E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkurrenca rinis hetimet për sigurimet

 

Gjykata e Apelit ka rrëzuar padinë e bërë nga gjashtë kompani sigurimesh kundër hapjes së hetimit të thelluar në tregun e sigurimeve. Në këtë mënyrë Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Autoritetit të Konkurrencës për hetim në tregun e sigurimeve të detyrueshme vjetore për mjetet motorike (T.P.L) ndaj kompanive të sigurimeve. Sipas një deklarate të Autoritetit të Konkurrencës, Gjykata e Apelit mësohet ta ketë arsyetuar këtë vendim me faktin, se procedurat hetimore nga Komisioni i Konkurrencës nuk janë akte me karakter administrativ dhe, për rrjedhojë, palët nuk mund të legjitimohen për kundërshtimin e tyre në gjykatë. Autoriteti i Konkurrencës kishte hapur një hetim paraprak në tregun e sigurimeve të detyrueshme për periudhën 2005-2006. Në përfundim të këtij hetimi, Komisioni i Konkurrencës në janar të 2007-ës u shpreh për hapjen e një hetimi të thelluar, pasi u vunë re shkelje të konkurrencës në këtë treg. Me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, hetimi i mëtejshëm i Autoritetit të Konkurrencës për T.P.L. u pezullua. Por me marrjen e këtij vendimi, Autoriteti i Konkurrencës ka rifilluar hetimet në tregun e sigurimit të detyrueshëm në tregun motorik, për përgjegjësinë ndaj palëve të treta si TPL e brendshme dhe kartoni jeshil.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›