E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja Daja- Bare, pas sherrit në telefon

Dëshmia e Gramoz Selmanit

Dëshmitari Selmani, tha dje se Artur Daja, vrau Ramadan Shkurtin me armën e këtij të fundit pas atentatit të dështuar


"Aldo Bare u largua i plagosur nga vendngjarja duke tërhequr pas Enver Rabiajn". Rrëfimi kundërshtohet nga Alferd Shkurti


TIRANË- Seanca e djeshme gjyqësore në ngarkim të të akuzuarit si kreu i "bandës" së Lushnjës të pandehurit Aldo Bare, nisi me debate mes tij dhe kryesueses së trupit gjykues Fatmira Hajdari. Debati nisi menjëherë pasi avokati i Aldo Bares kërkoi nga togat e zeza të administrojë një MEMO të përgatitur në lidhje me leximin e dëshmive të familjarëve të Artur Dajës të marra në Ambasadën shqiptare në Romë të Italisë.


Bare pretendoi se ndaj tij kryhet një proces i paligjshëm dhe me dëshmitarë të manipuluar nga policia e prokuroria. Më tej seanca vazhdoi me rrëfimin e dëshmitarit Gramoz Selmani me cilësinë e bashkë të pandehurit të këtij procesi, që akuzoi Baren për vrasjen e Genci Kasharit, Nimet Zenelit dhe Masar Aliut. Dëshmia e Selmanit solli jo pak herë irritimin tek Bare që disa herë drejtoi fjalë fyese dhe kërcënuese ndaj Selmanit, ndërsa i kërkonte të tregonte të vërtetën dhe jo atë që i kishte mësuar policia dhe prokuroria sipas tij.


Dëshmia e Gramoz Selmanit


Në vitin 1997 isha në Greqi dhe erdha në behar në Shqipëri, për të rregulluar shtëpinë. Erdha me nusen dhe shkuam në Lushnje. Pas rreth dy javëve që qëndrova aty një ditë dola për të blerë ujë dhe u afrova të lokali i Alfred Dajës. Aty ishte Arturi duke ngrënë drekë me Genci Kasharin, Lorenc Dajën, Alfred Dajën dhe Xhevat Dajën. Artur Daja kishte "kallashnikov" dhe dy bomba në tavolinë.


Sapo u ula për të pirë diçka, erdhi një makinë e tipit "Audi" ngjyrë e zezë, nga brenda pa hapur dritaret qëlluan në drejtim të tavolinës. Unë u shtriva poshtë tavolinës dhe sipër meje ra Genci Kashari që më bëri me gjak.


Pasi pushuan breshritë e armëve Arturi u ngrit mori Kallashnikovin dhe qëlloi në drejtim të makinës që po largohej. Pas rreth 100-150 metra nga lokali makina u ndal dhe që aty doli Aldo Bare dhe Enver Rabija, ky i fundit ishte plagosur dhe po tërhiqej nga Aldo me një dorë dhe dorën tjetër po qëllonte në drejtim tonë...

Vrasja e vëllait të Aldo Bares


...Ata të dy u larguan dhe Arturi u afrua te makina ku Ramadan Shkurti po rënkonte në sediljen mbrapa shoferit, ndërsa Bardhyl Rabija (vëllai i Enver Rabijës) doli me gjysmë trupin jashtë pasi ishte plagosur rëndë,- tregoi Selmani. Më tej ai pohoi: Arturi u afrua me "kallashnikov" në dorë dhe i mori Ramadanit "Tomsonin" dhe më pas e qëlloi në kokë atë dhe Bardhylin. Iu afrova Arturit bashkë me shumë të tjerë dhe i pyeta, "pse të qëlloi Fredi" ai më tha që "nuk e di, po një natë më parë jam zënë në telefon".


Pasi pashë këtë skenë mora makinën e u largova e shkova tek Faik Sulivari dhe i thashë çfarë ndodhi në Lushnje. Piva një gotë dhallë dhe ika, mora nusen dhe ika në fshatin e saj Bitaj. Që aty ika në Greqi. Pas gjashtë apo tëtë muaj, në kohë dimri, më kapi policia dhe më sollën në Shqipëri.


