Emrat e përfolur për zëvendësministra
Kryeministri Hashim Thaçi, brenda kësaj jave, pritet t’i bëjë publike për publikun emrat e zëvendësministrave. Lajmin e ka konfirmuar të hënën për “Epokën e Re”, ministri i Kulturës, Memli Krasniqi.
“Emërimi i zëvendësministrave është kompetencë ekskluzive e kryeministrit Thaçi. Por, ka mundësi që gjatë kësaj jave do të ketë vendime që do të merren nga kryeministri Thaçi”, ka thënë Krasniqi, duke mos mohuar se emërimi i zëvendësministrave të ndodhë pas miratimit të projektbuxhetit në Kuvendi.
Epoka e Re, nga një burim përbrenda PDK-së, ka arritur t’i sigurojë emrat e mundshëm të zëvendësministrave nga radhët e këtij subjekti politik, por pa mësuar saktë se në cilat ministri do të sistemohen. Përbrenda kabinetit të tij qeveritar Thaçi ka paraparë t’i fusë ish-deputetët e legjislaturës së kaluar, të cilët në zgjedhjet e fundit nuk kanë arritur t’i marrin votat e mjaftueshme për deputetë të Kuvendit të Kosovës, si Gani Koci, Ramadan Avdiu, Gani Buçinca, Berat Luzha, Basri Musmurati, Mimoza Ahmetaj dhe Selvije Halimi. Thaçi është kujdesur tej mase që përbrenda kabinetit qeveritar t’i sistemojë edhe kuadrot e reja të ardhura në PDK, të cilët në zgjedhjet e fundit nuk kishin arritur ta fitojnë kuotën për të qenë deputetë të kësaj legjislature, si Ilir Mirena dhe Petrit Selimi.
Ndërkaq, partnerja e koalicionit qeveritar, AKR-ja, ende nuk ka dalë me asnjë emër të zëvendësministrit. Por, përfolët se zëvendësministra të kësaj partie do jenë: Selami Shkodra, Emin Gërbeshi, Avdi Mehmeti, Feti Mehdiu, Gëzim Mehmeti ose Banush Pacolli.
Në Qeverinë e Kosovës dhjetë zëvendësministra do t’i kenë minoritetet, kurse një Lista “Dr. Ibrahim Rugova”.