E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pogradeci, skuadra që bazohet te prodhimi vendas

pogradeci3Nga Marjel Karadaku

Skuadra liqenore ka në organikën e saj vetëm dy lojtarë të ardhur, ndërsa pjesa tjetër janë nga skuadrat zinxhirë

Skuadra e Pogradecit e mbylli sezonin në vendin e pestë me 42 pikë. Mund të kishin shumë më tepër nëse nuk do ishin aq dorëleshuar me ekipet që rrezikonin të largoheshin nga kategoria. Lëshimi në këto ndeshje ka ndikuar shumë në renditjen e skuadrës, e cila nuk ka arritur dot që të rikthehet në Superligë.

Trajneri, Ardian Abazaj ka vendosur të luajë vetëm me lojtarë të shkollës pogradecare gjatë sezonit të kaluar. Përjashtim bënin vetëm elbasanasit, Miraka dhe lushnjari Bufasi. Pjesa tjetër ishteprodhim vendas, lojtarë të cilët kanë treguar se janë të gatshëm jo vetëm të bëjnë më të mirën për këtë ekip, por edhe të përballojnë presionin e një kampionati si ky i së parës.

Pjesa më e madhe e tyre e kanë moshën për të luajtur me të rinjtë. Mirëpo, Abazaj nga njëra anë, por edhe presidenti Artan Shkëmbi nga ana tjetër kanë besuar fort te i gjithë ky grup lojtarësh,  të cilët duhet të ishin sjellë në fushën e lojës kohë më parë. Fakti që pogradecarët janë renditur të pestët, tregon se ata minimalisht duhet të ishin respektuar më shumë.

Grupi i lojtarëve

Portjeri Miraka dhe qendërmbrojtësi Bufasi janë dy lojtarët e vetëm jopogradecarë në skuadër, të cilët  kanë luajtur pothuajse në të gjitha takimet e sezonit të kaluar. Të tjerët janë liqenorë, duke nisur nga Pere e Pura, të cilët kanë luajtur herë njëri e herë tjetri në të djathtë të mbrojtjes.

Gjithashtu, Hysenllari dhe Çerepi janë prodhim vendas. I pari luan në qendër të mbrojtjes dhe tjetri në të majtë të mbrojtjes, aty ku kapiteni shihet për herë të parë qëkur ka filluar të luaj këtë lojë.Grupi fillon e plotësohet me Çelën në të djathtë të mesfushës e Zguron në të majtë, një tjetër zbulim ky i Abazit, ndërkohë që Jahaj e Shyti kanë qenë padyshim nga më të mirët e kësaj skuadre në mesfushë.

Një tjetër lojtar që duhet veçuar këtë sezon është edhe Albi Çekiçi. Duke e mbyllur me grupin, duhet pranuar se edhe duke luajtur me kaq shumë lojtarë të rinj, liqenorët kanë qenë skuadra më e bukur në lojë gjatë sezonit të kaluar.

Tollozhina, sponsor i pogradecarëve

Luan Tollozhina është një nga emrat më të njohur në futbollin liqenor. Ai është një nga tifozët më të thekur të këtij ekipi, madje edhe në ditët më të vështira të kësaj skuadre. Biznesmeni pogradecar nuk ka kursyer mbështetjen financiare për lojtarët e skuadrës në këtë kampionat, ku ka dhënë më shumë se 11 premio për këtë skuadër, shumë e cila në total shkon në 50 milionë lekë të vjetra.

Burime të besueshme thonë se Tollozhina do vijojë të jetë një partner serioz i kryebashkiakut, Artan Shkëmbi, i cili vitet e fundit ka mbetur pothuajse i vetëm në mbeshtetje të kësaj skuadre. Gjithsesi, Shkëmbi e Tollozhina do të kërkojnë kalimin në Superligë sezonin e ardhshëm, ndaj dhe për këtë ata kanë filluar bisedimet për afrimin e lojtarëve cilësorë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›