E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigranti rrezikon të verbohet, prindërit apel shtetit

Prindërit e 20-vjeçarit Besnik Herceku, nga Puka u bëjnë apel instancave shtetërore që të ndihmojnë për shërimin e djalit të tyre që po humb shikimin. Ata kërkojnë dhe ndihmën e përfaqësuesve të bizneseve të ndryshme në Shqipëri. 

PUKË - Ëndrra për një jetë më të mirë i është thyer në mes. Përpjekjet për të nxjerrë nga varfëria familjen e tij që jeton mes maleve, i ka kushtuar shtrenjtë një 20-vjeçari nga fshati Korthpul i rrethit të Pukës. I riu, Besnik Herceku, tashmë rrezikon të humbë përgjithmonë shikimin. Historia e trishtë nis dy vite më parë, kur Herceku mori rrugën në këmbë drejt Greqisë. Adoleshenti mundi të gjente punë në vendin fqinj. Mësohet se emigranti shqiptar punoi në një vend, ku papastërtitë dhe pluhuri ishin të shumta. Aty, ai ndjeu shqetësimet e para në sy. Ndërsa ndjente se i përkeqësohej për çdo ditë shikimi, Besnik Herceku detyrohet të kthehet në vendlindje, pranë familjes së tij. Sëmundja e rëndë e djalit tronditi bashkëshortët Herceku. Që prej një viti, babai i Besnikut, Marku është detyruar që të shesë edhe divanet për të kuruar të birin, por çdo gjë ka qenë e kotë. Infeksioni i rëndë i kornes së syrit e ka bërë të pamundur kurimin e 20-vjeçarit në Shqipëri. Mjekët specialistë kanë rekomanduar një transplant të mundshëm jashtë vendit, çmimi i të cilit arrin në 7000 euro, shumë kjo e pamundur për t'u përballuar nga familja e varfër. 20-vjeçari tashmë ka humbur totalisht shikimin në njërin sy, ndërkohë që ai po shkon drejt verbërisë së plotë. "Ministrja Anila Godo më premtoi se do ta dërgonte tim bir jashtë shtetit për kurim. Por, pasi plotësova gjithë dokumentacionin e nevojshëm, mora përgjigje negative në Ministrinë e Shëndetësisë", - thotë Mark Herceku, ndërsa lotët i rrjedhin poshtë mjekrës nga dhimbja.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›