Emigrantët fluks në port, agjencitë abuzojnë me biletat
VLORË - Largimi i emigrantëve ka shfaqur sot fluks të dukshëm pranë portit të Vlorës. Mësohet se agjencitë kanë shitur bileta më shumë se sa kapaciteti i trageteve që u nisën sot për në Brindizi dhe për këtë policia ka nisur hetimet.
Emigrantët që prisnin të largoheshin drejt Italisë kanë shkaktuar problem në trafikun rrugor të qytetit të Vlorës duke bërë që për rreth 3 orë rruga lidhëse e transballkanikes me pjesën tjetër të zonës së Skelës të bëhej e pakalueshme. Situata është normalizuar rreth orës 11.00 kur forcat e policisë rrugore së bashku me atë kufitare kanë ndërhyrë për lehtësimin e trafikut duke i futur të gjitha automjetet në ambientet e brendshme të portit si dhe duke improvizuar një radhë.
Shumë automjete janë detyruar të kthehen pas, 6 orësh pritjeje në port pasi kapaciteti i mjeteve lundruese ishte i papërballueshëm. Ata që e kanë pësuar kanë qenë kamionët e tonazhit të rëndë të cilët në ditën e fluksit do të evitojnë udhëtimet për shkak të hapësirës që zënë në tragete.
Zëdhënësi i policisë, Hektor Shena është shprehur se ndërhyrja për ti kaluar automjetet në ambientet e portit është bërë me qëllim për të lehtësuar trafikun e rënduar në qytet i cili ishte vështirësuar për shkak të radhëve të gjata të krijuara përpara portit.
Sipas tij ka pasur një situatë të rënduar qarkullimi në këtë zonë, çka ka bërë që të ndërhyhet në disa pika. Sipas Shenës janë shitur më tepër bileta se sa kapacitetet që kanë tragetet. Në këto kushte sektori i krimit ekonomik do të hetojë agjencitë për shitjen e biletave, duke vlerësuar nëse ka apo jo abuzime, për t'iu përgjigjur më pas ligjërisht atyre.
Aktualisht nga porti i Vlorës kryehet itenerari i zakonshëm Vlorë-Brindizi me tre tragete, nga dy që operojnë në ditë të zakonshme.