Emisioni ‘3D’ në RTSH, Spahiu: Rama arsyetoi në Kuvendin e Shqipërisë qëndrimet në krah të Serbisë

Rezoluta e miratuar me konsensus midis pozitës dhe opozitës me 101 vota të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë për Kosovën, ka qenë në mbrëmjen e së premtes në qendër të debatit në emisionin “3D” të Alban Dudushit.
Pikat kryesore ku u zhvillua debati mes të ftuarve, si Aleksandër Çipa, analist; Mentor Beqa, pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare; Enriketa Papa, pedagoge UT; Dritan Goxhaj, ish-luftëtar i UÇK-së dhe në lidhje me Skype, politologu Nexhmedin Spahiu, ishin qëndrimet e kryeministrit Edi Rama ndaj zhvillimeve më të fundit në Kosovë, roli i aktorëve ndërkombëtar në këtë process, akti terrorist në Veriun e Kosovës, përplasjet mes dy kryeministrave Rama–Kurti, si dhe roli i KFOR-it.
Sipas politologut Spahiu, në fjalimin e Ramës në Kuvend nuk kishte ndonjë gjë të re, pasi ai herë është në krah të Kosovës dhe herë në atë Serbisë, “në mënyrë që të bëhet interesant”.
“Ai arsyetoi qëndrimet e tij se ishte në krah të Serbisë. Kur policia mori nën kontroll ndërtesat në Kosovë mori në kontroll Veriun. Marrëveshjet e Thaçit dhe EditaTahirit krijuan luajalitet të dyfishtë edhe nga forcat policore në Veri të Kosovës që rrogën e merrnin në Prishtinë, urdhrat nga Serbia. Në Banjskë pati përpjekje për kryengritje. Ata njerëz sundonin Veriun e Kosovës. Që pas Banjskës veriu është vënë në kontroll të plotë nga policia e Kosovës. Rama me deklaratën që trupat e KFOR-it të jenë në kufi, tha se ajo është toka e askujt. E tha kur e mori kontrollin policia e Kosovës. Policia e kreu punën edhe pa KFOR-in. Ishte deklaratë kundër Kosovës sepse ngjante me deklaratat e Vuçiq. Edhe Vuçiq e bëri këtë deklaratë,” tha Spahiu.
/rtsh.al/