Shtyhet sërish seanca për presidentin në Kosovë, opozita në bojkot dhe pa kuorum të mjaftueshëm

Seanca në Kuvendin e Kosovës është shtyrë sërish, këtë herë disa orë.
Në sallë për vazhdimin e votimit për presidentin e ri ishin të pranishëm vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, në ditën e fundit të afatit kushtetues.
Seanca, e planifikuar fillimisht për në orën 10:00, u shty fillimisht për në 14:00 dhe tashmë pritet të zhvillohet në orën 19:00.
Ndërkohë, partitë opozitare – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – kanë paralajmëruar bojkot, duke e cilësuar procesin si antikushtetues.
Një ditë më parë, me vetëm 64 deputetë në sallë, Lëvizja Vetëvendosje vijoi me votimin për president. Kandidatja Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa një votë rezultoi e pavlefshme.
Në garë ishte edhe ish-deputetja e Vetëvendosjes, Hatixhe Hoxha, e cila nuk arriti të marrë asnjë votë.
Seanca e së hënës është konsideruar antikushtetuese, pasi për vijimin e procedurës për zgjedhjen e presidentit kërkohet një kuorum prej 80 deputetësh.