E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet - test i drejtësisë së vendimit për në koalicionin

14/10/2009  LSI do të dalë e vetme në zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit

Lëvizja Socialiste për Integrim do të hyjë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit duke u përfaqësuar me kandidatët e saj. Vendimi është bërë i ditur ditën e djeshme nga kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar Edmond Haxhinasto, duke theksuar se një lëvizje e tillë politike nuk cenon aspak koalicionin qeverisës me Partinë Demokratike. “Bëj publik vendimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të konkurruar e vetme, me kandidatët e saj, në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit. Ky vendim i LSI-së nuk cenon aspak koalicionin qeverisës për Integrimin Evropian, koalicion i cili ka filluar funksionimin me rezultate të prekshme në të gjithë sektorët, veçanërisht në ato socialë”, - ka deklaruar Haxhinasto. LSI-ja mbështet vendimin e saj për të dalë e vetme në këto zgjedhje, duke u nisur nga fakti se në marrëveshjen për bashkëqeverisjen e vendit të nënshkruar me Partinë Demokratike më 2 shtator të këtij viti nënvizohet se dy forcat politike do të bashkëpunojnë për zgjedhjet lokale të vitit 2011. Duke bërë sqarimet mbi arsyet pse Lëvizja mori këtë vendim, zyrtari i lartë i kësaj force politike theksoi se vendimi është marrë duke ushtruar përgjegjësinë ndaj të drejtave themelore demokratike të shtetasve, të cilët duhet të kenë mundësinë të zgjedhin midis alternativave personat që do t’i drejtojnë ata në gjithë nivelet e pushtetit. Kështu, sipas tij zgjedhjet e pjesshme nuk lidhen drejtpërdrejt me klimën e bashkëpunimit që ekziston me PD-në, por thjesht lë në dorën e qytetarëve të zgjedhin se cili do të jetë drejtuesi i komunës apo njësisë së tyre bashkiake. “LSI-ja do të konkurrojë në këto zgjedhje me përfaqësues të spikatur të saj, duke e konsideruar konkurrimin e 15 nëntorit edhe si një test të drejtësisë së vendimit të saj për pjesëmarrje në koalicionin qeverisës”, - ka deklaruar kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së. Haxhinasto ka deklaruar se vendimi për të dalë vetëm në zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit nuk do të ishte marrë nga LSI-ja nëse lidershipi i Partisë Socialiste do të respektonte mandatin e saj politik dhe opozitar që i dhanë zgjedhësit më 28 qershor dhe nëse axhenda personale e lidershipit të saj nuk do të përdorej për të shkatërruar funksionimin normal të sistemit tonë demokratik. “Por me sa duket, lidershipin aktual të PS-së nuk e lejon të marrë pjesë në zgjedhje edhe frika se historikut të gjatë të humbjeve të 28 qershorit, por dhe atyre të Ballagatit, do t’i shtohet edhe humbja në zgjedhjet e 15 nëntorit”, - ka deklaruar kreu i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së.

Marrëveshja për bashkëqeverisjen

Lëvizja Socialiste për Integrim, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me Partinë Demokratike për të bashkëqeverisur vendin në vitet e ardhshme më 2 shtator të këtij viti, ka përfituar katër poste në kabinetin qeveritar. Sipas marrëveshjes së nënshkruar, LSI-ja mori postin e zëvendëskryeministrit, atë të ministrit të Punëve të Jashtme, që mbahen nga kreu i partisë Ilir Meta; ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, që mbahet nga Dritan Prifti; dhe postin e ministrit të Shëndetësisë, që mbahet nga Petrit Vasili. Në marrëveshje theksohet se LSI-ja përveç posteve në ekzekutiv përfiton 20% të të gjithë aparatit politik qeverisës.

Bashkëpunimi për zgjedhjet

Në marrëveshjen e nënshkruar mes PD-së dhe LSI-së për bashkëqeverisjen e vendit theksohet se këto dy forca politike do të dalin së bashku në zgjedhjet e vitit 2011 për pushtetin vendor. “Koalicioni qeverisës për Integrimin Europian, si një aleancë afatgjatë, do të hyjnë bashkë në zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2011. Për zgjedhjet e pushtetit vendor në vitin 2011 do të realizohet një marrëveshje e veçantë”, - thuhet në marrëveshjen e nënshkruar nga kryetari i PD-së, njëherësh kryeministër i vendit, Sali Berisha dhe kreu i LSI-së Ilir Meta. Po ashtu mes dy partive do të ketë bashkëpunim edhe për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›