Në atë kohë, ndenja tek vjehrri në Bitaj pak ditë. Një ditë shkova me Nimet Zenelin dhe Masar Aliun në Fier për të gjetur një taksist që të më dërgonte në Greqi. Pasi kemi gjetur një, u ktheva në fshatin Bubullimë për të bërë pazar. Po ktheheshim me një makinë të bardhë tip "Toyota" që drejtohej nga Masar Aliu. Para qe ulur Nimet Zeneli ndërsa unë në sediljet e pasme"....


Prita


....Tek kthesa e Kolonjës, kur ikën për në Ardenicë, na dolën në pritë. Me "Kallashnikov" në dorë ishin Ilir Stërgu e Arben Boriçi që nisën të qëllonin drejt makinës. Masari ktheu makinën anash rrugës dhe doli me vrap bashkë me Nimetin nëpër fusha, ndërsa unë u futa poshtë makinës. Boriçi e Stërgu i ndoqën nga pas duke qëlluar me armë drejt tyre. Nimeti ra në një kanal ku edhe nuk u ngrit më ndërsa Masar Aliu iku shpëtoi.


Unë dola nga makina pasi ikëm rreth 60 metra nga mjeti, dhe u nisa nga ana tjetër e rrugës. Në atë moment doli Aldo Bare dhe Enver Dondollaku dhe kanë qëlluar drejt meje. Unë kapërceva një gardh dhe ika në një fshat aty lart dhe kalova në Fier. Atje takova Masarin dhe i thash që do iki në Greqi se e vranë Nimetin. Aty jemi ndarë.


Pas dy dite Masari me një shofer me emrin Afrim është nisur në drejtim të Lushnjës me një makinë tipit "Golf" ku pa hyrë në Lushnje i dolën në pritë 6 persona dhe e vranë atë ndërsa shoferi kishte mundur të ikte dhe më tregoi ngjarjen ai. Më pas ika në Greqi dhe jam kthyet tani para ca ditesh.


VERSIONI I BARES
Bare: Vrasjet i nisi PD-ja ndaj familjes time


TIRANË- "Për ditën e vrasjes së vëllait tim unë nuk kam qenë në makinë. Aty ka qenë Ramadan Shkurti, Bardhyl Rabija, Enver Rabija dhe një person tjetër që unë nuk e nxjerr deri sa shteti i ruan plehrat dhe i sjell këtu dëshmitarë.


Atë ditë makina e tipit "Audi" po kthehej për në shtëpi pasi në bagazhe ka pas ushqimet. Makina ka kaluar pranë lokalit të Alfred Dajës ku po hanin drekë Artur Daja me shokët e tij dhe po priste makinën e vëllait tim të kalonte.


Pasi Artur Daja kishte bërë katër vrasje pak ditë para kësaj ngjarje dhe ruhej pasi priste se do ta sulmonin. Një ditë para ngjarjes, Arturi është sulmuar me snajper dhe këtë e di mirë ish-shefi i Komisariatit të Lushnjës Fred Haxhiaj, të cilit më pas ia vranë vëllain Bledar Haxhian. Këto i di edhe Partia Demokratike dhe ish-shefi i Komisariatit pasi ata donin të eliminonin vëllain tim me vëllezërit Rabija, pasi sipas tyre ata paska ngritur Komitetin e Shpëtimit në Lushnje.


PD-ja duke ditur konfliktin e Dajës me personat që kishte vrarë, e njofton dikush se në makinën e tipit "Audi" janë personat që duan të hakmerren. Ai ka vendosur tre persona në tarracë të lokalit mes tyre edhe këtë dëshmitarin tuaj Gramoz Selmanin ndërsa vetë ka qëndruar poshtë në verandë.


Sapo është afruar makina që po ecte në rrugën e saj, ata kanë qëlluar dhe makina është detyruar të ndalet pasi e vranë shoferin Bardhyl Rabijën. Më pas Arturi i është afruar nga afër dhe ka ekzekutuar vëllanë tim Ramadan Shkurtin dhe Bardhyl Rabijën. Ndërsa personi i katërt ka ikur bashkë me Enver Rabijën të plagosur.


Aty vëllai im dhe Bardhyli ka qëndruar tre orë të plagosur dhe më pas i ka ekzekutuar Artur Daja. Këta i kanë zënë pritë vëllait tim për ta ekzekutuar. Unë nuk kam qenë aty dhe të gjitha këto më janë thënë nga Enver Rabija, të cilin e kam marrë që atë natë dhe jam kujdesur për atë. Ndërsa për vrasjen e Nimet Zenelit, unë nuk kam qenë dhe nuk e di se çfarë sajojnë dëshmitarët e Agron Kuliçit"-tha Barë në kundërshtimin e dëshmisë së Gramoz Selmanit.

