E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ishin me pneumoni, Apeli liron zyrtarët e Burgut të Rrogozhinës

30/07/2010 Drejtori Pajtim Muraj, del nga qelia

DURRES-Gjykata e Apelit Durrës ka liruar nga burgu drejtorin e burgut të Rrogozhinës Pajtim Murja, i cili u arrestua tre javë më parë nga njësia antikorrupsion në Prokurorinë e Durrësit. Kjo e fundit ka paraqitur disa prova bindëse (përgjime) ku drejtori i burgut shfaqej duke i kërkuar të burgosurve shumën prej 500 eurosh në këmbim të dhënies së pesë ditëve leje. Mirëpo përkundër këtyre provave, trupi gjykues i Gjykatës së Apelit ka vendosur lirimin e Pajtim Murjas, me argumentin se ky i fundit ishte i sëmurë dhe për pasojë nuk duhet të qëndronte i izoluar në qeli. Vendimi i dhënë për ish-drejtorin bie ndesh me vendimin tjetër të kësaj gjykate, pasi personi tjetër Ismail Cumani, i vënë nën hetim nga Prokuroria edhe pse i ka paraqitur trupit gjykues raporte mjekësore ku tregonte gjendjen shëndetësore të tij, togat e zeza s’kanë pranuar të zbusin masën e arrestit, duke e lënë atë në “arrest në burg”. Në vendimin e saj Gjykata e Apelit e ka çmuar lirimin e Pajtim Murjas, pasi ky i fundit vuan nga sëmundja e rëndë e pneumonisë. Këtë argument, sipas Prokurorisë, gjykata e ka krijuar pas konsultimit me faktet e pavërteta të servirua nga mbrojtja e të arrestuarit. Sipas organit të akuzës në dhënien e këtij vendimi sërish gjykata bazohet dhe mundohet të gjejë pretekstin më të vogël për të liruar personat me rrezikshmëri të lartë në kryerjen e veprave penale të korrupsionit. Ajo nuk merr për bazë faktin se i arrestuari ishte në punë deri ditën e ndalimit, dhe nuk vuante nga ndonjë sëmundje, nuk merr parasysh faktin se Pajtim Murjas të njëjtat prova dhe kërkesa nuk i ishin pranuar nga Gjykata e Shkallës së Parë. Arrestimi i drejtorit të burgut Rrogozhinë u krye pas një hetimi nga Task-Forca në qytetin e Durrësit. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se Murja shfrytëzonte hapësirën ligjore që të dënuarve ju njihet për dhënien e lejeve shpërblyese, në raste fatkeqësish familjare apo gëzimesh. Drejtori së bashku me dy specialistët e edukimit Denis Tosku dhe Ismail Cumani, si dhe një person tjetër të shpallur në kërkim shqyrtonin kërkesat e të burgosurve. Këto kërkesa miratoheshin vetëm atëherë kur individët e interesuar duhet të paguanin plot 500 euro në xhepin e drejtorit Pajtim Muraj. Ky i fundit sapo merrte lekët, miratonte lejen 5 ditore, ndërkohë që personat e tjerë që nuk kishin mundësi të paguanin, qëndronin në burg duke mos marrë asnjë leje disa ditore, që ja parashikonte ligji. Aktualisht njësia hetimore Task-Forcë pranë Prokurorisë së Durrësit, është duke kryer hetime edhe për disa persona të tjerë, ndërkohë që një person tjetër në rolin e sekserit është shpallur në kërkim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›