Emil Lafe: Akademitë e Shkencave po shkaktojnë përçarje gjuhësore
Reagimi\ Ndërsa mbledhja e fundit e Këshillit Ndërakademik për gjuhën shqipe ka rihapur debatin mes gjuhëtarëve, tonet bëhen edhe më të ashpra. Prof. Emil Lafe thotë se ky këshill nuk duhet të ekzistojë dhe u bën thirrje Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës të ndalojnë përçarjen gjuhësore.
Ndërsa Këshilli Ndërakademik për gjuhën shqipe ka mbajtur mbledhjen e radhës, debati mes gjuhëtarëve është bërë edhe më i ashpër për sa i përket funksionit dhe rolit që luan ky organ i ngritur si bashkëpunim mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK). Prof. Emil Lafe nuk merr pjesë më në këtë Këshill Ndërakademik pas mospërfilljes nga ana e ASHAK të kërkesës zyrtare para dy vjetësh të grupit të anëtarëve nga Shqipëria për ndërrimin e emrit dhe të organizimit. Ndonëse është anëtar i Këshillit që nga themelimi, ai i ka bojkotuar mbledhjet e organizuara gjatë këtij viti. Sipas prof. Lafes, Këshilli Ndërakademik është një sajesë me synime të paracaktuara, për të realizuar orientimet e ASHAK-ut për gjuhën standarde, që çojnë në përçarje gjuhësore. Datat 26-28 qershor kanë shënuar mbledhjen e radhës së Këshillit Ndërakademik, ku sipas njoftimit zyrtar, thuhet se është diskutuar për drejtshkrimin e zanores ë të patheksuar. Anëtarët e pranishëm kanë bërë sugjerime për zgjidhje konkrete, të cilat thuhet se do tu parashtrohen të dyja Akademive. Prof. Emil Lafe, por edhe të tjerë specialistë të fushës nuk kanë qenë të pranishëm në këtë mbledhje. Pasi i kërkuam një reagim mbi këtë fakt, prof. Lafe ka vënë në dispozicion edhe tri letra që i ka dërguar si reagim Akademisë së Shkencave dhe kryesisë së Këshillit Ndërakademik për gjuhën shqipe. Prof. Lafe shtron arsyet se pse ky forum nuk duhet të funksionojë me status Ndërakademik, ndërsa tregon se ky Këshill nuk ka një platformë pune të qartë e të miratuar dhe flet me tone të ashpra për një përçarje gjuhësore që po ndodh në këtë rast, pikërisht në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe të 40-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit. Më poshtë po botojmë të plotë reagimin e prof. Emil Lafes. O. Lila
Prof. Emil Lafe
Lexova atë që është shkruar në shtypin e përditshëm lidhur me mbledhjen e 27-28 qershorit të të quajturit Këshill Ndërakademik për gjuhën shqipe. Kërkova në internet në faqen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për ndonjë njoftim zyrtar për mbledhjen e Këshillit, po nuk gjeta gjë (duhet të pranoj se nuk jam aq i aftë në kërkimet në internet). Kështu që nuk mund të shprehem për punën që është bërë në këtë mbledhje.
E shoh të nevojshme që pas shkrimeve në shtyp, të jap sqarimet e saktësimet e mëposhtme:
1) Nuk kam qenë ndonjëherë kryetar, as bashkëkryetar i Këshillit Ndërakademik. Në mbledhjen e themelimit të Këshillit u caktuan si bashkëkryetarë Shaban Demiraj dhe Rexhep Ismajli, si bashkësekretarë Besim Bokshi dhe Emil Lafe. Në atë mbledhje unë nuk merrja pjesë, sepse ashtu e gjykoi kryesia patriarkale e Akademisë sonë. Më vonë mora vesh se, kur u përmend emri im për detyrën e bashkësekretarit në atë mbledhje, z. Besim Bokshi kërkoi shumë miqësisht që të caktohej ndonjë tjetër, sepse e kishte zor të merrej vesh me Emil Lafen. Atëherë i thanë se duke diskutuar do të arrini, të merreni vesh dhe të gjeni zgjidhjet më të mira. Por para nja dy vjetësh ky organizim ndryshoi: tani Këshilli ka një kryesi prej pesë vetash dhe me kërkesën e përfaqësuesve të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, u vendos që të pesë anëtarët e kryesisë të jenë akademikë. Kështu që u gjet një mënyrë krejt e pastër për të përmbushur pengun e z. Bokshi, pasi E. Lafe nuk është akademik. Ndoshta tashti kryesia punon në harmoni të plotë!