Debatet dhe batutat replikat në seancë mes Aldo Bares, dëshmitarit Grazmos Selmani, avokatit, Vladimir Meçe dhe gjyqtares Fatmira Hajdari.


DEBATI Avokat V.Meçe:


"Gjykata javën e kaluar administroi në dosje dëshmitë e Afrim Dajës, Lorenc Dajës etj, të cilat janë marrë në kundërshtim me K.Pr.Penale dhe janë të paligjshme. Pasi përveç ekstra-territorialitetit të Ambasadës Shqiptare në Romë, oficerët nuk janë legjitimuar nga prokurorët për marrjen e tyre në pyetje. Ata nuk mund të veprojnë jashtë territorit shqiptar përveç me letër-porosi.


Procesverbalet janë pa dokumente të identifikimit dhe nuk e dimë kush kanë qenë personat që kanë folur para oficerëve të cilët i kishin marrë në telefon. Kështu që meqenëse klienti im është përfolur nga media dhe politika kërkojmë të paktën t'i bëhet një proces i rregullt gjyqësor pasi në këtë mënyrë po shkelni ligjet shqiptare dhe Konventën Ndërkombëtare"-tha ndër të tjera avokat Meçe në MEMO-n lexuar para Gjykatës.


Avokat V.Meçe:


Sa për dëshmitarin Arben Kicja, dëshmitarin rrugaç të këtij procesi, ai është një person i dënuar nga Gjykata e Lushnjës për "armëmbajtje pa leje".


Vendim ky i dhënë me datën 18 nëntor 2009 nga Gjykata e Lushnjës pasi është ndaluar nga policia me armë në brez edhe pse është nën statusin e të mbrojturit të drejtësisë është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg, më pas u dënua me kushte për 2 vite. Ja çfarë dëshmitari rrugaç ka në mbrojtje shteti.


Ngjarja, ka ndodhur më 24 qershor 2009, ai ka hyrë në Lushnje me një makinë pa targa të tipit "Audi" dhe ka tentuar të hyjë në qendër të qytetit pranë Bashkisë ku policia bashkiake po përgatitej për protestën e opozitës por është ndaluar nga policia bashkiake me të cilën ka filluar konfrontimin fizik dhe më pas ka nxjerrë pistoletën që mbante pa leje dhe është arrestuar e më pas liruar se është dëshmitar i mbrojtur dhe shteti me armë pa leje.


Gjyqtarja F.Hajdari: Avokat ky nuk është objekt gjykimi, kështu që vazhdojmë.

A.Bare: Dua të flas edhe unë, pasi në seancën e kaluar Arben Kicjen e kishit vendosur në një dhomë diku vërdallë dhe ia kishit mbuluar fytyrën që ngjante si vajzë. Por, nuk mora vesh se kush ishin tutorët e tij që e mësonin.


Kështu që përveç se gënjente nga andej ku e keni vendosur, kërkoi që të gjithë dëshmitarët të vijnë këtu në sallë të gjyqit dhe jo nëpër dhoma të tjera. Nëse kjo nuk bëhet, atëherë dua që një nga avokatët e mi të marrë pjesë në dhomën ku qëndron ai për të mos u mësuar nga tutorët.


Gjyqtarja F.Hajdari: Kjo do të shqyrtohet dhe do të kesh rast t'i bësh pyetje të gjithë atyre dëshmitarëve që do vijnë këtu. Gjithashtu, do të thirren të gjithë ata dëshmitarë që do t'i kërkoni ju dhe avokati.

Gjyqi vazhdoi me dëshminë e Gramoz Selmanit....


G.Selmani: ...Aldo Bare u largua me vrap me Enver Rabijën dhe qëllonte nga mbrapa me armë. Aty mbetën të plagosur Ramadan Shkurti, i vëllai i Aldo Bares dhe Bardhyl Rabija që u qëlluan nga afër nga Artur Daja duke i ekzekutuar me armët e Ramadanit....
A.Bare: (Ngrihet Bare në këmbë nga brenda hekurave). Ika unë me vrap ? Kisha frikë unë mor kurvë m...


