E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emërimi i kreut të Kushtetueses ndan LSI me PD

30/07/2010 Partia e Metës deklarohet pro Presidentit të Republikës për numrin një të Gjykatës

Pas votës për dekretet e Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, si dhe projektligjin për SHISH-in, çështja e emërimit nga Presidenti i Republikës i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, është një tjetër çështje për të cilën LSI-ja ndan mendimin ndryshe nga aleati i saj PD. Nënkryetari i Kuvendit, deputeti i kësaj force politike Nasip Naço, nuk mendon se Presidenti i Republikës është në shkelje të Kushtetutës, madje ai beson se kjo çështje do të marrë zgjidhje në javët e para të shtatorit. “Nuk besoj se është një shkelje e rëndë e Kushtetutës, pasi në Kushtetutë lexohet qartë që afati i kryetarit të Gjykatës është tre vjet dhe anëtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon deri në zëvendësimin e mandatit të Mendoj që javët e para të shtatorit kjo do të zgjidhet, do të vijohet me zgjedhjen e anëtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese dhe më pas me atë të kryetarit të saj. Pra, të mos jetë i detyruar Presidenti që të bëjë zgjedhje të sforcuar duke zgjedhur mes dy emrave, por të plotësohet brenda muajit shtator. Pra, fillimisht të plotësohet anëtarësia e Gjykatës dhe mes tyre të zgjidhet ai që ka cilësi më të mira, integritet moral dhe profesional”, theksoi Naço gjatë një prononcimi për mediat. Sipas tij, vonesa nuk ka ardhur nga Presidenti i Republikës, por nga të tjera arsye. “Vonesa ka ardhur për shkak të një seleksionimi dhe një përzgjedhjeje më të mirë që u bëhet këtyre kandidaturave nga zyra e Presidentit të Republikës, për të mos pasur ndonjë konflikt midis Presidentit të Republikës dhe Kuvendit, që jep pëlqimin për këto kandidatura”, vijoi ai. Por nuk është aspak i këtij mendimi deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj. Sipas tij, qëndrimi në detyrë i Vladimir Kristos është i jashtëligjshëm. Ai gjykon se Gjykata Kushtetuese gjithmonë ka nëntë anëtarë, me mandat të skaduar ose jo, mes të cilëve zgjidhet kryetari. “Nuk thotë ligji asnjë parashikim që nëse nuk zgjidhet, nuk procedohet me zgjedhjet e një anëtari të ri, të mund të vazhdojë kryetari në detyrë. Praktikisht, me kalimin e këtij mandati nuk ka më kryetar të Gjykatës Kushtetuese jo vetëm formalisht, por dhe substancialisht”, tha ai. Po ashtu edhe konstitucionalisti Luan Omari, në këtë pikë është dakord me ish-ministrin e Drejtësisë. “Në fakt, puna në Kushtetuese bllokohet pa kryetar. Ligji organik i Gjykatës Kushtetuese parashikon që kryetari i Gjykatës Kushtetuese duhet zëvendësuar, nuk parashikon se ai qëndron në detyrë derisa të zëvendësohet”, deklaron Omari.

Viktor Gumi

“Sidomos në realitetin shqiptar, sidomos në Shqipërinë e vitit 2010 nuk duhet ti lëmë çështjet e zgjedhjeve ditën dhe momentin e fundit. Precedenti i Gjykatës Kushtetuese në praktikë ka qenë përfundimi i mandatit 3-vjeçar, dorëheqje e kryetarit nga funksioni i kryetarit. A dhe Zh e gjithë fjalorit ka qenë Kushtetuta dhe ligji, për pasojë nuk ka asgjë politike në këtë gjë.”

Takimi me Granof

Presidenti pret kreun e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim me Majkëll Granof, drejtues i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes. Kreu i shtetit, pasi vlerësoi ndihmesën e pakursyer të SHBA-ve dhe mbështetjen e gjithanshme dhënë Shqipërisë për forcimin e demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së institucioneve si dhe zhvillimit të ekonomisë, vuri në dukje kontributin e shquar dhe arritjet e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjeve në këto drejtime. Numri një i shtetit shqiptar, Topi, e njohu mysafirin edhe me situatën politike dhe ekonomike në vend, ku nënvizoi bindjen se institucionet shqiptare do të vazhdojnë të punojnë me vendosmëri për të rritur zhvillimin ekonomik dhe për të përmbushur aspiratat integruese të qytetarëve të Shqipërisë. Nga ana e tij, Granof nënvizoi miqësinë tradicionale e historike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, tashmë edhe si aleatë në NATO, dhe e njohu Presidentin Topi me ecurinë e projekteve dhe planeve të ardhshme të Fondit për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe sipërmarrësve shqiptarë, të financimit të projekteve të rëndësishme në arsim dhe në përgatitjen cilësore e profesionale të të rinjve, bazuar në përvojën amerikane.

