E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantet ne SHBA lehtesira per 300 mije te paligjshem

Emigrantët ilegalë në shtetet e bashkuara të cilët nuk përbëjnë kërcënim për publikun mund të marrin frymë lirisht, pasi dosjet e tyre të deportimit mund të arkivohen. Administrata Obama ka njoftuar kështu një plan masash që pritet të prekin 300 mijë emigrantë të paligjshëm që ndodhen në proces deportimi.

Sekretarja e Sigurisë së Brendshme, Janet Napolitano, me anë të nje letre drejtuar senatorëve amerikanë, theksoi se personat e lidhur me krimin, edhe nëse  veprimet e tyre nuk janë të dokumentuara, do të vazhdojnë të nxirren jashtë vendit. Republikanët kanë kundërshtuar duke thënë se masa të tilla anashkalojnë ligjvënësit e Kongresit.

Në shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlerësohet se jetojnë rreth 11 milionë emigrant të paligjshëm, shumica e të cilëve hispanikë. Paketa e re parashikon që ata emigrantë që kanë mbërritur në vend që fëmijë, dhe kanë mbaruar shkollën e mesme, e që dëshirojnë të hyjnë në kolegj apo të regjistrohen në ushtri do të kenë shumë pak gjasa për deportim, duke marrë një status special.

Shtypi amerikan shpeshherë ka sjellë në vëmendje të publikut raste të këtyre emigrantëve që pasi kanë ndërtuar një jetë në amerikë, janë përballur me letrat e deportimit. Sekretarja Napolitano tha se ndjekja ligjore e këtyre rasteve, i transferon fondet e çmuara publike nga deportimi i atyre që vërtet kërcënojnë sigurinë publike.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›