Gjyqtarja F.Hajdari: Aldo ulu. I pandehur ulu dhe mos bëj presione mos kërcëno.
A.Bare: Nuk bëj presione unë, presione bëjnë ata nga veriu. Unë veproj jam nga Myzeqeja.


Gjyqtarja F.Hajdari: Ulu i pandehur dhe mos fol pa leje se do flasësh kur të vijë momenti. Do t'i bësh pyetje dhe më pas po deshe bëj deklaratë apo koment mbi dëshminë.


G.Selmani: (vazhdon dëshminë)...na dolën para makinës Ilir Stërgu e Arben Kicja, jo më fal Arben Boriçi....


A.Bare: Arben Kicjen lëre rehat se ka ikur për drekë me Agron Kuliçin.
A.Bare: Po pse mor me këtë plehrë do merreni ju e nga dëshmia e tij do më dënoni. Po ky nuk thotë të vërtetën e shoqërisë me Artur Dajën...

G.Selmani: Artur Dajën e ke pasur ti shok të ngushtë dhe jeni zënë një natë më parë në telefon. Unë nuk kam pas gjë me Aldo Baren, përkundrazi kisha respekt. Po nuk e di ç'pati ai me mua, me vëllain tim Bujarin e pse ma dogje shtëpinë?


A.Bare: Ti kishe respekt për mua. Unë nuk kisha shok homoseksual siç ishte ai dhe ti mor plehrë. Unë po të doja do e vrisja atë kur të doja vetë dhe jo të shkoja ta qëlloja duke ngrënë drekë. Nuk ta kam vrarë unë personalisht vëllanë se nuk ma bënte dora që ta dish ti.


Gjyqtarja F.Hajdari: I pandehur mos fol se do të të vijë radha.


A.Bare: Kishe shansin këtu që të flisje me sinqeritet dhe pastërti e unë do të falja, por, ti vazhdon e gënjen dhe unë nuk mund të fal. Mendova se do të flisje me pastërti por ty të kanë mësuar keq ata injorantët se nuk dinë edhe të mësojnë si të më akuzosh.


G.Selmani: Unë thashë të vërtetën dhe nuk po gënjej.


Gjyqtarja F.Hajdari: I pandehur bëj pyetje jo presion. Do kesh rast kur të bësh komente mbi deklaratën e dëshmitarit.


A.Bare: Ti thua që unë ika duke tërhequr për qafe Enver Rabijën, po pse nuk mora vëllain që të largohem po mora atë tjetrin. Dhe më thuaj pse ike menjëherë pas ngjarjes, kur ti nuk paske bërë gjë?


G.Selmani: Këtë nuk e di unë, e di ti pse nuk e more vëllain që ishte i plagosur. Ika nga Lushnja se ti ishe i fortë dhe i more me radhë të gjithë.


A.Bare: Unë kam qenë dhe jam i fortë. Edhe pse jam këtu prapë i fortë jam dhe do ia lëroj atë që ka në shtëpi Agron Kuliçi.


Gjyqtarja F.Hajdari: I pandehur bëj pyetje jo komente dhe presion. Leri të fortët po bëj pyetje.


A.Bare: Zonjë gjyqtare nuk jam unë si ata të fortët që ke njohur. Po më ler të shprehem dhe mos më provoko. Se ata injorantët që e kanë mësuar me fol nuk dinë edhe si ta mësojnë.


A.Bare: Sa herë ke qenë i dënuar dhe për çfarë?


G.Selmani: Dy herë, njëherë kur isha 14 vjeç për vjedhje dhe prapë më pas për vjedhje.


A.Bare: Për vjedhje apo vrasje me thikë?


G.Selmani: Për vjedhje se jemi përleshur dhe e kam qëlluar.
Gjytarja F.Hajdari: I pandehur dëshmitari e tha që ka qenë i dënuar, bëj pyetje?


A.Bare: Të jesh 14 vjeç në burg të ka rënë sapuni në tokë, apo nuk duhet thënë. Mirë, kur më ke parë për herë të parë ?.


G.Selmani: Para vitit 1990 të kam njohur. Dhe më pas të kam parë, po edhe ditën e ngjarjes të kam parë vetë me sy o Aldo thuaje si është se do të vijnë edhe dëshmitarët tjerë do ta thonë këtë se të kanë parë të gjithë...


