Shëndeti i euros, ende shumë dyshime
Europa kishte shpresuar që pak a shumë kriza do të kishte shkuar drejt fundit. Pas vendimit për t’i dhënë Greqisë 110 miliardë euro në fillim të muajit dhe më pas edhe pas vendimit për të bërë bashkë një fond prej 750 miliardë eurosh të tjera, vendim që u mor në fillim të kësaj jave, problemet ende nuk kanë marrë fund. Liderët e Bashkimit Europian shpresuan se monedha e përbashkët do të stabilizohej dhe dyshimet mbi jetëgjatësinë e saj do të shuheshin.
E ndërsa kjo javë ndodhet në fundin e saj, ende nuk është e qartë nëse masat e mëdha të marra kanë pasur efektin e duhur. Të enjten, vlera e euros ndaj dollarit ra në vlerën e saj më të ulët të 14 muajve të fundit. Të premten, kjo tendencë rënieje vazhdoi me një ulje të mëtejshme. Në fakt, pavarësisht euforisë së tregjeve të cilat i “përshëndetën” arritjet e liderëve të BE-së në lidhje me paketat financiare, duket se dyshimi kryesor në lidhje me jetëgjatësinë e monedhës dhe me rikthimin e stabilitetit në këtë zonë, do të vazhdojë.
Në një intervistë me një të përditshme gjermane, kreu i Bankës Qendrore Europiane, Trichet, u përpoq që t’i hiqte këto dyshime. Në veçanti ai hodhi poshtë akuzat se, duke pranuar detyrën e blerjes së bonove shtetërore, banka po hiqte dorë nga fokusi i deritanishëm, që është stabiliteti i Zonës së Euros. “Stabiliteti i çmimeve është qëllimi ynë parësor dhe është një mandat të cilin e kemi përmbushur përgjatë 11 viteve të ekzistencës”, ka deklaruar kreu i Bankës Qendrore Europiane në një nga intervistat që ka dhënë këto ditë për të sqaruar të gjitha dyshimet që po qarkullojnë në lidhje me fatin e euros. “Ne nuk e kemi ndryshuar dhe nuk do ta ndryshojmë kursin e politikave tona kur bëhet fjalë për politikën monetare”, ka vazhduar Trichet.
Ndërkaq, kanë qenë të shumta akuzat në drejtim të politikës së kësaj banke, që është akuzuar për një “pompim” të jashtëzakonshëm të likuiditeteve në ekonomi. Bëhet fjalë për një veprim që në shumë raste është parapritës i inflacionit. Por, sipas Trichet, politika e bankës që ai drejton është shumë stabilizuese dhe i ka marrë të gjitha masat për pasojat e mundshme dhe efektet anësore të një mase të tillë. Komentet e tij kanë qenë pjesë e një mesazhi shumë masiv të liderëve të ndryshëm të vendeve të Eurozonës për të përligjur vendimet e rëndësishme financiare që janë marrë gjatë javës që po lemë pas. Liderët e vendeve të Eurozonës duan që të bien tregjet, se monedha e përbashkët është shumë e fortë dhe do t’i mbijetojë krizës së borxheve që ka pllakosur në disa prej vendeve anëtare të kësaj zone. Kjo krizë, e cila ka kohë që po zhvillohet, ka shkaktuar një ulje të ndjeshme të vlerës së euros ndaj dollarit dhe ka çuar në prag të falimentimit një shtet si Greqia. Planet e shkurtimeve të shpenzimeve publike të ndërmarra në Greqi, Spanjë dhe Portugali, kanë qenë pjesë e këtij mesazhi. Në fakt, të enjten Portugalia ka njoftuar një tjetër paketë shkurtimesh të shpenzimeve buxhetore, që kanë si objektiv uljet e deficitit buxhetor, të cilat aktualisht në këtë vend janë në masën 9.4%. Spanja nga ana tjetër ka njoftuar masa shtesë këtë javë, duke deklaruar ngritjen e pagave të punonjësve civilë deri në vitin 2011 dhe reduktimin e tyre deri në masën 5% për këtë vit. Komisioni Europian të mërkurën ka vendosur që vendet pjesëmarrëse në Eurozonë duhet që t’ia dërgojnë Brukselit buxhetet e tyre për aprovim, para se ato të kalojnë për aprovim në parlamentet vendase. Qëllimi do të jetë parandalimi i të gjitha vështirësive buxhetore me të cilat po përballen një numër i madh vendesh të Bashkimit Europian.
#