E Enjte, 5 Nëntor 2026

Emisioni “Përballë” në RTSH1-HD: “Duartrokitësit e humbjes” dhe ringritja e PD-së!

Partia Demokratike ka deklaruar se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, por ka përjashtuar mundësinë e bojkotit të Parlamentit të ri që do të konstituohet, pas 4 muajsh më 9 shtator. 
E thënë troç, PD do të marrë vendet që ka fituar nga përballja elektorale dhe do të vijojë me denoncime ndaj parregullsive të pretenduara.
Politika e deritanishmë e partisë më të madhe të opozitës duket të jetë një pranim i heshtur i zgjedhjeve dhe në të njëjtën kohë një kontestim i zhurmshëm i zgjedhjeve.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka paralajmëruar që javën tjetër do të nisë  një tur “faktmbledhës” në rrethe, ndërkohë që gjendet përballë kërkesës së kritikëve për të marrë përgjegjësinë për humbjen e radhës dhe për të dhënë dorëheqjen. 
Z. Basha në fushatë i është shmangur pyetjes për vendimin që do të marrë në rast humbje. Ai është shprehur i bindur në fitoren e 25 prillit. Optimizmi për fitoren shoqëroi opozitën deri në momentin e mbylljes së kutive dhe entuziazmi arriti kulmin me daljen e disa  exit polleve që paralajmëronin një fitore të opozitës, të paktën në kryeqytet.
48 orë më pas, pa u mbyllur numërimi i votave, por kur u bë qartë se rezultati nuk mund të ndryshohej, u artikulua kërkesa për dorëheqje të kryetarit të PD-së.
Ndërkohë që në grupin e kritikëve të zotit Basha dallohen qartë individë të zellshëm që “duartrokasin humbjen”,  apo dhe individë që nuk kanë më lidhje me PD-në, zëra autoritarë si Bujar Nishani kërkojnë hapjen e një procesi për ringritjen e PD-së!
Bujar Nishani, kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, dhe ish Presidenti i vendit, në deklaratën e parë pas zgjedhjeve foli për dy pengmarrës.  “Edi Rama, -tha ai,- po mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike”. 
Zoti Nishani në mesazhet e tij publike gjatë kësaj jave ka theksuar se: “PD duhet të lihet e lirë për t’u ringritur në madhështinë që i takon si Parti e Lirisë dhe Rinisë”.
Sonte në #Përballë ish Presidenti Bujar Nishani do të flasë për leximin që ai ka për humbjen më 25 prill dhe idetë dhe planin për ringritjen e Partisë Demokratike.

Ora 21.00, RTSH 1

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›