Emisionin “Përballë” në RTSH, Spiropali: Largimi i Ruçit, leksion i madh politik

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, thotë se dorëheqja e Gramoz Ruçit nuk ka lidhje me rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit në qarkun e Fierit, ku PS mori 9 mandate dhe nuk arriti objektivin e vendosur për 10 apo 11 deputetë. Në një intervistë me gazetarin Lutfi Dervishi në emisionin “Përballë”, Spiropali e quajti largimin e Ruçit një leksion të madh politik.
” Nuk është kjo arsyeja sepse Gramoz Ruçi e ka fituar mandatin e tij ne Fier ashtu siç dhe kanë marrë 9 mandate në mandatin e tretë të PS.Akti i Ruçit ishte një vendim i lartë. Unë besoj fort që është një leksion i madh politik, një akt që e nderon Gramoz Ruçin jo vetëm brenda partisë politike që i përket por në skenën politike shqiptare akte të tilla janë të rralla. ” – tha Spiropali.
Spiropali shtoi se largimi i Ruçit bëhet edhe më i lavdishëm pasi është në kontrast të thellë me atë që po ndodh në PD.
” Dy forca politike që në 30 vjetorin e tyre po lëvizin në drejtime krejt të kundërta.
Është në kontrast të thellë me atë që po ndodh brenda Partisë Demokratike dhe kjo e bën edhe më të lavdishëm aktin e tij. Gramoz Ruçi është nga ata politikanë që kurrë nuk është kapur me thonj pas karriges. Mosha e tij të cilën e dha dhe si arsye por edhe pozicionet që ka mbajtur. Kulmi i karrierës së tij është i mjaftueshëm për ti dhënë atij kohën që të dali nga politika i qetë, pa fantazma që e ndjekin nga pas pa frikë dhe pa e përdorur Partinë Socialiste si mburojë.”- tha Spiropali në Përballë.