Emigranti, një 17-vjeçar dyshohet për malarie, izolohet
Një adoleshent, emigrant nga Greqia, banor i një fshati jo larg kryeqytetit, dyshohet të jetë bartës i malaries. Ministria e Shëndetësisë konfirmon se 17-vjeçari, i cili kishte disa muaj që ishte kthyer nga Greqia, ndodhet i izoluar në repartin e Infektivit në Qendrën spitalore Nënë Tereza. Dyshimet janë shumë të forta për malarie. Shenjat e para të çojnë drejt kësaj sëmundjeje, - tha drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, ndërsa shtoi se mostrat janë dërguar në Institutin Sanitar në Romë të Italisë për analiza më të hollësishme. Morëm masa për izolimin e rastit, për të parë hallkat epidemike dhe për të hulumtuar nëse rasti është i importuar apo është rast i marr këtu, që ka shumë pak gjasa të ndodhë, - sqaroi Pipero. Zyrtari i lartë i Ministrisë së Shëndetësisë tha se rasti shërben për sensibilizimin se rreziku i marrjes së sëmundjeve infektive është evident, tashmë që bota është bërë e vogël dhe komunikimi është i shpejtë.