Në Belgjikë

Berisha merr mbështetje për integrimin në BE

Kryeministri Berisha, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Belgjikës, mori nga Kryeministri belg Yves Leterme, rikonfirmimin për mbështetjen e Presidencës belge për të ecur përpara e me shpejtësi me hapat e mëtejshëm drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në BE. Duke shprehur vlerësimin për progresin e rëndësishëm dhe arritjet e jashtëzakonshme të Qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, Kryeministri Leterme përshëndeti vendimin e Komisionit për të sugjeruar liberalizimin e vizave pas vlerësimit të ekspertëve dhe shprehu bindjen e thellë për realizimin për heqjen e vizave me vendet “Shengen” gjatë Presidencës belge, brenda vitit 2010. Për sa i përket kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, ai vlerësoi progresin e madh në reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare dhe e siguroi Kryeministrin Berisha se Presidenca belge do ta mbështesë Shqipërinë në ecjen përpara me hapa të shpejtë në këtë drejtim. “E ardhmja e Shqipërisë është anëtarësia e plotë në BE dhe Belgjika do tju ndihmojë në të gjithë hapat tuaj drejt BE-së”, përfundoi Leterme. Ndërsa Kryeministri Berisha tha se Qeverisa shqiptare i qëndron përqasjes për një proces të bazuar në performancë si platformë më e mirë për zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe arritjen e standardeve evropiane.

Godo kundër PD: Presidenti nuk e ka shkelur Kushtetutën

Kundër deklarimeve të mazhorancës gjatë këtyre ditëve kundër Presidentit të Republikës për emërimin e kreut të Gjykatës Kushtetuese, u deklarua edhe përfaqësues nderi i Partisë Republikane, Sabri Godo. Ai përmendi precedentin e krijuar me rastin e përfundimit të mandatit të ish-presidentit Moisiu në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësit të tij. Sipas Godos, kjo çështje ka karakter politik. “Nuk më duket se duhet të precipitojnë gjërat në zhvillimin e një seance të jashtëzakonshme, duket sikur jemi në gjendje lufte. Them se çështja mund të presë deri në shtator. Ka një prapavijë politike, se po të mos ishin këto tendenca, problemet mund të mos ishin krijuar. Fakti që këta gjyqtarë mbeten në krye të punës së tyre deri në zëvendësim nuk është antikushtetues”, theksoi Godo gjatë një prononcimi për mediat. Për të shmangur krijimin e një ngërçi të ri, ai i sugjeron kryetarit të shtetit të nisë që tani konsultimet me krerët e grupeve parlamentare, si dhe të punojë më me energji për të përfunduar procesin e përzgjedhjes së tyre në shtator.

Akuzat e PDK

Partia Demokristiane e ka quajtur sulmin që PD-ja i ka bërë Presidentit të Republikës të qëllimshëm dhe politik, si dhe një shprehje të qartë të panikut që ka kapur Qeverinë e Berishës për humbjen e pushtetit. “PDK gjykon se mazhoranca qeverisëse ka përgjegjësi të plotë për bllokimin e emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. Rrëzimi në Kuvend i kandidaturave të propozuara nga Presidenti i Republikës është bërë për motive krejtësisht politike, në kundërshtim të plotë me legjislacionin e vendit dhe sugjerimet e partnerëve ndërkombëtarë”, theksoi PDK-ja në një deklaratë për shtyp. Sipas kësaj force politike, akuzat e mazhorancës kundër Presidentit Topi vijnë në vazhdën e përpjekjeve që po bën Partia Demokratike për të goditur dhe nënshtruar institucionet e pavarura kushtetuese. Në këtë kontekst, PDK-ja i bën thirrje mazhorancës dhe Kryeministrit Berisha që të ndalë sulmet dhe të ndërgjegjësohet për zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›