A.Bare: Mjaft se po flas unë tani. Po kush do të vijë këtu edhe "nusja" jote e vjehrri yt që kanë ardhur më janë ankuar se e shisje vajzën në Fier ? Apo nuk e di këtë që ata janë ankuar te Shef i Komisariatit të asaj kohe dhe ai ka larguar duke i thënë "ikni se jeni familje e degjeneruar" e më pas më kanë ardhur te garazhi e janë ankuar për ty. Këta do të vinë ?


G.Selmani: Unë e kam grua ata mos fol kështu.


Gjyqtarja F.Hajdari: I pandehur bëj pyetje dhe mos bën presion.


A.Bare: Si ka mundësi që ne po vinim për të vrarë atë homoseksualin Artur Dajën me xhama të mbyllur dhe qëlluam nga makina pa hapur xhamat. Me çfarë logjikë është kjo ku kur të doja mund ta vrisja atë. Pastaj, si ka mundësi që ti më ke parë mua, ndërkohë që drejt jush qëllohej me armë dhe ti the që isha poshtë tavolinës.


G.Selmani: Kur jeni afruar me makinë të kam parë ty dhe më pas duke ikur e duke qëlluar pas.


A.Bare: Po pse kur ha bukë t'i shikon kush kalon afër teje. Unë kur ha bukë nuk shoh në rrugë kush po kalon. Thuaj me pastërti gjykatës, kush ishin shokët e tu sipër tarracës së lokalit që qëlluan?


G.Selmani: Nuk kam parë njerëz të tjerë. Drejt makinës ka qëlluar vetëm Artur Daja me armën e tij "Kallashnikov".


A.Bare: Po t'i pas vrasjes së vëllait tim, pse ke shkuar te Faik Sulivari dhe çfarë i ke thënë atij?


G.Selmani: Kam shkuar dhe i kam thënë që ka qëlluar Artur Dajën, Fred Shkurti me shokët dhe aty u vra vëllai i Fredit dhe një i Rabiajve.


A.Bare: Gënjen. Ti i ke thënë që "qëllova mbi një makinë. Nuk e dija se kush ishin. Kur vajta pastaj, pashë vëllanë e Fredi Shkurtit. Atëherë i kishe thënë edhe Artur Dajës, që mos bëj gabim ta qëllosh". Faiku dhe personi që e ka shoqëruar atë natë i kanë thënë që: "Shiko se, Fred Shkurti është burrë. Shko kërkoi falje dhe ai do të falë". Është kështu apo jo.


G.Selmani: Jo nuk është e vërtetë. Unë nuk kam qëlluar dhe i vetmi që ka qëlluar ëshë Artur Daja.

A.Bare: Po granatat kush i hodhi dhe kush qëlloi përveç teje?
G.Selmani: Artur Daja ka qëlluar dhe hodhi granatat.

A.Bare: Po për vrasjen e Nimet Zenelit, ku isha unë dhe si ka mundësi që t'i paske shpëtuar prapë apo nuk të kapi plumbi. Si më pe që isha unë dhe nuk të paskam kapur.


G.Selmani: Dola nga poshtë makinës dhe bëra një rrotullim (salto) dhe dola nga ana tjetër. Aty u ktheva dhe të pashë ty që po qëlloje në drejtim timin bashkë me Enver Dondollakun. Të pashë mirë dhe ika mbi një gardh dhe kalova andej në një shtëpi në kodër ku pashë skenën që andej bashkë me pjesëtarë të asaj familjeje.


A.Bare: Paske bërë edhe salto si nëpër filma. Eh, i fortë ë ? Po si isha unë aty dhe nuk të kapi plumbi. Po të isha aty do të kapja jo me plumb po për veshi do të kapja mor pleh.
Gjyqtarja F.Hajdari: I pandehur bëj pyetje, leri fyerjet


A.Bare: Po Ahmet Isufit, çfarë i ke thënë, apo edhe atë nuk e njeh që të ka strehuar 2 muaj. Pse fshiheshe ti kur ishe i pastër.


G.Selmani: Nuk e njoh dhe nuk kam qenë te ky personi. Unë fshihesha se kisha frikë se do të më vrisnit. Po nuk e di pse më kërkoje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›