2) Unë nuk kam dhënë ndonjë dorëheqje. Qëndrimet e mia më të fundit ndaj Këshillit Ndërakademik ia kam parashtruar kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe kryesisë së Këshillit Ndërakademik. Letrat jua dërgoj bashkëlidhur, sepse me rastin që u hap kjo çështje në shtyp, mendoj se duhen bërë të njohura. Por, theksoj, nuk ka ndonjë letër dorëheqjeje prej meje. Duhet ta dini se unë kam qenë nismëtari për krijimin e një Këshilli Kombëtar për gjuhën shqipe. Mjerisht zyrtarëve të Akademisë së Kosovës u vjen neveri apo gërdi nga fjala KOMBËTAR dhe ia mbushën mendjen kryesisë së Akademisë së Shqipërisë që të krijojnë jo një Këshill Kombëtar, po një Këshill Ndërakademik, se e njëjta gjë është! Por dardha, siç thonë, e ka bishtin prapa…
3) Siç përmenda më lart për veten time që nuk jam akademik, duhet të sqaroj se këtë titull nuk e kanë as kolegët e mi Mehmet Çeliku, Xhevat Lloshi, Shezai Rrokaj, Rami Memushaj, që janë cilësuar si të tillë.
4) Në Kongresin e Drejtshkrimit nuk u morën vendime nga 10-12 njerëz. Kongresi punoi plot një javë, 20-25 nëntor 1972 në dy seksione. Pastaj një komision hartoi një projektrezolutë, e cila u diskutua, u rivështruan disa çështje e formulime dhe në ditën e fundit, 25 nëntor, u nënshkrua nga 87 delegatët. Ishte një seancë solemne dhe prekëse: për herë të parë pas Kuvendit të Vlorës të mbledhur në rrethanat dramatike të vitit 1912, mblidhej pas 60 vjetësh, një kuvend mbarëkombëtar për njësimin e gjuhës letrare shqipe dhe të drejtshkrimit të saj. 64 vjet pas njësimit të alfabetit dhe 60 vjet pas shpalljes së Pavarësisë shqiptarët arritën të njësojnë dhe formën e gjuhës letrare. Por ajo Rezolutë dhe nënshkrimet e saj ishin ripohimi i bashkimit shpirtëror të shqiptarëve si një komb, me një gjuhë, me një histori, me një kulturë me një aspiratë të përbashkët europiane, pa marrë parasysh kufijtë shtetërorë-administrativë. Në pozitën e re që kanë arritur sot shqiptarët si komb, edhe vepra e Kongresit të Drejtshkrimit ka rolin e saj. Mjerisht fantazmat haxhiqamiliste nuk duan të shkulen!
5) Nuk kam ndonjë arsye të besoj se prapa zelltarëve të përçarjes gjuhësore duke rrënuar normën e sotme letrare, qëndron ndonjë zyrtar i lartë. Zyrtarët shpesh janë viktima të këshilltarëve të këqij ose smirëzinj e interesaxhinj të ulët. Këta, me sjelljet e tyre, u bëjnë dëm, në radhë të parë, njerëzve që i mbajnë pranë, i identifikojnë me cenet dhe njollat që bartin, ua zvjerdhin përkrahësit e mbështetësit edhe atyre vetë, edhe forcave politike që i kanë vënë në ato detyra.
Në ceremoninë e pensionimit të një grupi profesorësh, ndër të cilët dhe unë, ministri i atëhershëm i Arsimit dhe Shkencës, z. Genc Pollo, më kërkoi të isha pranë tij dhe të thosha edhe unë disa fjalë të rastit. Këtë e mora si vlerësim të punës dhe të qëndrimeve të mia për gjuhën letrare, çështje themelore e kulturës kombëtare. Mbaj mend se z. Genc Pollo tha se ne, profesorët e merituar, që na u dha pena e artë me atë rast, me përvojën dhe dijet tona do të ishim gjithnjë të dobishëm për institucionet ku kishim punuar deri atëherë dhe ato do të na mbanin pranë, do të këshilloheshin me ne e do të na tërhiqnin në veprimtarinë shkencore të tyre. Për sa u takon drejtuesve të Qendrës së Studimeve Albanologjike, mund të them se kanë bërë krejt të kundërtën e kësaj.
Pas këtyre sqarimeve dua të shtoj edhe dy fjalë të tjera. Ndër ne që ia kemi kushtuar jetën drejtshkrimit, gramatikës, fjalorit, terminologjisë, pastërtisë së gjuhës shqipe, vërej me keqardhje të thellë të ndehet një