E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët, si mund të sigurohen në Shqipëri

15/10/2009  Kjo kategori mund të bëjë sigurimin vullnetar pa u dashur të kthehen në vendin tonë

Kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojnë për të gëzuar të drejtën e pensionit.

Emigrantët shqiptarë mund të përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore për të gëzuar të drejtën e pensionit kur arrijnë moshën e daljes në pension. Për këtë ata duhet të sigurojnë vitet e duhura të punës. Aktualisht Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka bashkëpunuar me palën italiane dhe atë greke për të ndihmuar të gjithë emigrantët shqiptarë që ndodhen në këto shtete që të kenë mundësi për të gëzuar të drejtën e pensionit.

Sipas ekspertëve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si mundësi për këto kategori punonjësish, që aktualisht nuk janë të mbrojtura nga sigurimi i detyrueshëm, apo për rastet kur këta emigrantë kanë periudha të kaluara të pambuluara, shërben skema e sigurimit vullnetar. Pra, kur një shtetas për një arsye apo tjetër nuk është i mbrojtur nga sigurimi i detyrueshëm, ose ka periudha të kaluara të pambuluara nga skema e detyrueshme, kompenson vitet e sigurimit nëpërmjet skemës vullnetare të sigurimit. Në mungesë të një marrëveshje për njohjen reciproke të periudhave kontributive me shtetet ku banojnë emigrantët, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përgjegjësinë institucionale dhe morale që “së pari, të informojë sistematikisht emigrantet për ato përfitime që u ofron legjislacioni i sigurimeve shoqërore me vjetërsinë në punë që kanë në Shqipëri; dhe se dyti, për mundësinë që u jepet nëpërmjet sigurimit vullnetar për plotësimin e viteve të punës për të përfituar një pension të plotë ose të pjesshëm”.

Sigurimi vullnetar

Emigrantët mund të bëjnë sigurimin vullnetar në vend për të mbuluar vitet e munguara nga vjetërsia e punës, duke vepruar që nga shtetet ku ndodhen dhe jo duke u kthyer detyrimisht në vendin tonë. Kështu, ata mund të autorizojnë të afërmit e tyre për të lidhur marrëveshje me strukturat e ISSH-së në rrethin ku kanë banuar, pasi këtu është arkivuar dhe vjetërsia në punë e tij. Personi i autorizuar së bashku me një certifikate personale paraqitet në agjencinë e sigurimeve shoqërore, ku do të marrë informacionin e duhur dhe do të lidhë një akt marrëveshje për periudhën që do të paguajë. Për ata emigrantë që disponojnë librezat e punës, do të ishte një lehtësim si për ata, ashtu dhe për sigurimet shoqërore për të konfirmuar saktësisht vjetërsinë në punë dhe do të shërbente si bazë për sigurimin e viteve të tjera të munguara. Për ata emigrantë që nuk disponojnë librezat e punës, të shënojnë periudhat e punuara dhe të siguruara në Shqipëri dhe të llogaritin vitet e munguara për t’u siguruar.

Emigrantët në Greqi

Emigrantët me banim në Greqi sigurimin vullnetar si dhe pagesën për këtë sigurim mund ta bëjnë në Greqi, në qytetet Athinë dhe Selanik në degët e bankës “Intesa Sanpaolo”, pasi Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka një kontratë me këtë bankë, e cila ka filiale në Greqi, ku ka marrë përsipër sigurimin vullnetar të shtetasve shqiptarë duke u krijuar atyre të gjitha lehtësitë e këtij sigurimi. Duke vepruar si agjent i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, kjo bankë ka marrë përsipër t’u japë informacion të interesuarve për sigurimin vullnetar, të lidhë marrëveshje në emër të ISSH-së, duke vepruar në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore që veprojnë në këtë fushë. Për personin e interesuar për sigurimin vullnetar si dokument identifikimi në mungesë të certifikatës personale të lindjes apo të pasaportës mund të pranohet dhe dokumenti i lëshuar nga autoritetet shtetërore Greke.

Emigrantët në Itali

Për emigrantet me banim në Itali Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka lidhur marrëveshje me disa patronate, si: patronato “Ina-Cisl”, patronato “Acai”, “Enas-Ugl”, që cilat kanë marrë përsipër që me shpenzimet e tyre të informojnë falas emigrantët shqiptarë për sigurimin shoqëror të tyre dhe mundësinë e përfitimit të një pensioni ose të një përfitimi tjetër nga legjislacioni i sigurimeve shoqërore. Lidhur me këtë proces nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore janë hartuar dy formularë, ku njëri prej tyre është për sqarime për problemet që kanë emigrantët dhe formulari i dytë për konfirmim periudhash kontributive për çdo emigrant që e kërkon. Me plotësimin e formularëve degët e INAS CISL në mënyrë elektronike i dërgojnë kërkesat në ISSH sipas adresave të e-mail të ekspozuara në fletëkërkesë. Instituti i Sigurimeve Shoqërore me marrjen e fletëkërkesave bën klasifikimin e tyre. Për kërkesat që kërkojnë sqarime, jepet përgjigje e menjëhershme, brenda ditës. Për fletëkërkesat që kërkojnë konfirmim periudhash kontributeve, brenda ditës dërgohen në drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore, ku emigranti kërkon verifikimin. Ne rastin e konfirmimit të vjetërsisë kontributive të punës formulari dërgohet si me postë elektronike, ashtu dhe me postë zyrtare. Formulari, i cili vërteton periudhat kontributive, zëvendëson librezën e punës.

