E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infeksionet spitalore, shifra të larta te Kirurgjia

Infeksionet spitalore mbeten rreziku kryesor për jetën e një pacienti pas kryerjes së një ndërhyrjeje kirurgjikale. Në qendrën më të madhe spitalore në vend, sallat kirurgjike vazhdojnë të kenë probleme me infeksionet spitalore. Nga një studim që ka kryer sektori i Kontrollit të Infeksioneve Spitalore në qendrën më të madhe spitalore në vend, rreth 15-20 për qind e pacientëve në QSUT preken nga infeksionet spitalore, ku numri më i madh vërehet në sallat e kirurgjisë me 38 për qind të rasteve. Sipas shefes së sektorit të Kontrollit për Infeksionet Spitalore në QSUT, Svetllana Bitincka, ndryshe nga e shkuara, prej një viti infeksionet spitalore po vihen re më shume në pavijone se në sallat e operacioneve. Infeksionet spitalore që merr pacienti në spitalet tona, kapin shifra të larta. Nga monitorimi ynë mujor në pavijonet kirurgjikale infeksionet spitalore përbëjnë 38% të rasteve dhe krijojnë rrezikshmëri 2 herë më të lartë për vdekje. Infeksionet spitalore merren pas 48 - 72 orë qëndrimi në spital, - u shpreh Bitincka. Drejtori i Qendrës për Akreditimin e Shërbimit Shëndetësor, Isuf Kalo, ka deklaruar gjatë konferencës kombëtare për infeksionet spitalore, pikat e dobëta ku duhet të ndërhyhet për të reduktuar numrin e tyre. Sipas tij, mungesa e një strategjie kombëtare për parandalimin e infeksioneve spitalore, neglizhenca e personelit mjekësor dhe mungesa e investimeve janë shkaqet që çojnë në shifrat e larta të infeksioneve spitalore në të gjitha spitalet publike të vendit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›