E Martë, 3 Nëntor 2026

Parlamenti dhe integrimi në BE, Nikolla: Objektiv mbipartiak. Soreka: Bëhuni bashkë për vendimet e vështira

Kuvendi i Shqipërisë organizoi të enjten konferencën parlamentare mbi “Rolin e Parlamentit në Procesin e Berlinit”.

Konferenca u zhvillua vetëm pak ditë para Samitit të Tiranës më 16 tetor, i cili është Samiti i Parë i Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE.

Panelet e diskutimit u ndanë në dy pjesë, me të parin, të ftuar kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla; kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku; dhe Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Majlinda Bregu.

Në fjalën e saj, kryeparlamentarja Nikolla kujtoi se Procesi i Berlinit vitin që vjen mbush një dekadë.

“Mund të themi, një dekadë të suksesshme. Qoftë edhe për faktin se në një rajon tradicionalisht të trazuar nga demonët shekullorë të nacionalizmit, të së kaluarës dhe historisë, qeveritë, parlamentet, udhëheqësit dhe institucionet diskutojnë e vendosin jo për të kaluarën, por për të ardhmen.

Ne në Kuvendin e Shqipërisë e kemi kuptuar se angazhimi dhe përkushtimi për të avancuar e thelluar reformat, për të mbështetur luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të luftuar dhe nxjerrë nga trupi i shëndoshë i shoqërisë dhe institucioneve kulturën e pandëshkueshmërisë, sipas parimit ‘Askush nuk është mbi ligjin, askush nuk është poshtë ligjit’, janë premisa për të merituar udhëheqjen e procesit të transformimit evropian të vendeve tona,” u shpreh Nikolla.

“Ne, parlamentarët shqiptarë, e kemi të qartë se integrimi evropian i Shqipërisë është një objektiv kombëtar, mbipartiak,” theksoi kryeparlamentarja e Shqipërisë, duke shtuar se për integrimin ka konsensus të plotë mes forcave politike.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, bëri thirrje për një sinergji të bashkëpunimit mes parlamenteve, qeverive, institucioneve, shoqërisë civile, sektorit privat dhe qytetarëve.

“Jam i bindur se një bashkëpunim mes qeverive dhe parlamenteve do të japin rezultate konkrete dhe do të përmirësojnë arritjet e Procesit të Berlinit,” ministri i Jashtëm Igli Hasani.

Konferenca do të vijojë me një tjetër panel mbi 4 liritë themelore të BE dhe Procesi i Berlinit, sfidat e të ardhmes.

Soreka: Ballkani Perëndimor është pjesë e BE-së

Si një nga panelistët e konferencës, përfaqësuesi më i lartë i BE-së në Shqipëri, Luixhi Soreka (o. Luigi Soreca) foli për integrimin e rajonit si një çështje strategjike për sigurinë e BE-së.

Brukseli e vlerëson angazhimin e Shqipërisë me reformat dhe rolin që ka luajtur në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Sikurse e thashë dhe e kam thënë, Procesi i Berlinit luan rol të rëndësishëm si një platformë ku partnerët e rajonit të punojnë për projektet e integrimit evropian. Samiti i Berlinit, duhet të arrijë rezultate praktike në transportin, energjinë, tregun e përbashkët.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkohen në një treg të përbashkët para anëtarësimit në BE. Do arrijnë ta bëjnë rajonin më të pasur. Do ketë dhe kushte reformash. Çdo zhvillim ekonomik vjen me një ambient të shëndetshëm ku investitorët të jenë të sigurt për investimet e tyre,” tha Soreka.

Ambasadori europian kërkoi përfaqësim dhe zotim të të gjitha grupimeve politike në proceset integruese.

“Të punojmë bashkërisht për integrimin në BE. Zgjerimi do të jetë realitet vetëm nëse arrihet suporti i të gjithë parlamentit në të gjitha vendet e rajonit. Shumë nga vendimet kërkojnë reforma dhe suportin e Parlamentit dhe duhet të ketë parlament të fortë e të pavarur që vendimet e vështira ndahen edhe me opozitën dhe maxhorancën.

Shpresoj që të gjithë parlamentarët të arrijnë të mbushin hendekun që nevojitet për promovimin e bashkëpunimit më të ngushtë rajonal,” përfundoi Soreka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›