares, sapo është dorëzuar, Sulçaj ka marrë menjëherë kontakt me prokuroren e çështjes, Blerina Musabelli.
Ndonëse u dorëzua, Sulçaj nuk ka pranuar të japë deklarime për policinë lidhur me rrethanat apo motivet e krimit.
“Ai nuk ka pranuar të japë deklarime për policinë lidhur me rrethanat apo motivet e krimit duke thënë se nuk do të japë asnjë shpjegim sot, por në një fazë të mëvonshme dhe në prezencë të avokatit,” raportoi Pëllumbi.
Kamber Sulçaj do të qëndrojë në paraburgim në Policinë e Gjirokastrës, ndërsa ditën në vijim pritet të dalë para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.
Gazetarja theksoi se zbulimi i autorit të dyshuar u bë i mundur falë hetimeve të shpejta.
/rtsh.al/