E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emiljano Musta pranë rikthimit tek Elbasani

mustaMariglen Miraka

Ish-lojtari i Shkumbinit pritet të zyrtarizohet te skuadra e lindjes. Rikthimi i tij pritet me shumë interes nga drejtuesit e skuadrës

Skuadrës së Elbasanit i janë larguar lojtarë të cilët kanë shtegtuar nëpër ekipe të ndryshme të Superligës dhe kategorisë së parë. Por kjo situatë duket se do të ndryshohet me kalimin e kohës. Së fundi, në ekip pritet afrimi i Emiljano Mustës, i cili ka luajtur me Shkumbinin në Superligë.

Duke parë dhe rënien e Shkumbinit në kategorinë e parë, talenti 21-vjeçar do të veshë përsëri bluzën verdheblu, të cilën ai do të kërkojë të mos e ndërrojë. Akoma nuk është zyrtarizuar rikthimi i Mustës te ekipi i Elbasanit, por ai është parë në ambientet e klubit dhe është përshëndetur dhe me shokët e skuadrës.

Gjithashtu, presidenti Laze e ftoi mesfushorin në Maqedoni, ku Elbasani festoi qëndrimin në kategorinë e parë. Rikthimi i tij pranë verdhebluve është pritur mirë dhe nga drejtuesit, të cilët i kanë hapur derën, pasi jo vetëm Musta por të gjithë lojtarët elbasanas janë të mirëpritur për tiu bashkuar Elbasanit.

Pranë rikthimit tek Elbasani është dhe mesfushori tjetër, Mateo Toçi, i cili ka luajtur me fqinjët e Gramshit sezonin e kaluar. Edhe vëllezërit Basriu janë një alternativë tjetër për tu rikthyer në Elbasan.Mikel Basriu ka vite që luan me Turbinën dhe është një nga golashënuesit më të mirë, ndërsa vëllai tjetër Eltoni ka qenë një nga mbrojtësit më të mirë te Gramshi.

Anxhelo Suta është një tjetër elbasanas që ka vite që nuk luan për këtë skuadër, pasi ka gjetur strehë tek Luzi 2008 që luan në kategorinë e dytë, por ai ka shprehur dëshirën e madhe për tu rikthyer te ekipi ku është rritur për të kontribuar bashkë me lojtarët e tjerë. Rikthimi i ishëve pritet ti japë më shumë forcë ekipit për tu ngjitur në Superligë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›