E Hënë, 2 Nëntor 2026

Emergjencë në Delvinë, evakuohen tre fshatra për shkak të zjarreve

Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet strukturave të Mbrojtjes Civile, ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz, në Bashkinë Delvinë. Ky vendim ekstrem është marrë për shkak të rrezikut të lartë që paraqesin zjarret e shumta në zonë.

Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë banorëve të respektojnë udhëzimet e emergjencave civile dhe të bashkëpunojnë ngushtë me forcat e Policisë dhe autoritetet vendore, të cilat janë angazhuar plotësisht për mbrojtjen e jetës dhe pronës së tyre.

“Siguria e qytetarëve është prioritet absolut.”, njofton Ministria e Mbrojtjes.

Aktualisht, në operacionin e shuarjes së zjarreve dhe ndihmës ndaj popullatës janë përfshirë edhe dy helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët po veprojnë intensivisht në zonën e Delvinës.

Ndërkohë, dy helikopterë të tjerë janë angazhuar në operacionet ajrore në qarkun Berat-Dimal, ku gjithashtu situata e zjarreve paraqitet kritike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›