Emigrantët me vjetërsi pune në Shqipëri

Llojet e pensioneve që mund të përfitojnë

Emigrantët që kanë një periudhë të caktuar vjetërsie pune në vendin e origjinës, mund të përfitojnë: pension të pjesshëm kur kanë jo më pak se 15 vjet të siguruar; pension të plotë kur kanë jo me pak se 35 vjet sigurimi, pensione invaliditeti kur janë tërësisht të paaftë për punë. Këto pensione i përfitojnë ata persona që kanë qenë të siguruar në Shqipëri, bazuar në një formulë: moshe, minus 20 pjesëtim për 2 është vjetërsia kontributeve për pension invaliditeti të plotë. Për vjetërsi më të vogël kontributesh proporcionalisht me periudhën e siguruar jepet pension invaliditeti i reduktuar. Pra, një invalid që mund të jetë në moshën 50-vjeçare me ketë raport përfiton pension të plotë invaliditeti kur ka 15 vjet vjetërsi pune. Në rastet kur ka më pak merr pension të pjesshëm në raportin: vjetërsia në punë që ka me vjetërsinë që i kërkohet sipas raportit të mësipërm. Invalidëve u jepet një shtesë për fëmijët që kanë në ngarkim prej 5 për qind të pensionit, kur janë nën moshën 18 vjeç, apo 25 vjeç kur vazhdojnë arsimin e lartë. Kur humb jetën personi që ka qenë i siguruar në Shqipëri, përfitojnë pension familjar fëmijët nën moshën 18 vjeç, ose 25 vjeç kur vazhdojnë arsimin e lartë, sipas formulës së mësipërme. Për invalidët që kanë nevojë për përkujdesje jepet dhe një shtesë në masën 15 për qind të pensionit.

Vitet kur arrihet përfitimi

Kategoritë që mund të bëjnë sigurimin vullnetar

Për të përfituar një pension të plotë, kushtet kryesore janë një moshë që në vitin 2012 do jetë 65 vjeç dhe 35 vjet vjetërsi pune, ku përfshihet dhe periudha e shërbimit ushtarak për burrat dhe koha e studimeve universitare për gratë. Për përfitimin e një pensioni të pjesshëm aktualisht kërkohen 15 vjet sigurimi. Tashmë ka shumë shtetas që kanë nën 15 vjet sigurimi, p.sh. mund të kenë 12,13 apo 14 vjet. Në këto kushte, vitet e sigurimit nuk i vlejnë, pasi nuk përfiton asnjë lloj përfitimi. Në rast se këtë periudhë e kompenson me sigurim vullnetar, atëherë plotësimi i periudhës prej 15 vjetësh do bënte që ky të përfitonte një pension të pjesshëm. Në të njëjtën mënyrë një shtetas që nuk ka mbushur vjetërsinë për pension të plotë mund të sigurohet për vitet e mbetura për ta marrë të plotë këtë lloj përfitimi. Pra, problemi qëndron që emigrantët të mos i djegin vitet që kanë në Shqipëri, por të kompletojnë vitet e munguara për të përfituar nga ligji një pension të plotë ose të pjesshëm.

Fushat ku shtrihet sigurimi vullnetar për emigrantët

1. Vazhdim vullnetar të sigurimit kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar të cilët janë larguar nga sigurimi i detyrueshëm dhe nëpërmjet marrëveshjes për këtë fushë sigurimi bëjnë sigurim vullnetar.

2. Mbulim vullnetar të periudhave të kaluara kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar të cilët paguajnë kontribute vullnetare për periudhat e kaluara dhe jo për vitin korrent. Kontributi që do të paguhet do të jetë në masën e kontributit minimal në kohën e pagesës së tyre. Përfitimet në këtë fushë janë vetëm për pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar.

3. Sigurim për një shumë më të madhe të ardhurash kanë të drejtë të bëjnë të vetëpunësuarit, të punësuarit dhe punëdhënësit privatë, duke paguar kontribute deri në nivelin maksimal për të përfituar deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar.

Që një shtetas shqiptar të sigurohet vullnetarisht duhet:

Të ketë mbushur moshën 18 vjeç. Sigurimi të bëhet para lindjes të së drejtës për përfitim nga ligji për sigurimet shoqërore që vepron në vendin tonë.

1) Aktualisht kontributi mujor për të përfituar nga kjo skeme duke filluar nga 1.05.2009 masa e kontributit për sigurimin vullnetar nga 3544 lekë që ishte para kësaj date u ul në 3482 lekë.

2) Edhe për sigurimin e periudhave të kaluara do të paguhen me këtë shumë, për arsye se pensionet indeksohen çdo vit. Kontributet mund të paguhen tremujore dhe kur këto paguhen paradhënie zbritet 1.5 për qind nga shuma e kontributeve, gjashtëmujore, ku zbritet 3 për qind e kontributeve dhe vjetore, ku zbritet 6 për qind e kontributeve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›