E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emergjencat nga bora, Bulqizë, babë e bir në mal, 5 ditë pa kontaktuar

TIRANE- Situata e krijuar nga reshjet e borës mbetet ende emergjente në disa komuna në veri të vendit, edhe pse sot nuk ka reshje bore. Banorët në këto zona kanë kaluar 17 ditë të izoluar, ndërsa bora në disa vende e ka kaluar trashësinë 3 metra. Problem kryesor për ta mbetet hapja e rrugëve, furnizimi me ushqim pasi rezervat i kanë drejt fundit, furnizimi me energji elektrike dhe ardhja në ndihmë në kushtet e emergjencave shëndetësore.

Aktualisht rezultojnë ende të izoluara 6 Komuna në Tropoje, ndërsa akset te kalueshme me zinxhire për shkak të pranise edhe të akullit. Në Has janë të izoluara 3 komuna, ndërsa në Kukës, ku sot termometri shënon minus 8 gradë celcius, 8 Komuna janë te izoluara dhe në 6 të tjera janë zhbllokuar vetëm qëndrat. Moti i mirë pritet të favorizojë operacionin e shpëndarjes së ndihmave në këto zona, operacion që ka vijuar intensivisht dje edhe pse helikopterët kanë patur vështirësi për tu ulur në terren për shkak të trashësisë së borës që i kalonte 3 metra.

Ndërkaq situata e vështirë dhe në qarkun e Dibrës, ku Komunat e izoluara tashmë prej 15 ditësh kanë dhe mungese të energjisë elektrike. Rrugët e bllokuara nga bora trashësia e se cilës varion nga 2 deri në 3.5 metra nuk lejon as shpërndarjen e ndihmave në rrugë tokësore. Aksi Peshkopi-Milot është i kalueshëm, ndërsa Peshkopi-Qafë Bualli me vështirësi. I ftohti ka mbërthyer dhe Librazhdin, Gramshin e Korcën ku temperaturat kanë rënë sërish. Ndërsa dhjetra fshatra në këto zona janë të izoluar, pasi akset janë të pakalueshme për shkak të trashësisë borës që arrin deri në 2 metra. banorët kërkojnë ndihma ushqimore, furnizim me energji elektrike dhe hapjen e rrugëve.

Bulqizë, babë e birë në mal, 5 ditë pa kontaktuar
Familjarët e Dashamir Dedjas dhe djalit të tij Ilirit apel për ndihmë në News 24. Ata shprehen të shqetësuar për dy anëtarëtt e familjes, kryefamiljarin dhe djalin e tij, pasi kanë humbur kontaktet me familjen prej 5 ditësh.

Babë e bir ndodheshin në stan në Malin e Bardhë, ku trashësia e borës arrin deri në 4 metra, ndërsa prej 5 ditësh nuk kanë asnjë kontakt me familjen.

Bulqizë, apel për ushqim dhe ilace në komunën Ostren
Kreu i komunës së Ostrenit në Bulqizë në një bisedë telefonike për News 24 bën apel për ndihma në ushqime dhe ilace për banorët e kësaj komune, pasi sipas tij, atje kanë mbaruar të gjitha rezervat.

“Të gjithë banorët pa ushqime, kanë 21 ditë të bllokuar , u kanë mbaruar të gjitha ushqimet dhe ilacet”, u shpreh kryekomunari Razi Rama.

Kukës, transportohet drejt spitalit i sëmuri me zemër
Në pamundësi për të carë borën me trashësi deri në 2 metra, forcat e ushtrisë kanë transportuar një të sëmurë me probleme kardiake nga komuna Topojan në spitalin e Kukësit. Pacienti priste prej 3 ditësh në gjendje të rëndë, ndërsa sipas mjekut Sokol Hasho janë dhe raste të tjerë në po të njëjtën zonë, por në gjendje më të përballueshme.

Ndërkohë vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë transportuar për në maternitet dy gra shtatzëna dhe në pediatri një fëmijë me temperaturë të lartë.

(ma.ar/el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›