Rama: PS, nuk do të njohë zgjedhjet e 28 qershorit
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi pas takimit me zv/presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE, Volfgang Grosruk, se "Partia Socialiste nuk do të njohë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit", duke shtuar se "parlamenti shqiptar që ka dalë nga këto zgjedhje është një parlament me legjitimitet të cunguar rëndë dhe qeveria që do të krijohet, produkt i grabitjes së votës së shqiptarëve". Sipas Ramës, mundësia e vetme "janë zgjedhjet e parakohshme, që burojnë jo nga një nevojë për të ndryshuar pushtetin nga një parti në duart e një partie tjetër, por për rivendosjen e demokracisë në vend. Pa rivendosjen e saj nuk do të ketë dialog dhe as shanse për të realizuar konsensuse që i duhen vendit tonë, megjithë sfidat e mëdha që e presin". "Ne jemi të vendosur për të mbrojtur demokracinë e kërcënuar në vend, për të gjithë ata sipërmarrës biznesi, media dhe qytetarë që janë të kërcënuar për shkak të bindjeve të tyre politike dhe për të gjithë ata shqiptarë, pa dallim bindjesh politike, që po shohin dhe do të shohin përditë krizën e rëndë që po ndikon në cilësinë e jetës së tyre", tha Rama.