Rënia e Rajhut të Tretë

Në fund të viteve të nëntëdhjeta, falë librit të tij të detajuar biografik për Hitlerin, me 2,000 faqe, britaniku Ian Kershow u bë i njohur ndërkombëtarisht në botën e historianëve.
E, në librin e tij aktual “Fundi – Beteja Deri në Shkatërrim”, ky historian 68-vjeçar merret me pyetjen se përse - madje edhe në fazën e tij më apokaliptike – para përfundimit të luftës së Dytë Botërore Rajhu i Tretë vazhdonte të funksiononte relativisht mirë.
Madje, në prill të vitit 1945 në Gjermani vazhdonin të jepeshin rrogat, muzicientët e filarmonisë së Berlinit mbanin koncerte, ekipi FC Bayern Munih luante futboll, forcat gjermane furnizoheshin me armatim dhe me municion... Veç kësaj, edhe furnizimi i popullatës me produkte ushqimore ishte gjë e garantuar deri në ditë e fundit të luftës, edhe pse diku-diku edhe mund të kishte ndonjë mungesë.
Militarizmi prusian
Në librin e tij, Ian Kershaw shtron pyetjen se si ishte e mundur e gjithë kjo gjë. Pra, përse populli gjerman duroi, pa u revoltuar, deri në shkatërrimin çmendurinë e luftës dhe të rënies së paevitueshme të Rajhut, njësoj siç kishte ndodhur edhe në nëntor të vitit 1918?
"Përgjigja është tejet e thjeshtë”, konsideron Kershaw.
"Dhe ajo është: terrori. Terrori i aparatit nënshtrues nacional-socialist ishte aq i madh saqë revolucioni nga poshtë ishte diçka e paparamendueshme”.
Ky, siç thekson Kershaw, ishte dallimi kryesor në raport me fundin e Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1918, kur në Gjermani ekzistonte parlamenti, partitë politike, e madje edhe lëvizja paqësore, por jo edhe Gestapoja apo edhe ushtarët e forcave armike brenda territorit gjerman.
"Situata në vitin 1918 ishte krejt ndryshe nga ajo e vitit 1945”, pohon Kershaw. "Edhe në javë t e fundit të Luftës së Dytë Botërore terrori ishte i mjaftueshëm, sa të mos ishte i mundur ndonjë kërcënim revolucionar ndaj regjimit”.
Në veprën e tij të dytë prej 700 faqesh, Ian Kershaw e analizon në mënyrë figurative shkatërrimin e Rajhu të Hitlerit. Ajo që impresionon është njohja e detajeve me të cilat ky britanik i klasifikon strukturat komanduese të Rajhut të Tretë. “Përse”, pyetet Kershaw, “madje edhe gjeneralët më të lartë të Wehrmacht’it i dëgjonin komandat e Hitlerit, të cilat ishin gjithnjë e më surreale?”
Sipas tij, nga njëra anë, këto ishin tradita të militarizmit prusian, të cilat ende kishin lënë gjurmë, e nga ana tjetër sepse ishin nazistët ata që, siç i interpreton Kershaw, e dinin shumë mirë se si të shfrytëzonin për qëllime të tyre termet ushtarake “detyrë‘ dhe “nder”.
Dëgjueshmëria ndaj shtetit të Führerit
Sqarimi kryesor i Ian Kershaw për këtë dëgjueshmëri bizare të gjermanëve është strukturale.
“Për shembull, për dallim nga Italia fashiste, Gjermania Nacional-socialiste ishte me të vërtetë një ‘shtet i Führerit’”.
Mussolini gjatë gjithë kohës sa ishte në pushtet duhej të ishte i vëmendshëm ndaj mbretit Viktor Emanuel III dhe ndaj "Këshillit të Lartë Fashist” – i cili në vitin 1943 edhe e largoi nga funksioni. Kjo gjë nënkuptonte një ndarje parciale të pushtetit. Asokohe asgjë e ngjashme nuk ekzistonte në Gjermani.
Hitler nuk kishte nevojë t’i arsyetohej askujt, ngase nuk kishte asnjë institucion me të cilin duhej të bashkërendohej. E, meqenëse Hitleri kishte vendosur që luftën ta përfundonte me vetëshkatërrim, populli gjerman vështirë se kishte ndonjë zgjidhje tjetër pos asaj që – pak a shumë dhe pa asnjë kundërshtim – t’i shkonte prapa.
Edhe në librin e tij të dytë, Ian Kershaw e vërteton se është një mjeshtër “i dokumentimeve dhe shkrimeve historike narrative”. Nga aspekti historiografik, ky historian britanik vërtet ofron një interpretim mbresëlënës të muajve të fundit të Luftës së Dytë Botërore. DW