Emrat e ish-të përndjekurve, në listë edhe At Zef Pllumbi
21/06/2011 Miratohet dëmshpërblimi për At Zef Pllumbin, bashkë me 196 emra të radhës. Qeveria ka miratuar listën me emrin e meshtarit françeskan, që më 24 dhjetor 2010, në shumën totale prej rreth 18 milionë lekësh. Por tanimë është bërë i mundur përfitimi në të holla i këstit të parë për familjarët e tij, që është sa 1/8 e shumës totale. Ky këst mund të tërhiqet brenda dy javësh në llogaritë personale të personave, emri i të cilëve është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. At Zef Pllumbi ka vuajtur në burgjet e diktaturës 24 vjet, 6 muaj e 15 ditë dhe mbijetoi për t’u treguar gjeneratave të ardhshme tmerret e komunizmit. Ai vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në Romë, Itali, ndërsa u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.