Emigracioni i paligjshëm, Rama: Sa kohë Evropa nuk ka politikë të përbashkët, do jetë në telashe

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, i pyetur sot nga gazetarët gjatë konferencës në Madrid u ndal te problematikat me të cilat po përballet Evropa sot, sa i takon emigracionit të paligjshëm.
“Nga njëra anë, i duhet të merret me shumë emigracion të paligjshëm dhe me një porozitet shumë shqetësues të kufijve të vet dhe nga ana tjetër i duhet që të përballet me një rënie demografike dramatike. Kështu Evropës i duhet të luftojë emigracionin, por ka nevojë për gjithmonë e më shumë emigrantë. Si zgjidhet kjo? Nuk më takon mua të jap leksione apo të këshilloj askënd, por besoj që pikë së pari, kjo nuk është çështje në shërbim të gatimit politik të mishit, pra kush tregon më shumë muskuj kundër emigrantëve, kush është më i vendosur të sprapsë, kush është më i djathtë, kush është më i majtë, kush është më kështu dhe kush është më ashtu sepse kjo është gjëja më e rrezikshme që po i bëjmë vetes në Evropë, duke kthyer diçka që ka të bëjë me menaxhimin e kufijve dhe menaxhimin e forcës së punës në një luftë kulturore dhe kjo mund ta shkatërrojë shpirtin e Evropës”, tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi faktin se “për aq kohë sa nuk ka një politikë të përbashkët për këtë, përtej së majtës, përtej së djathtës, përtej interesave zgjedhore, përtej nevojës për të marrë më shumë vota dhe për të ndezur frikën në stomakun e njerëzve për t’i marrë këto vota, Evropa do të jetë në telashe”.
“Nëse Evropa e tejkalon këtë dhe do të bëjë diçka shumë më gjithëpërfshirëse, sigurisht, duke kontrolluar kufijtë shumë më me vendosmëri, por edhe duke u hapur ndaj emigracionit të ligjshëm, duke krijuar një mënyrë shumë ndryshe për t’u marrë me vendet e origjinës dhe kështu me radhë, atëherë do të jetë një fitore e madhe për Evropën dhe për brezat e ardhshme. Në të kundërt, nuk e di, do të jetë shumë e vështirë”, cilësoi ai.
Duket folur për mediet, përpara nënshkrimit të marrëveshjes për organizimin e “World Law Congress Albania 2027”, Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027, që do të mbahet në Tiranë, kryeministri Edi Rama u pyet edhe për mundësinë e një marrëveshje të ngjashme për emigrantët, por mes Spanjës dhe Shqipërisë, kur kjo e fundit të jetë pjesë e BE-së.
“Nuk jam i sigurt që do të kishte shumë kuptim sepse lidhet po kështu shumë me gjeografinë. Në qoftë se e keni idenë e pozicionit gjeografik të dy vendeve, ne jemi njerëzit thonë të ndarë por unë them jemi të bashkuar nga deti me Italinë dhe e vetmja gjë që e bën këtë marrëveshje të arsyeshme është se migrantët nuk ndalojnë në Itali sepse po të ndalojnë në Itali hyjnë në territorin e Bashkimit Evropian dhe vihen në lëvizje procedura të tëra, por ata ndalojnë në Shqipëri dhe sa e bëshme do të ishte për Spanjën që të ndalonin në Shqipëri, nuk e shoh këtë gjë të mundshme dhe nuk mendoj që në fund të fundit, kjo është zgjidhja përfundimtare e krizës kufitare evropiane dhe të krizës së emigracionit sepse Evropa besoj deri më tani gjendet në një pozicion të vështirë”, tha Rama.