Emrat e Mujës në Lubjanë
Nga 12 janari deri më 12 shkurt hapësira në Qendrën Kulturore ‘Tobacna 001’ do të jetë e rezervuar për artistin kosovar Alban Muja. Në këtë qendër Muja do të hapë ekspozitën personale të titulluar ‘It’s All About Names’ (Gjithçka ka të bëjë me emrat).
Kjo ekspozitë vjen si rezultat i qëndrimit dymujor të Mujës në Lubjanë, ku gjatë kësaj kohe ai ka realizuar edhe një vepër të re, në të cilën ka filmuar një vajzë sllovene të quajtur Ajda Kruh, duke folur për emrin e saj. E emri i saj në shqip i bie të jetë bukë e thërrmuar. Kjo video e Mujës do të prezantohet në këtë ekspozitë së bashku me videot tjera të kësaj natyre. ‘Palestina’ dhe ‘Tibeti’ janë dy punimet tjera të Mujës që do të prezantohen para publikut slloven, e që flasin rreth emrave të çuditshëm të dy të rinjve nga Kosova.
‘Palestina’ është një video e vitit 2005. Palestina është emri i një vajze, e cila flet në këtë video për historinë e emrit të saj dhe për mënyrën se si prindërit kanë vendosur ta quajnë kështu. Nëpërmjet kësaj videoje Muja ka dashur të prezantojë rëndësinë e interpretimit dhe influencën e lajmit në shoqërinë globale përfshirë edhe lajmet që kanë të bëjnë me ngjarje tragjike dhe trishtuese siç është rasti i konfliktit në Palestinë.
“Ka lidhje të dukshme ndërmjet Palestinës dhe Kosovës, jo vetëm në dhunën e vitit 1982 (kur Palestina u pagëzua me këtë emër), por edhe në statusin e jo-vendit të secilit territor dhe planifikimin dhe riplanifikimin e vazhdueshëm të hapësirës që e bënë identitetin nacional jo të saktë”, shkruan kuratori Chris Reitz në tekstin e katalogut të ekspozitës.
Vepra tjetër ‘Tibet’ është thuajse e ngjashme me videon ‘Palestina’ dhe në këtë rast kemi të bëjmë me një emër tjetër të pazakonshëm. Videoja është realizim i vitit 2009 dhe në të paraqitet një djalë shqiptar i cili jeton në Zvicër dhe i cili e ka emrin e territorit kinez. Sikurse Palestina emri i Tibetit ka domethënie të qartë për luftën e Kosovës për pavarësi. Sidoqoftë video kryesisht fokusohet në ndikimin që ka emri i çuditshëm në jetën e përditshme të Tibetit.
Vepra me të cilën Muja e rrumbullakon rrëfenjën e tij ekspozuese është fotografia e titulluar ‘Tonys’. Është një fotografi e disa djemve të vegjël nga Kosova, të veshur bukur, të cilët kanë një emërtues të përbashkët – secili prej tyre e mban emrin Tonyblair dhe të gjithë janë të lindur në vitin 1999 dhe janë të emërtuar sipas kryeministrit të atëhershëm të Britanisë së Madhe.
Muja ditë më parë është prezantuar edhe në një ekspozitë në Stamboll me veprën e tij ‘New York, New York”, në të cilën ai ka vizatuar të gjitha rrugët që i ka shkelur në qytetin e New York-ut.